Erion Veliaj

Opinion

Mero Baze: 'Shkarkimi' i Veliajt është një formalitet që buron nga paraburgosja dhe linçimi politik

23 Shtator, 20:09| Përditesimi: 23 Shtator, 20:12

  • Share

Vendimi i sotëm i Këshillit Bashkiak nuk kishte surpriza. Socialistët mbështetën kërkesën e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit për t’i hapur rrugë zëvendësimit të tij përmes zgjedhjeve të reja në Tiranë, në kushtet kur Tirana po kalon në një gjendje emergjence lidhur me menaxhimin e saj.

I pakuptimtë është dhe diversioni me anëtarët e Këshillit Bashkiak pse nuk i qëndruan “besnikë” Veliajt, pasi nuk ishte një betejë për të kuptuar sa këshilltarë ka Rama dhe sa Veliaj, por procedurë rutinë për të përmbushur kërkesën politike të qeverisë për zëvendësimin e kryetarit të Bashkisë.

Në kushtet kur kjo kërkesë i mbivendosej kërkesës së PD tre muaj më parë, nuk kishte vend as për betejë dhe as për moral. E vërteta është se kemi dy beteja të ndryshme: betejën politike të Edi Ramës që i duhet një kryetar i ri bashkie për Tiranën dhe betejën juridike të Erion Veliajt i cili duhet të provojë jo vetëm pafajësinë e vet, por dhe procesin e linçimit politik ndaj tij.

Mbledhja e sotme ishte një hap përpara për secilin në betejën e tyre. Edi Ramës iu hap rruga ta shkarkojë kryebashkiakun ndërsa Veliajt iu shtua një argument më shumë në kauzën e ndikimit të politikës në procesin ndaj tij, duke shtuar dhe injorimin e prezumimit të pafajësisë. Veliaj është i detyruar ta vazhdojë betejën deri në Strasburg, ndërsa Rama shpreson që ankimi mos ta vonojë aq shumë, sa ta kapë 2027 pa kryetar bashkie.

Kështu që sot drama nuk është aq e madhe sa duket, sidomos në raportet mes Veliajt dhe PS. Kjo dramë është konsumuar më parë, tek ndikimi i fshehtë që njerëz të PS kanë në fabrikimin e fakteve ndaj tij dhe sidomos në procesin e linçimit fizik ndaj tij, nga ish-ministri i Drejtësisë, Ulzi Manja, përmes Drejtorisë së Burgjeve dhe forcave speciale që kanë krijuar një standard persekutimi ndaj tij, duke thyer çdo rekord të ngjashëm më parë me sjelljen ndaj një politikani në burg.

Erion Veliaj është ndoshta i burgosuri politik me më pak të drejta njerëzore në qelitë e burgjeve shqiptare, me regjimin më të rreptë dhe ofendues të izolimit dhe që po përballet me një sërë fushatash të orkestruara kundër tij, nga prokurorë të SPAK, nga Ministria e Drejtësisë, dhe fundërina të medias që paguhen nga ministra socialistë.

Ky është problemi real që Erion Veliaj ka me Partinë Socialiste dhe drejtësinë, dhe jo votimi i sotëm. Votimi i sotëm është proces rutinë, që e ka zanafillën tek fakti që socialistët e toleruan linçimin e tij politik duke bërë kokë turku vetëm Ulziun, i cili dhe ashtu turpëron çdo qeveri me shkollë të mesme.

Shikoni koston që po merr sot Shqipëria nga Bashkimi Europian për injorancën e dëshmuar në përgatitjen e Kodit të ri Penal për të kuptuar se ku kishte përfunduar Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë. Shikoni ceremoninë e largimit të tij nga detyra, ku më shumë derdhin lot gratë e politikanëve opozitarë, që nuk kanë qarë as për Metën dhe Saliun, aq shumë sa qanë për Ulziun

Tani që formalisht procesi i eliminimit të tij politik dhe administrativ u krye, tani që nuk është më as kryetar bashkie dhe as në proces hetimi, pra dosja ka shkuar në gjykatë, ai është formalisht njeriu më i papushtetshëm në botë që mund të ndikojë në prishjen e provave ndaj tij që janë mbyllur në gjykatë dhe që nuk ka më asnjë pushtet që mund të ndikojë mbi prokurorët apo të rrezikojë Ulziun.

Në këto kushte Gjykata e Lartë është në provë, pasi në fillim të tetorit ajo duhet të shprehet për masën e sigurisë së Erion Veliajt. Nëse edhe pasi e kanë shkarkuar, edhe pasi e kanë linçuar, edhe pse janë mbyllur dosjet e hetimit dhe janë në gjykatë, ata e lënë sërish në paraburgim, atëherë ka pikëpyetje serioze mbi ndikimin e paligjshëm për ta mbajtur me çdo kusht brenda qelisë.

Tani të gjitha argumentet përse ai është paraburgosur kanë rënë. Ka mbetur vetëm urrejtja politike ndaj tij. Po ajo nuk është e shkruar në Kod Penal. Ka qenë tek Kodi i vjetër në komunizëm./Tema

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Këshilli Bashkiak voton pro shkarkimit të Erion Veliajt, si e vlerësoni?