Sali Berisha

Mero Baze: Tani debati për 29 Nëntorin, është debat për çlirimin nga berishizmi

29 Nëntor 2023, 23:19| Përditesimi: 29 Nëntor 2023, 23:27

  • Share

29 Nëntori është një datë e cila ka krijuar një debat ideologjik rreth simbolikës së festës së çlirimit në Shqipëri.

Debati në parim është ideologjik, por konkretisht është kthyer në një debat hipokrit, që ka lidhje më shumë me berishizmin se me fashizmin. Ose më mire të themi, më shumë me çlirimin nga berishizmi, se sa me çlirimin nga fashizmi.

Data e çlirimit është një ditë simbolike e çlirimit të një vendi dhe nuk ka shumë lidhje me afate fizike kur ka dalë pushtuesi i huaj nga vendi. Ka vende që kanë datë të tillë çlirimin e kryeqytetit, një Kuvend Kombëtar që ka vendosur çlirimin, siç e ka pas Jugosllavia e Titos, apo një datë fizike të mbarimit të luftës. 

Nuk përjashtohet mundësia që Shqipëria ka vendosur datën 29 nëntor për shkak të lidhjeve të forta me Jugosllavinë në atë kohë. Kjo është e natyrshme po ta vendosësh në kontekstin e asaj kohe, kur Shqipëria ishte, siç e ka pranuar dhe vet Enver Hoxha, si një Republikë e Shtatë e Jugosllavisë.

Por kjo nuk ndryshon asgjë në faktin që Shqipëria u rreshtua në vendet fituese të Luftës së Dytë Botërore si një vend antifashist. E thënë më thjeshtë, forcat pro-fashiste në këtë vend, dolën humbëse të luftës dhe forcat anti-fashiste fituese të luftës. 

Edhe nëse datën e çlirimit do ta kishim vendosur në 17 nëntor kur u çlirua Tirana, apo 28 nëntor, për ta bashkuar me pavarësinë, asgjë nuk do të ndryshonte. 

Fitimtarët e luftës ishin komunistët dhe pushtetin do ta kishin ata. 

Gjithë argumentet e tjera historike janë kot dhe debati është hipokrit.

E mira e madhe historike e rreshtimit të Shqipërisë në forcat fituese të Luftës së Dytë Botërore, është fakti se Shqipëria i shpëtoi sanksioneve që do kishte si vend humbës i Luftës së Dytë Botërore, duke na hequr Jugun e Shqipërisë për Greqinë, nën akuzat se kishim nisur luftën italo- greke dhe ndoshta me pasoja të forta dhe për vet ekzistencën e pjesës tjetër të vendit, duke na integruar si Republikë të Shtatë jugosllave. 

Përfshirja e Shqipërisë në listën e vendeve anti-fashiste është padyshim meritë e politikës anglo- amerikane, por dhe partizanëve shqiptarë që ilustruan betejën kundër fashizmit, me aq mundësi sa patën. Dhe normalisht pushteti u takon fitimtarëve, që në këtë rast ishin komunistët.

Debati është hipokrit dhe mbahet në këmbë vetëm nga disa ithtarë të Sali Berishës, të cilët vuajnë kompleksin e të qenit komunistë dhe janë më shumë përgjegjës për diktaturën dhe aspak kontribues për çlirimin.

Vet Sali Berisha e ka pranuar zyrtarisht 29 nëntorin si datë të çlirimit dhe kur ka ri-ardhur në pushtet më 2005. Ai nuk e ka ndryshuara atë, por thjesht vet e ka festuar më 28 nëntor.

Prandaj në këtë pikë nuk ja vlen të debatohet. Dhe për ta ilustruar gjithë këtë hipokrizi, vlen dita e sotme në Shkodër.

Benet Beci, kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës shkoi e nderoi ditën e Çlirimit me një kurorë me lule, për herë të parë në historinë e një qyteti që ka 32 vjet i pushtuar nga berishizmi, duke shënuar kështu çlirimin e Shkodrës nga berishizmi.

