Edi Rama

Opinion

Mero Baze: Si po udhëheq Edi Rama fushatën e opozitës

22 Prill, 22:24| Përditesimi: 22 Prill, 22:26

  • Share

Të gjitha kritikat ndaj stilit të fushatës së Edi Ramës mund të hapnin debat. Mund të hapej debat përzgjedhja e bufit si simbolikë e kënetës, përzgjedhja e Lulit për gallatë, përzgjedhja e grave si aleate kundër burrave dembelë të Shqipërisë, përzgjedhja e të rinjve në politikë pa ndonjë filtër, e shumë gjëra të tjera.

Por problemi kryesor që ka fushata e Edi Ramës tani është se ajo po udhëheq opozitën.

Fillimisht harxhuan energji pa fund për të pastruar biografinë e bufit si shpend, duke e nxjerrë të preferuarin e Afërditës në Greqinë e lashtë dhe simbol të zgjuarsisë. Epo mirë, atëherë ramë dakord që Berisha është buf i zgjuar.

Pastaj iu turrën Lulit: “Pse Rama ta var ty, e nuk i vë veshin Doktorit?” E lartësuan Lulin, e nxorën nga anonimiteti në krye të rrjeteve sociale për një javë, derisa e kuptuan gabimin.

Pastaj i mori Rama përdore në Dibër dhe u shau burrat “çyrykë”. Këtu nuk duruan fare – dhe disa me “q” e disa me “ç” – filluan të na shpjegojnë që nuk janë ç(q)yrkë, por janë burra zakoni, se i kanë gratë burrnesha. Ndërkohë që Rama vazhdon e shpjegon, si gjoja i indinjuar, se kush janë “çyrykët” që ka ai parasysh, ata ngulin këmbë se nuk janë “çyrykë”, në kor, nga Kukësi në Konispol.

Më tej Rama shkon në Spille dhe u kujton opozitarëve fushatën e 2007-s, kur i botuam fotot nudo, duke u thënë të rinjve: “E dini ç’më kanë bërë? Edhe fotot nudo m’i nxorrën!” Dhe këta tani kanë tre ditë që ankohen: “Pse u thua të rinjve që të kemi nxjerrë fotot nudo, se kjo është turp. Kërkon që të rinjtë të të shikojnë ty nudo?”

Tani, unë e kam humbur një fushatë me ato foto nudo, duke mbështetur Olldashin, dhe i vetmi që nuk donte të botoheshin ishte Olldashi. Ndërsa ai që i botoi forcërisht ishte Berisha.

Po si mund të fitosh një fushatë më 2025 me një budallallëk që e ke bërë vetë më 2007 – vetëm Berisha e di.

Pastaj vijon dialogu i Ramës me Vrenozin, të cilin e ftoi në podcast, por ai nuk pranoi dhe shpërtheu një entuziasëm i madh opozitar. Dhe për të forcuar besnikërinë e tij, e nxjerrin para një salle me fëmijë dhe ai u tregon fëmijëve, vajzave dhe grave demokrate në sallë, se sa "të gjatë e ka pasur Ramën para 15 vitesh dhe sa të vogël e ka tani". Dhe shpërthyen të qeshura.

Pra, siç e shikoni, e gjithë fushata e opozitës, nga fillimi në fund, po udhëhiqet nga Rama. Ai zgjedh temat, ai zgjedh partnerët, ai zgjedh gallatat, ai zgjedh viktimat dhe PD-ja e Berishës shkon pas.

Tani në fushatë elektorale media e ka me ligj që duhet të pasqyrojë fushatën dhe nuk mund ta injorojë këtë realitet. Është e detyruar të shikojë se si Edi Rama udhëheq edhe fushatën e vet, edhe fushatën e opozitës.

Dhe mirë bën, se siç shihet qartë, Berisha është burrë plak me demencë dhe nuk duhet të mbajë shumë ngarkesë. Ka kush punon për të./Tema

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?