Ilir Meta dhe Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Si politikanët shqiptarë po ia lehtësojnë punën SPAK me gënjeshtrat e tyre

7 Janar, 21:52| Përditesimi: 7 Janar, 21:57

  • Share

Ilir Meta dhe Sali Berisha imitojnë njëri-tjetrin sa herë paraqiten në SPAK për t’u pyetur rreth akuzave që janë ngritur për ta. Të dy për publikun bëjnë sikur kanë shkuar në SPAK për të akuzuar SPAK-un dhe rendisin një sërë akuzash kundër kundërshtarëve të tyre, duke i treguar SPAK-ut se çfarë duhet të bëjë e çfarë jo.

Në fakt, gjuha e baltosjes së kundërshtarëve, një “shkollë” e themeluar nga Sali Berisha dhe e kthyer në një markë personale e tij, është kthyer në armikun kryesor të Berishës, Metës dhe politikanëve të tjerë, përfshirë edhe ata qeveritarë, në raport me SPAK.

Gjuha denigruese pa asnjë fakt ndaj kundërshtarëve, shpikja e “fakteve” me qëllim që të përdorin drejtësinë kundër njëri-tjetrit, në fund ka krijuar një perceptim popullor se të gjithë politikanët janë të korruptuar dhe të gjithë hajdutë, sepse akuzojnë njëri-tjetrin. Në këtë mjegull të krijuar prej tyre, SPAK e ka punën shumë të lehtë.

Ai mund t’i vërë gishtin kujtdo politikani që do dhe e ka gati mbështetjen e opinionit publik, që në fakt nuk është krijuar aq shumë nga faktet, por nga gjuha e “shkollës” së Sali Berishës, Ilir Metës dhe të tjerëve.

Kjo klimë është privilegji më i madh që këta politikanë i kanë krijuar SPAK-ut.

Përkundër perceptimit publik që SPAK është popullor në 90% të shqiptarëve, në fakt kjo nuk vjen nga rezultatet e tij, pasi ende nuk kemi një proces të mirëfilltë gjyqësor të përfunduar nga SPAK për akuzat fillestare që ka ngritur ndaj politikanëve. Mbështetja e madhe popullore ndaj tij vjen për shkak të perceptimit që ka krijuar në opinionin publik baltosja e politikanëve nga vetë politikanët.

Do të mjaftonin ato që ka thënë Sali Berisha për Ilir Metën që askujt të mos i vijë keq pse Meta arrestohet; do të mjaftonin ato që ka thënë Ilir Meta për Sali Berishën që askujt të mos i vijë keq për proceset ndaj tij; do të mjaftonin ato që ka thënë Berisha për Ramën që ai të dënohej 100 vjet, e kështu me radhë.

Ndaj, tani kjo përpjekja për t’i treguar SPAK-ut se çfarë duhet të bëjë pasi këta arrestohen është pak e vonuar. Përpara se t’ia bënin të lehtë SPAK-ut punën me fakte kundër njëri-tjetrit, i kanë bërë SPAK-ut të lehtë dhe të pamundurën për të mos gjetur fakte kundër tyre, pasi i kanë krijuar mbështetje në opinionin publik me gënjeshtrat e tyre.

Shikoni një politikan të ri të gjeneratës së tridhjetëvjeçarëve që imiton Sali Berishën, Belind Këlliçin. Shkon në një emision dhe çudit gazetarin dhe shqiptarët me një “sekret” që Erion Veliaj do arratiset në Zvicër. Sot shton dhe një çudi tjetër, që nuk e kanë lënë të hyjë në SHBA, edhe pse shefi i tij këmbëngulte se do lajmëronte FBI që ta kthenin.

Nuk është puna se thotë broçkulla, se kjo është çështje e zgjedhjes personale sa besueshmëri kërkon të ketë. Puna është se broçkulla të ngjashme kundër tij, e kanë çuar dhe atë vetë në SPAK, si kokë turku për të balancuar politikisht hetimet ndaj Veliajt. E thirrën në të njëjtën ditë me Veliajn për të hetuar për pretendimet për dëftesën e maturës false dhe për deklarimin e pasurisë, një gjë që duket një proces i nxituar dhe pa ndonjë bazë serioze kundër tij.

Por baltosja ka bërë punën e saj dhe ai mund ta paguajë shtrenjtë stilin e tij të të bërit politikë, duke e pësuar vetë nga baltosja për nevoja politike, siç e quan Berisha.

Sepse, në fund të fundit, SPAK e ka kollaj për këdo që fut në listë. Shkon tek verifikimi i pasurisë dhe, në një vend ku informaliteti është burim jetese, nuk ka njeri që nuk ngec në rrjetë. Dhe, fatkeqësisht, kështu po përfundojnë të gjitha proceset ndaj politikanëve të lartë.

Por për këtë nuk ka faj SPAK. Ndër të tjera, ai ka një mbështetje të lartë popullore pikërisht për këtë gjuhë baltosjeje ndaj njëri-tjetrit dhe krijimin e bindjes absolute se këtu të gjithë politikanët janë hajdutë dhe vjedhin, për shkak të gënjeshtrave të tyre për njëri-tjetrin.

Dhe kush mendon që fiton prej shpatës, prej shpatës do të vdesë. Siç po u ndodh./ Tema

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Selig Berisha: 08/01/2025 07:56

    O Mero Baze dhe ti flet idjotizma nē Shqipri ska drejtēsi çfar nuk ka bēr Sali Karma. Ka vrar , ka vjedhur, ka djegur, ka shit Shqiprin e prap bredh i lir ky çen i zgjebosur. E ti thua Saliu Iliri e floriri e kta kan vjedhur me miljona euro e kto lek tē vjedhura po i shijojn. Kur do ja marin ktyre kur Kērma tē shkoi nē Botėn tjetēr. Sy peshkaqeni xen po shētit Botēn me lekēt e vjedhura.

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 08/01/2025 11:30

      Politika juaj o Bamke eshte qe te beni pis edhe kundershtarin tuaj PS -ne , ju jeni te zhytur ne krime qe nuk laheni dot .PD nata -PS dita populli ka sy dhe kupton ndryshimin .Mos dil me se je bere si tellalli , pd nuk vjen me ne pushtet .

  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 700 kWh ulet me 1 lekë çmimi i energjisë për familjet, si ju duket?