Babai i Benet Becit, gjuhëtari dhe akademiku i njohur Bahri Beci, ka dhënë shumë argumente në veprën e tij se gjermani i fundit nuk ka ikur nga Shkodra më 29 nëntor dhe se ai nuk ndjehej mirë që 29 nëntori ishte datë e Çlirimit pasi përkonte me Konferencën e AVNOI të Jugosllavisë.

Por kjo nuk e pengon të birin e tij të nderojë ditën e Çlirimit si përfaqësues i shumicës së shqiptarëve normalë.

Kundër tij ka dalë shefi i kabinetit i Partisë Demokratike, Akil Kraja, babai i të cilit ka qenë oficer i lartë Sigurimi në Durrës deri në vitin 1990 dhe ka futur njerëz në burg në emër të komunizmit.

Natyrisht i biri s’ka përgjegjësi për atë që ka bërë i ati, por kjo këmbëngulja e tij për të mos pranuar 29 nëntorin si ditë që solli në pushtet babain e tij oficer Sigurimi, natyrisht është hipokrizi.

Gjykoni vet tani se çfarë është në thelb debati për 29 nëntorin. Për një palë, atë humbëse, sot është debat i dhimbshëm, për "Berishën" e fundit që ka ikur nga Shkodra(bashkia), për pjesën tjetër është festë për çlirimin e Shkodrës nga berishizmi. /Tema/

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mark: 30/11/2023 00:57

    Eshte kaq tronditese dhe e thelle injoranca deri ne arrogance hipokrizie kur per shkak te verberimit ndaj udheheqsit lakuriq shkon der atje sa thote se "fitimtaret e luftes ishin komunistet dhe pushtetin do ta kishin ata". Fitimtare te luftes kunder nazi-fashizmit ishte populli i Shqiperise dhe levizja e tij nacional clirimtare. Kishte dhe nje shtab ku kreu i partise komuniste kishte pozicionin e sekretarit. PK nuk mori pushtetin se fitoi luften. Por fitoi zgjedhjet me ate qe quhej "fronti demokratik". Packa se me terror, vrasje dhe burgosje vendosi kontroll total mbi kuvendin. Njesoj si trashegimie e re sot por me metoda "moderne". Eshte kaq qesharake formesimi i konceptit "berishizmi" ose devijances nga Partia Meme dhe Enverizmi qe perben kercenim per pahallaret e kuq sidomos kryepyken Rama. Ndaj edhe thirrja qe rivjen fuqishem nga Kisha Katolike e Shqiperise eshte me shume se kurre domethenese per te shpetuar dhe shkeputur shoqerine tone nga mentaliteti korrupto-kriminal komunisto-enverist.

    Përgjigju
    • Fatmir: 30/11/2023 13:12

      Më vjen keq zotëri që tregohesh naiv e i paditur deri në idiotësi. Fronti demokratik nuk egzistonte më që nga koha kur u prish marëveshja e Mukjes. Duam apo sduam, luftën e udhëhoqën komunistët, të cilët përbënin pjesën dërmuese të rezistencës antifashiste. Duam apo sduam ata ishin fitimtarët. Juve ju vjen keq për konceptin "berishizëm", të cilën e quani edhe qesharake. Por të gjithë e dimë në Shqipëri se është vetëm ky individ që bëri të mundur të krijojë një debat kaq të stërzgjatur, të pavlerë , por vetëm për interesa të tij, mbi datën e çlirimit të vendit tonë. Po të keni njohuri elementare mbi këtë temë do të duhet ta dinit se data e çlirimit përbën vetëm një simbolikë, sikundër me të drejtë thotë edhe shkrimi. Se cila duhet të jetë ajo datë simbolike e vendosin vetëm fitimtarët. Ka shumë shembuj, por po të rikujtoj datën e rënies së nazizmit e cila është përcaktuar 9 Maj 1945. Sepse në këtë ditë u ngrit flamuri çlirimtar mbi Rajshtag. Por ne dimë mirë se edhe pas kësaj date pati luftime deri në çlirimin e plotë, pa përmendur se një pjesë e boshtit në lindjen e largët, siç ishte Japonia, nuk ishte dorëzuar ende dhe vazhdonte luftimet me trupat amerikane, apo jo?

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?