Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Mero Baze: Të zhgënjyerit nga Albin Kurti në Tiranë

21 Qershor 2022, 20:03| Përditesimi: 21 Qershor 2022, 20:07

  • Share

Ka një zhgënjim nga mbështetësit e Albin Kurtit në Shqipëri, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Prishtinë, të cilën e quajnë si rast të humbur të Albin Kurtit për të mundur Edi Ramën dhe Qeverinë e Shqipërisë .

Zhgënjimi i ka rrënjët tek bindja që kanë krijuar opozitarët e Shqipërisë se, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kanë Qeverinë e Shqipërisë një armik ideologjik të tyre,  për shkak të aleancës që patën vendosur më 2019 me Sali Berishën dhe Ilir Metën, duke u rreshtuar bashkë me ta në një front opozitar.

Bënë sa mundën të shpikin një bisedë qesharake në Ohër, kur një njeri i Berishës kishte dëgjuar Edi Ramën se do rrëzonte Albin Kurtin. Edhe pse fantazia dukej shumë e nivelit te Çim Pekës, kishin besim që do ta ndërsenin Albin Kurtin kundër Shqipërisë, në Prishtinë. Nuk po flas për Vjosa Osmanin, se ajo është 24 orë e eksituar kundër Shqipërisë.

Aleanca e panatyrshme e Albin Kurtit me Berishën dhe Metën buronte nga arsye të ndryshme nga të dy palët. Berishës dhe Metës i duhej Albini si një luftëtar fitimtar në Prishtinë me flamurin antikorrupsion, ndërsa Albinit i duhej Berisha dhe Meta si aleatë kundër Edi Ramës, me qëllim që të mos kishte në hapësirën shqiptare dikë që e rivalizonte sipas mendjes së tij.

Deliri i tij për t’u bërë një lider mbarëkombëtar, e shikonte Berishën dhe Metën si mekanizëm për të krijuar një pushtet të vetin në Shqipëri.

Për këtë arsye ai e injoroi faktin që Qeveria e cila premtonte se do të luftonte korrupsionin në Prishtinë dhe do të bënte betejë me oligarkët, hyri në aleancë politike me dy figura simbol të korrupsionit në botën shqiptare, njëri prej të cilëve, Sali Berisha është i damkosur familjarisht nga SHBA si i përfshirë në korrupsion madhor, bashkë me gruan dhe fëmijët.

Por Albin Kurti e humbi atë betejë më keq se Berisha e Meta. Por opozitarët e Shqipërisë para se të zhgënjehen nga Albin Kurti që nuk e mundi dot Edi Ramën, duhet të zhgënjehen nga udhëheqësit e tyre, të cilët janë mundur tri herë rresht nga Edi Rama, dhe nuk i dihet fundi.

Albin Kurtit, Berisha e Meta i duheshin që t’iu nxirrte Edi Ramën nga skena politike, nuk i duheshin për të ardhmen e Shqipërisë apo opozitës shqiptare.

Tani opozita shqiptare ka rizgjedhur në krye të opozitës një person “non grata”, të akuzuar për korrupsion madhor familjarisht nga SHBA, që është në aleancë me Ilir Metën, dhe pretendon që kundërshtarin në Tiranë t’ua mundë Albin Kurti.

Zgjedhin në krye të opozitës një garniturë anti-perëndimore dhe anti-amerikane dhe kërkojnë nga Albin Kurti të jetë refuzues ndaj politikave të SHBA dhe BE në Kosovë, me qëllim që të bëhet i ngjashëm me këta si dele e zezë e Perëndimit. 

Kështu që këta të zhgënjyerit e Shqipërisë, nuk është se adhurojnë Albin Kurtin, por nga që “shkopi i tyre është i zhytur i tëri në mut” dhe s’ke ku ta kapësh, shpresojnë të përdorin Albin Kurtin si një shkop që duhet t’ua mundë këtyre Edi Ramën.

Më lehtë e kanë të flakin shkopin e ndotur të halesë së tyre, se sa të bëjnë dhe Albinin të ngjashëm me të.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbërori: 22/06/2022 02:40

    Baze ti je përqarës dhe je antishqiptarë ! Turp

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?