Mero Baze: Shqiptarët kanë diktuar kursin pro-perëndimor të Maqedonisë, duke qenë të rëndësishëm

28 Janar, 12:02| Përditesimi: 28 Janar, 12:04

  • Share

Talat Xhaferri është prej nesër kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut për një periudhë kalimtare deri në zgjedhjet e reja.

Rëndësia e tij si kryeministër i parë shqiptarë nuk është thjesht simbolike, por është arritja më përmbajtjesore e shqiptarëve në kontributin e tyre për ta bërë Maqedoninë e Veriut një shtet evropian.

Beteja e shqiptarëve për të drejtat e tyre ka ndjekur një kalvar të mundimshëm prej vitit 1991, kur u shpall pavarësia e Maqedonisë. Ata janë përballur në këto 32 vjet me një betejë të përhershme për defaktorizimin e tyre, jo vetëm nga faktori nacionalist maqedonas, por here- herë dhe nga Shqipëria dhe së fundmi nga Kosova.

Ndërhyrja brutale e Sali Berishës në vitin 1993- 1994, kundër Partisë së Prosperitetit Demokratik, i dobësoi ata dhe i bëri të parëndësishëm për palën maqedonase. Vetëm, pas luftës së vitit 2001 ata arritën përmes Marrëveshjes së Ohrit të fitojnë statusin e pakicës shtet formuese dhe të drejtave kushtetuese në vend, realizmi i të cilave vazhdon të mbetet një sfidë e vështirë.

Shqiptarët luajtën rol kyç që Maqedonia e Veriut të kërkonte anëtarësimin në NATO dhe ta arrinte atë. Shqiptarët ishin po ashtu një argument politik pse Maqedonia e Veriut duhet të anëtarësohet në BE.

Nacionalizmi maqedonas, i cili herë shfaqet si racizëm serb e herë si nacionalizëm i vjetër bullgar, sa herë niset për luftë, luftën e ka vetëm me shqiptarët.

Për këtë arsye shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë garancia nëse Maqedonia e Veriut do të jetë pro-perëndimore apo jo. Dhe ata janë garant kur janë të rëndësishëm.

Nëse rëndësia e tyre politike bie, fati i tyre dhe fati perëndimor i Maqedonisë së Veriut është në dorë të nacionalistëve serbo- bullgarë, të shpërndarë në të dy blloqet politike.

Në zgjedhjet e fundit, Maqedonia i mbijetoi krusit pro-evropian falë faktorizimit të shqiptarëve dhe rolit pozitiv të Tiranës në këtë drejtim. Bashkimi i faktorëve shqiptarë nga Tirana bëri që ata të ishin vendimtarë në krijimin e qeverisë që ruajti kursin e saj pro-perëndimor, duke bërë një marrëveshje e cila perëndon dhe me kryeministër shqiptar.

Zgjedhjet e reja e kanë risjellë këtë sfidë sërish për shqiptarët.

Opozita nacionaliste e VMRO, është sipas sondazheve parti e parë dhe mund të bëhet fituesja e zgjedhjeve, duke shkatërruar partinë e majtë në pushtet, në koalicion me shqiptarët.

Për këtë arsye maksimizimi i votave të faktorit shqiptar, nuk duhet për ideologji, as për të ruajtur pushtetin e sotëm, por për të qenë vendimtar në krijimin e qeverisë së re.

Maksimalizimi i votave bëhet vetëm nëse gjithë faktorët politik shqiptar janë brenda një koalicioni, çka e mundëson sistemi elektoral i Maqedonisë së Veriut. Si të tillë ata marrin maksimumin e mandateve dhe kështu mund të kushtëzojnë çdo tendencë të re në Maqedoni, kundër shqiptarëve.

Ky koalicion deri tani është ende i rrezikuar nga ndërhyrja e Albin Kurtit në Maqedoni dhe përkrahja e tij për partinë Besa dhe disa disidentë të Ali Ahmetit dhe Aleancës për Shqiptarët

Kjo ndërhyrje e Albin Kurtit dhe mbështetja e tij që ata të sfidojnë Ali Ahmetin dhe partitë e tjera shqiptare, zvogëlon mandatet e shqiptarëve dhe i jep mundësi fituesit të radhës së zgjedhjeve, sidomos nacionalistëve pro-bullgarë, të bëjnë lehtë qeverinë duke futur Maqedoninë e Verit në një rrugë të panjohur dhe plot rreziqe për shqiptarët.

Kurorëzimi i sotëm i Talat Xhaferrit si kryeministër i Maqedonisë se Veriut, është fryt i përpjekjeve për bashkimin e shqiptarëve katër vjet më parë, por kjo është një fitore simbolike.

Fitorja reale është që shqiptarët ta diktojnë kursin pro-perëndimor të Maqedonisë së Veriut me mandatet e tyre parlamentare. Dhe kushdo që lufton për të kundërtën, lufton për nacionalizmin maqedonas. Më qartë lufton kundër shqiptarëve.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?