Sali Berisha

Mero Baze: Sulmet e padrejta ndaj Berishës për heshtjen ndaj Kukësit

26 Shtator 2023, 19:32| Përditesimi: 26 Shtator 2023, 19:34

  • Share

Ka një fushatë sulmesh nga të gjitha anët kundër Sali Berishës, pse hesht për humbjen shkatërrimtare në Kukës. E sulmojnë demokratët, ata të Bashës dhe ata të Foltores, e sulmojnë, natyrisht këta të shumicës, dhe qytetarë të tjerë që në fakt nuk kanë shumë lidhje me politikën. Madje me heshtjen e tij tall trapin dhe Ilir Meta.

E bëjnë se ju duket vazhdimi i një zinxhiri humbjesh poshtëruese, qyshkurse ai po tenton të duket si i “fortë” në gjunjëzimin e opozitës, por tërësisht pa takat përballë pushtetit.

Ndalojini këto sulme!

Është hera e parë që Sali Berisha po bën një gjë që nuk e ka bërë tërë jetën. Ai po e pranon humbjen, po pranon rezultatin dhe mbi të gjitha, po e respekton atë me dhimbje në heshtje, ashtu siç përjetohen humbjet e mëdha.

Të gjithë që i hakërrehen atij, kanë parasysh atë skenën, kur ai del menjëherë pas humbjes, thotë atë fjalinë klishe “kjo ishte vjedhja më e madhe në histori” e zgjedhjeve dhe pastaj premton se do hakmerret me protesta dhe do rrëzojë qeverinë e krimit.

Kanë kaluar gati 48 orë dhe ai nuk e ka bërë atë që ka bërë gjithë jetën për 32 vjet.

Pak u duket kjo?

A nuk jeni të kënaqur që më në fund , madje në fund të jetës së tij, ky njeri po e pranon një humbje me dhimbje të thellë?

Pse e doni doemos të pandryshueshëm, të pakorrigjueshëm dhe të parashikueshëm, siç jeni mësuar me të. Ndodh që njeriu reflekton një ditë atë që është dhe atë që i ka ndodhur, dhe hesht.

Ky është lajmi i vërtetë.

Dhe më shumë se ky, lajm është që kur hesht ai, hesht e gjithë turma e tij. Të gjithë bëjnë sikur nuk ka pasur zgjedhje në Kukës. Flasin për gjithçka, për McGonigalin, sulmin në Zveçan, apo ngjarjet në OKB, por jo për Kukësin.

Kjo tregon se partia ende beson tek ai, njerëzit ende presin një shenjë të flasi Ai, pastaj të fillojnë të mendojnë.

Dhe kjo është një vdekje më e rëndë se ajo e Kukësit. Ky është tumori i vërtetë vdekjeprurës që po bren dhe po çon drejt shuarjes atë parti.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?