Ilir Meta dhe Sali Berisha

Mero Baze: Tani e dimë përse është ndarë opozita

21 Tetor 2022, 19:47| Përditesimi: 21 Tetor 2022, 19:50

  • Share

Në kulmin e retorikës së “bashkimit” të PD, në fakt ndodhi dhe ndarja më e madhe e tyre. 25 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike votuan ndarazi nga Sali Berisha dhe mbështetës të tij, rreth një ligji për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.

Ndarja në të vërtetë është reale dhe më e thellë se kaq, dhe ajo tregon qartë se mbi çfarë vlerash mund të bashkohet opozita, apo për çfarë mund të ndahet ajo.

Votimi për ligjin e dosjeve, siç i thonë shkurt, tregon se opozita ka humbur shansin të bashkohet mbi anti-komunizmin, që aq shumë e përdor si retorikë këto 32 vjet. 

Votimi dëshmoi se Sali Berisha nuk ka asgjë të përbashkët me bazën ideologjike të asaj partie, me hipotekën politike të njerëzve që kanë vuajtur nga Sigurimi i Shtetit, dhe të vetmen keqardhje në misionin e tij, ai e ka për të kundërtën e tyre, për shërbëtorët e diktaturës.

Votimi ka vizatuar përfundimisht me kë të bashkohet apo ndahet Sali Berisha në të ardhmen. Ai provoi me fakte se është i gatshëm për t’u bashkuar me Ilir Metën apo grupin e njerëzve që kanë frikë nga hapjet e dosjeve, por jo me pjesën tjetër të Partisë Demokratike, e cila kërkon ndarjen përfundimtare të shqiptarëve nga periudha e komunizmit.

Votimi ka futur në një spirale dyshimi dhe vet raportet e Berishës me Ilir Metën, nën paranojën nëse Berisha është i pafuqishëm, apo është treguar i pabesë me partnerin tij politik, duke bërë 97 vota kundër tij për hapjen e dosjeve.

Miti i derisotëm i fuqisë politike të Berishës në opozitë, ra dje në Parlament, kur një shumicë kushtetuese përballë tij, tregoi se fati i partnerit të tij politik, madje dhe vet atij, në raport me ligjet speciale të dekomunistizimit, është në duar të kundërshtarëve të tyre.

Vendimi i mbështetësve të Lulzim Bashës, për të dëshmuar vijën e kuqe për Sali Berishën, përtej së cilës ata nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të, e turpëron Sali Berishën, turpëron demokratët që mbështesin një ish- komunist, që tani është peng i një ish- spiuni të Sigurimit, turpëron ata tipat e zellshëm si antikomunistë në krah të Berishës, që drejtojnë dhe seksionet e ish- të përndjekurve politikë, dhe mbi të gjitha, turpërojnë fushatën e tij fals të bashkimit, duke filluar qysh sot me komandë një fushatë urrejtje ndaj pjesës më të madhe të grupit parlamentar të PD që votoi hapjen e dosjeve të komunizmit.

Të paktën prej sot e tutje të dy palët e dinë për çfarë ndahen. Ndahen për të shkuarën e shoqërisë shqiptare, për pastrimin e politikës shqiptare nga njerëzit që i kanë shërbyer diktaturës dhe mbi të gjitha, për çlirimin e politikës së sotme prej tyre.  

Përse mund të bashkohen pas kësaj nuk jam shumë i qartë. Ndoshta për të pirë kafet e vdekjes politike të viktimave të këtij ligji.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?