Kyriakos Mitsotakis

Mero Baze: Të korrigjojmë defaktorizimin politik të pakicës greke

23 Dhjetor 2022, 20:47| Përditesimi: 23 Dhjetor 2022, 20:48

  • Share

Gjëja më pozitive e vizitës së kryeministrit grek Micotaqis në Shqipëri për të takuar pakicën greke është që një vizitë kaq e e rëndësishme nuk prodhon më lajm. Normaliteti i raporteve mes dy vendeve dhe fundi i spekulimeve me problemet e mbetura përjetësisht pezull mes dy vendeve, ka prodhuar një klimë të re e cila i shërben jo vetëm pakicës greke në Shqipëri, por dhe shqiptarëve që jetojnë në Greqi.

Por përtej normalitetit të vizitës së kryeministrit Micotaqis pranë bashkëkombasve të vet në Shqipëri, ne duhet të mësohemi me idenë se pakicat duhen respektuar dhe u duhen dhënë të drejtat e tyre, jo si një mekanizëm presioni apo servilizmi ndaj vendit amë të tyre, por si një standard që e ofron një shoqëri e civilizuar.

Kam parë disa komente negative nga disa politikanë apo opinionistë që konsiderojnë komplot faktin që Micotaqis ka vizituar Himarën, të cilin ne “nuk e quajmë” minoritet. Në të vërtetë, përmes vendimeve të Berishës, që pasuan marrëveshjen me PBDNj më 2005, ka angazhim të qartë zyrtar, duke e konsideruar edhe atë pjesë të territorit minoritet, por kjo nuk ka shumë rëndësi. 

Në demokraci pakicat nuk i zbulojnë apo emërojnë qeveritë. Ajo ndodh në regjime totalitare. Në demokraci pakicat vetëdeklarohen dhe vetëndjehen si të tilla. Nuk jam i çmendur t’i hyj debatit historik çfarë janë himarjotët, a kanë ardhur nga Mirëdita nga Kruja, nga Korfuzi, Korinthi apo Progonati. Ka nga pak të vërtetë nga çdo gjë që thuhet, por e vërteta e sotme nuk është e vërteta e 500 viteve më parë. 

E vërteta e sotme është se grek është ai që ndjehet grek dhe jo ai që duam të caktojmë ne se kush është grek. Nëse duam të sillemi si vend demokratik, dhe për fat zyrtarisht po sillemi ashtu, ky debat që të diktojmë ne se kush duhet të ndjehet grek, është debat i vjetër, racist dhe problematik për demokraci të brishta si e jona. 

Aq më tepër kur këtë tendencë e kemi vetëm me pakicën greke, e cila është pakica më e madhe në vend, dhe nuk e kemi të njëjtën vëmendje kur dikush gjen një katund me origjinë serbe në Myzeqe, apo me origjinë bullgare në Devoll. 

Kryeministri Micotaqis, ka bërë një vizitë të suksesshme në Shqipëri, përfshi dhe Himarën, pikërisht se në Shqipëri nuk ka asnjë ngarkesë negative për pakicën greke. Dhe gjithnjë e më pak ka dhe ekstremistë kundër tyre në opinion publik.  

Çdo kryeministër i Greqisë ka të drejtën e tij të vijë në Shqipëri e të takojë qoftë dhe një grek të vetëm në majë të malit, qoftë ky i zhvendosur dhe në Tropojë, dhe jo më në Himarë ku kanë plot prej tyre vendlindjen e vet.

Shqipëria ndjehet e çliruar që jeton në paqe të thellë me pakicën greke dhe nuk ka asnjë shenjë racizmi ndaj tyre. Liria e pakicës dëshmon në radhë të parë lirinë e shoqërisë që jetojmë. Ajo nuk është lëmoshë, por standard që duhet të na bëjë ne në radhë të parë krenarë.

Pakica greke në Shqipëri ka ato probleme që kanë dhe shumica shqiptare. Vuajmë njësoj nga ligji i pronave, vuajmë njësoj nga korrupsioni, vuajmë njësoj nga padrejtësitë sociale, por nuk ka asnjë ligj specifik kundër tyre dhe asnjë pengesë për çdo të drejtë të tyre. 

Problemi ynë me pakicën greke në Shqipëri nuk është vetëpërcaktimi i tyre si grekë apo jo, por spekulimi politik që i ka lënë ata pa përfaqësim politik në Shqipëri. 

Prej vitit 2015, kur Vangjel Dule dha dorëheqjen nga nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë, pakica greke në Shqipëri është e papërfaqësuar politikisht në qeverisjen qendrore, në institucionet qendrore, madje dhe në Parlament, përjashtoi mandatin e Dules që ka ardhur përmes mallkimesh ndaj tij, nga mandatet e PD, dhe jo nga votat e pakicës.

Edhe gjatë komunizmit nënkryetari i Kuvendit ka qenë pjesë e pakicës greke dhe disa poste të rëndësishme publike, madje dhe akademike, i kanë mbajtur ata.

Sot ata nuk janë asgjëkundi. Qeveria mund të sforcohet dhe të emërojë pjesëtarë të pakicës greke në poste shtetërore si pjesë e Partisë Socialiste, siç dhe ka bërë. 

Defaktorizimi politik i pakicës greke, nuk vjen nga ndonjë politikë antigreke e Shqipërisë, por nga një mendësi e vjetër që ushqehet me skemat e luftës së ftohtë apo fillimviteve ‘90, kur përlesheshin me Berishën dhe kishin model patriotizmi MAVI e Belerit në Peshkëpi, apo nga krahu tjetër arrestimin e “nacionalistëve” grekë në Dropull. 

