Antony Blinken

Mero Baze: SHBA 'ndau' Shqipërinë nga Kosova

15 Shkurt, 22:42| Përditesimi: 15 Shkurt, 22:47

  • Share

Dukej sikur ishte një koinçidencë e keqe oraresh. Ndërkohë që sekretari i Shtetit Blinken në Tiranë, deklaroi se sjellja e Shqipërisë ndaj Kosovës dhe rajonit është shtegu i duhur për çdo vend ballkanik, në të njëjtën kohë ambasadori i SHBA në Kosovë, i nervozuar me Albin Kurtin, kishte thirrur konferencë urgjente për shtyp, për të përsëritur qëndrimin e nënsekretarit të Shtetit, se Kosova po humb partneritetin me SHBA.

Pra në të njëjtën orë, në të njëjtën ditë dhe në dy kryeqytetet shqiptare, SHBA e konsideron Shqipërinë partner të sigurtë dhe simbol të politikës që duhet të ketë rajoni i Ballkanit, ndërsa sjelljet e qeverisë së Kosovës si sjellje që po humbasin partneritetin me SHBA.

E parë nga larg kjo është një ndarje që SHBA po bën mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, për shkak të qeverive të tyre.

Por në fakt nuk është realisht ashtu. E gjitha është një përpjekje për t’u bërë thirrje shqiptarëve, të mos mbështesin qeveri që nuk janë partnere të SHBA, pa qenë nevoja të përsërisin rolin dhe kontributin e SHBA në themelin e shtetit të Kosovës dhe kthimin e lirisë për shqiptarët atje.

Dhe ky qëndrim ka rëndësi për të shpjeguar shumë gjëra nga politika e Edi Ramës për Kosovën prej vitit 2013, dhe për të ardhmen e politikës së Kosovës dhe rolin e Shqipërisë.

Të gjithë ata që kanë predikuar se Rama ka ndjekur një politikë anti-perëndimore për Kosovën dhe “ka qenë në anën e Serbisë”, kanë tani një përgjigje të qartë se politikën e kujt ka ndjekur dhe në anën e kujt është në këtë histori.

Sekretari i Shtetit ka konfirmuar publikisht me zë dhe figurë që politika e jashtme e Shqipërisë është shtegu i duhur për stabilitetin e gjithë rajonit, duke i treguar kështu jo vetëm kritikëve të cekët të Ramës në Tiranë, por dhe politikës zyrtare ne Kosovë se çfarë duhet të bëjnë për të mos humbur partneritetin me SHBA.

Ky qëndrim ka akoma më shumë rendësi për momentin kur po kalon Kosova. Nënsekretari i Shtetit, pra zëvendësi i zotit Blinken, që ka lirinë të flasë në mënyrë më të drejtpërdrejtë, e ka kërcënuar dy ditë më parë qeverinë e Kosovës se ajo duhet të vendosë nëse do të jetë apo jo partnere e SHBA, pasi nga mënyra se si po sillet, ajo po e humbet partneritetin me SHBA.

Përmbajtja e zotit Blinken për të mos e përsëritur atë mesazh aq të rëndë është thjeshtë një shans që sekretari i Shtetit po i jep qeverisë së Kosovës të reflektojë, për të mos përfunduar në listat e qeverive jo partnere me SHBA në Ballkan, siç është rasti i Dodikut në Bosnjë.

Dhe këtu përsëri ai e ilustroi qëndrimin e duhur me atë të Shqipërisë.

Por mbi të gjitha, ky qëndrim ka rëndësi dhe për të ardhmen politike të Kosovës dhe sjelljen politike të aktorëve politik në Kosovë.

Albin Kurti është një udhëheqës populist, i cili nuk llogarit fatin e Kosovës por fatin e tij elektoral. Ai bën gjithçka për të fituar zemrën e një injoranti që i ndërton bust në një katund, apo të një emigranti që ka 40 vjet në Gjermani dhe beson që Albin Kurti mund ta mundë Rusinë dhe SHBA me një të lëvizur të dorës në brez.

Si një udhëheqës folklorik, populist dhe mbi të gjitha si një narcist provincial, ai mendon se sulmi i SHBA ndaj tij, është një fat, pasi po e bën atë një figurë madhështore, që po përplaset dhe me SHBA për t’i bërë qejfin atij turshpëlarit në katundin më të thellë të Kosovës, duke shmangur detyrimet që ka përballë SHBA dhe BE për Marrëveshjen e Ohrit, nënshkrimin e asosacionit dhe konsolidimin e një politike të koordinuar me aleatët. Albin Kurti thjesht është një partner i pasigurtë për Perëndimin dhe ky është i vetmi sukses pas tre viteve në pushtet që ka arritur.

Dhe këtu është ndihmuar dhe nga një opozitë jo parimore, e cila mendon se e komplekson Albin Kurtin duke i thënë se po firmos një marrëveshje si tradhtar dhe po ha fjalët e tij.

Ashtu si Albin Kurti në çdo referencë të politikës së dështuar të tij ka Serbinë si shembull të keq, dhe ata në çdo veprim të tyre nisen nga sjelljet e Albin Kurtit. 

Opozita në Kosovë është pjesa shtet formuese e Kosovës dhe nuk u ka hije të sillen si hileqarë me çështje themelore të Kosovës. E firmos apo jo Albin Kurti marrëveshjen për Asosacionin e komunave serbe, ata duhet të kenë qëndrimin e tyre pro asaj marrëveshje, nëse duhet të jenë alternativë në Kosovë. Nëse duhet të jenë mbikëqyrës të Albin Kurtit mund të vazhdojnë, por shef do të kenë Albin Kurtin.

Ndaj mesazhet e sekretarit të Shtetit nga Tirana janë të rëndësishme dhe për të ardhmen e politikës së Kosovës, për t’u treguar shqiptarëve atje se gara nuk është kush të tregohet më radikal me kundërshtimin e orientimit perëndimor të Kosovës, por kush të tregohet më i përgjegjshëm. 

Dhe mos humbisni kohë të bëni policimin e orientimit politik të Tiranës për Kosovën. E “policon” SHBA, dhe sot e keni një vlerësim për këtë orientim. 

E di që Albin Kurti ka vite të tëra që po përpiqet ta demonizojë Tiranën dhe të justifikojë luftën e tij ndaj Shqipërisë duke ua paraqitur shqiptarëve në Kosovë se po ndahet me Tiranën, se ata janë me Vuçicin. 

Jo jo! Po ndahet me Shqipërinë se ajo është me SHBA. Albini le ta gjejë vetë me kë është, por e qartë është se ky po i rezervon Kosovës një situatë të padenjë. /Tema

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sapa: 16/02/2024 05:15

    E megjithate Kurti eshte shume me lart se shqiperia ne berjen e shtetit.

    Përgjigju
    • alfred: 16/02/2024 17:45

      O Sapa Sopata e ke seriozisht ti apo tallesh , nje pinguin drejtues si Bini nuk lind ma na.na

    • Lindi: 16/02/2024 09:11

      Degjoni dhe kuptoni Blinken. Ai tha, Shqiperia eshte model I paqes ne rajon. Rama eshte një partner I jashtezakonshem.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?