Në fillim u shfaqën ata që e kishin seriozisht garën si të pavarur. Pastaj pak nga pak ata që filluan të besojnë tek vetja dhe në fund ata që beson familja e Berishës se duhen përdorur në këtë fushatë.
Brenda dy ditëve, aq sa Berisha i ka lënë kohë kandidatëve të pavarur që të vetofrohen për Tiranën, numri i kandidatëve do të jetë më i madh se numri i anëtarëve të Kryesisë së PD.
Kjo është gjë e mirë, pasi Kryesia e PD do ta ketë të vështirë të zgjedhë se kush është më i miri prej tyre dhe do propozojë “primare” mes tyre, se kush merr më shumë vota.
Primaret do të organizohen brenda javës, pasi nuk ka shumë kohë për t’u vonuar, por bashkë me këta që u vetofruan do të futen edhe kandidatët që ofrojnë partitë e tjera opozitare.
Nëse ky kusht pranohet, atëherë vonë që vonë, duhet të përfshihen edhe kandidatët që janë vetofruar nga brenda PD.
Kështu, në fillim të javës tjetër mund të kemi një listë të gjerë me kandidatë nga tre kategori:
E para, këta që u vetofruan si të pavarur,
E dyta, ata që ofrohen nga partitë e tjera opozitare,
E treta, ata që vetofrohen nga PD.
Pasi të aprovohen listat dhe të përgatiten fletët e votimit, do të fillojë votimi në primare.
Zgjedhjet do të jenë të rregullta, pasi në traditën e partive të tjera opozitare, përveç PD, nuk ka ankesa për vjedhje votash. Kështu që ata do rrijnë vigjilentë.
Në përfundim të votimit, natyrisht që kandidati më i votuar pritet të jetë ai që ofrohet nga PD. Por mbi PD ka një ofrum tjetër që është sponsori i PD, dhe në këtë rast, kandidati fitues do të shpallet ai që ofrohet nga borderoja e Shkëlzenit.
Pas kësaj, gjithë kandidatët e tjerë do të japin fjalën se do të mbështesin kandidatin fitues të primareve.
Në këtë mënyrë edhe opozita bashkohet më shumë rreth PD-së, dhe PD bashkohet më shumë rreth Berishës. Edhe Berisha vazhdon të mbështetet dhe më shumë te fëmijët. Pra kemi një proces të vërtetë konkurrues dhe përbashkues para zgjedhjes së kandidatit, proces i cili do mbahet mend gjatë: se si i hoqi PD-së edhe turpin që të mos kandidojë në zgjedhje, edhe përgjegjësinë për rezultatin.
Sipas asaj që duket nga gara, Berisha ia doli t’i poshtërojë ata që e kishin seriozisht ofertën e tyre si kandidatë të pavarur, duke nxjerrë më shumë kandidatë për Bashki se sa ka komisionerë në Tiranë.
Dhe që të jetë kuptimplotë e gjithë komedia, përballë regjimit të Edi Ramës, është mirë të jetë ai humoristi që imiton Edi Ramën, pasi ai plotëson shumë kritere: është dhe i pavarur, dhe disident i Lapajt, dhe i punësuar te Shkëlzeni, dhe është i famshëm se ka imituar Edi Ramën, pra e njeh atë në detaje. Kështu shqiptarët do të zgjedhin mes kopjes dhe origjinalit. Por gjithnjë duke qeshur./Tema
Komente
