Ka një përpjekje për të konsideruar si krim përpjekjen e Erion Veliajt nga qelia e burgut për të ndikuar në media, dhe kjo shoqërohet me nëntekstin e “blerjes” së tyre.
Që media në Shqipëri ka qëndrime editoriale të ndikuara nga politika, kjo nuk është ndonjë gjë e re dhe as kriminale. Tanimë është modë në gjithë botën.
Dhe që Erion Veliaj kërkon ndihmë te media që e ka mbështetur atë në gjithë rrugëtimin e tij politik, po ashtu nuk është krim. E njëjta gjë vlen edhe për mediat kundërshtare të Veliajt. Ato janë kokë e këmbë të lidhura me Sali Berishën dhe, në qasjen e tyre ndaj drejtësisë, kanë qëndrime shumë herë më ekstreme se sa “udhëzimet” e Veliajt se si duhet ta mbronin mediat pro tij.
I gjithë ky debat nuk do t’ia vlente të bëhej, sikur SPAK, përmes “të dërguarve” të vet në media, nuk do të paraqiste ridënimin e Erion Veliajt të mbështetur në përgjime të reja “kriminale”, që pretendojnë se ai duhet të rrijë në burg.
Por Erion Veliaj u mbajt në burg nga Gjykata e Apelit nën këtë trysni të SPAK në media.
Publikimi i këtyre përgjimeve e bën banal pretendimin e SPAK dhe provon se ai ka ndikim të frikshëm mbi GJKKO, e cila nuk merr as mundimin të mendojë nëse duhet të shqyrtojë provat e reja të SPAK.
Tani le të bëjmë një bilanc:
Kush ka bërë më shumë dëm – udhëzimet e Veliajt për të kërkuar ndihmë nga shtypi, apo udhëzimet e SPAK për të linçuar publikisht një të arrestuar në qeli, që nuk ka shumë mundësi të mbrohet?
Përpjekja e Erion Veliajt për të ndikuar në media nuk e shpëtoi Erion Veliaj.
Nga ana tjetër, nëse SPAK ka fakte për lidhje kriminale mes medias dhe Erion Veliajt, duhet të bëjë hetim dhe të hapë çështje penale.
Por SPAK nuk mund të kriminalizojë qëndrimet editoriale të shtypit, as pikëpamjet e tyre kritike ndaj SPAK.
E kundërta është e vërtetë:
Manipulimi i opinionit publik për përgjimet e Veliajt e manipuluan Gjykatën e Apelit, dhe ajo konsideroi si prova penale këto përgjime banale, që po dalin si argumente pse Veliaj duhet të mbahet në burg, edhe pse nuk i është formuluar ende ndonjë akuzë.
Pra, në betejën për të manipuluar shtypin, fitues është SPAK, jo Veliaj.
Natyrisht, që ka më shumë mundësi se Veliaj ta bëjë këtë.
Shumica e pronarëve të mediave janë peng i SPAK për shkak të lidhjeve të tyre me politikën dhe biznesin, dhe SPAK e ka të lehtë t’u bëjë shenjë të rrinë urtë. Disa prej tyre figurojnë në përgjime apo përfolje të botës kriminale dhe nuk duan telashe.
Disa të tjerë më “defiçentë” i ka kthyer në zëdhënës, që vendosin “gjoba” lart e poshtë në emër të SPAK, duke u paraqitur si të dërguar të tij.
Media të sponsorizuara nga donatorë të programeve financiare që mbështesin edhe SPAK-un, siç është BIRN, natyrisht janë të vetmet media të paguara për ta mbrojtur SPAK-un, dhe nuk duhen marrë në konsideratë, pasi thjesht bëjnë propagandë me lekë. Aq më tepër tani që u janë rralluar edhe donatorët.
Pra, SPAK e ka fituar betejën për të manipuluar opinionin publik rreth Veliajt, kryesisht me median dhe kontrollin e pushtetit që ka vendosur mbi ta.
Ajo për të cilën më së shumti akuzojnë Veliajn, në fakt e kanë bërë vetë dhe e kanë bërë më mirë se ai.
Problemi është që ne SPAK-un e kemi krijuar për të vendosur drejtësinë, dhe jo kontrollin mbi median me lajme linçuese dhe hakmarrje të ulëta ndaj qytetarëve, duke keqpërdorur përgjimet dhe jetën private.
Nuk di çfarë mund t’i bësh më shumë një të arrestuari, të cilin e ke mbyllur në qeli me një vendim joproporcional në raport me fazën ku janë hetimet, dhe pastaj i përgjon bisedat me gruan, përhap thashetheme perverse, i nxjerr nga konteksti, dhe lëshon mbi të një ushtri propagandistësh që mbahen në treg ose si të dërguar të SPAK, ose si media të sponsorizuara për ta mbështetur atë.
SPAK ka bërë gjithçka për të linçuar Erion Veliaj, dhe ky është një fakt publik.
Një nga armët që ka përdorur në këtë linçim është edhe mënyra si ka kontrolluar opinionin publik përmes shtypit.
Në këtë pikë mund t’i vëmë notën 10, sikur të kishim për kriter modelin e Goebbels-it për kontrollin e opinionit publik përmes shtypit, ose modelin e propagandës komuniste për gjyqet popullore. Por ne shpresuam të ndërtonim një drejtësi evropiane./Tema
Komente