Dështimi i pakicës greke për të pasur përfaqësim politik të saj, ka ardhur nga politika e gabuar e drejtuesve politikë të pakicës greke, të cilët në formimin e tyre politik, e kanë bindje se të qenit ekstremistë i bën popullorë brenda pakicës greke. Nuk është e vërtetë.

Ajo periudhë ka perënduar, edhe pse fosile si Berisha apo Beleri tani tentojnë të përfaqësojnë politikisht pakicën greke në Shqipëri.

Në Shqipëri mund të bësh politikë si përfaqësues i pakicës greke, duke qenë mbështetës i Micotaqisit, si i djathtë, apo i Ciprasit si i majtë, por jo si i i Agimit të Artë. Qasje të tilla ekstremiste kanë bërë që Dropullin ta fitojë tradicionalisht ose Vangjel Tavo, ose Edi Rama, dhe jo Vangjel Dule, dhe Himarën pas Bollanos në aleancë me PD, të mos ta fitojë më PBDNJ. 

Defaktorizimi politik i pakicës greke nuk është një gjë e mirë. Ata nuk ndjehen keq pse përfaqësohen përmes socialistëve apo demokratëve, por një politikë më realiste e politikanëve me origjinë greke në Shqipëri, mund të bënte që ata të ishin përfaqësues politik të tyre dhe jo PS e PD.

Pakica greke në Shqipëri duhet të bëjë betejë për t’u përfaqësuar nga vlerat reale të saj, përmes të cilave realizon dhe identitetin e saj etnik dhe kulturor. Politika zyrtare e Shqipërisë duhet të ketë politika të “diskriminimit pozitiv” për të ruajtur identitetin e tyre, dhe për t’u mundësuar përfaqësimin politik normal. 

Nuk është gabim t’u japësh dhe më shumë të drejta se pjesës tjetër të popullsisë për t’u ndjerë në paqe dhe të sigurtë, por jo t’u imponosh politikanë që kanë dalë tepër dhe kanë ngel pa punë, që të duken përfaqësues të tyre. 

 

Komento

Komente

  • Mihalis: 23/12/2022 21:15

    Keni te drejte zoti Mero dhe ne nje demokraci te vertete keshtu duhet te ndodhe.Por kjo gje ndodh dhe ne Greqi, Ku si qeveria e Cipres ashtu dhe ajo e Micotaqis mbajne qendrim diskriminues ndaj shqiptareve sidomos ne lidhje me pensionet.Qeveria Cipra vuri kushtin qe per te perfituar shqiptaret dhe te tjere me origjine jo greke pensionin kombetar te plote duhet te plotesojne kushtin e qendrimit ne Greqi prej 40 vjetesh dhe Micotaqis e zbaton kete per shqiptqaret e te tjere si ata,duke e ndryshuar kete kusht vetem per vorioepirotet dhe pontet ruse,qe i konsideron greke,per te cilet tani e tutje kerkon 30 vjete,pavaresisht se e di mire se kufijte jane hapur perpara 30 vjetesh.Dhe kjo behet qellimisht per te diskriminuar ata qe jane me origjine jo greke dhe kete e bejne me ligj.Kurse ne Shqiperi nuk ka ndonje ligj qe te diskriminoje ne kete menyre minoritaret e quajtur ndryshe vorioepirote nga Greqia.

    Përgjigju
    • Gjergj: 24/12/2022 12:06

      @Pjetèr. Me tipa "tè pavarur" si Ymeri, me formatin e jargès karshi atij qè i hedh dy thèrrime dhe kèta lèpijnè,,shqiptarèt jo vetèm u mèsuan por edhe janè neveritur. Kjo neveritje e masès, do u kthehet si bumerang nè fytyrè kètyre fugurave tè sè kaluarès sè herèt shqiptare dhe atyre qè pèr momentin, janè thèrrimehedhèsit e Ymerit dhe sojit tè tij. Koha e Ymerève, ka mbaruar nè Shqipèri. Faleminderit pèr asgjè, i thonè kèsaj.!!!

    • Pjeter: 24/12/2022 09:08

      Fiks Mihalis,ne gjithmone mundohemi te jemi me katolike se papa,dhe ky editoriali i Meros nuk ben perjashtim,pa çka se koleget e Meros suksesit te visites se Miçotaqit,i vune nje bisht,ate te presidentit tone si " ish ushtarak nacionalist",apo asgjeja e Meros pertej dialektikes lokale me Bejlere e Avdullanj,kur e di mire qe ata jane qirinj te shkrire e te fikur edhe ne Greqi tashme,e problemi i oakuces greke ne Shqiperi nuk eshte vetem pasoje e tyre por edhe nga orekset e fshehura te atyre ne Greqi!!! Nuk te bejne me nacionalist se koleget pordhemedhenj te Meros ne Greqi po i ekulibrove pergjigjet qe duhet te marrin akuzat e tyre,dhe nuk ndes ndonje fitil nacionalizmi po te jesh aktjv ne mbrojtjectecinteresit kombetar ashtu si bejne edhe ata !!!Roli i medias nuk eshte vetem te ri botosh ate çka shkruajn mediat greke,apo te trasformohesh ne "biograf" te Albin Kurtit,eshte edhe te shprehesh mendimin tend rreth temes qe trajtojne koleget greke,e mbi te gjitha te mbrosh interesat kombetare,por kjo nekupton qe mund te hysh nen persekutimin e grekeve si gazetar,e ky eshte nje problem qe Mero preferon te mos e trazoje.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?