Mero Baze: T'i marrësh 'borxh' Gaz Bardhit protestuesit kundër Blinkenit

21 Shkurt, 20:18| Përditesimi: 21 Shkurt, 20:24

  • Share

Ka një ndryshim të fortë të mënyrës se si e ndolli Berisha protestën në emër të “bashkimit’ dhe si e shiti pastaj, si protestë kundër sekretarit Blinken dhe SHBA.

Para protestës tha se kjo protestë bëhet për të festuar bashkimin e opozitës dhe të vërtetën e dënimit të tij. Gazetarë të tij e përsëritën qartë këtë në komentet e tyre televizive apo në portale. 

Pas protestës e ndryshoi “motivin”. Të njëjtët menjëherë e konsideruan protestën një përgjigje për vizitën e sekretarit Blinken, që mbështeti regjimin e Tiranës dhe injoroi Berishën. 

Ashtu si u maskua për gati dy vjet duke sulmuar Lulzim Bashën si besëprerë për të maskuar betejën me SHBA, tani po përpiqet të bëjë të kundërtën. Po përpiqet të festojë bashkimin me Gazment Bardhin, dhe ta paraqesë dhe këtë si një protestë kundër SHBA, meqë Bardhi preu në besë SHBA për të.

Në të dyja rastet ne e dimë ku e ka hallin. Hallin e ka tek SHBA dhe aty është i sinqerte. Është në të drejtën e tij të bëjë luftë me ta, se e kanë turpëruar në pleqëri duke e  sanksionuar si hajdut familjarisht, si minues të demokracisë dhe shantazhues të sistemit të drejtësisë.

Por betejën me të duhet ta bëjë hapur, jo herë duke u fshehur pas Lulzim Bashës si besëprerë i tij, në favor të SHBA, e herë duke u fshehur pas Gazment Bardhit si besëprerë i SHBA, në favor të tij.

Ai e ka tani një fraksion anti-amerikan të vendosur në opozitë dhe mund t’i gëzohet kësaj arritje të tij. Edhe për Shqipërinë është më mirë një fraksion ant-iamerikan legal, i sinqertë, në rrugë institucionale, që përfaqësohet prej tij, se sa njerëz arrivist që flasin në emër të SHBA , shkojnë e bëjnë foto në SHBA dhe thonë jemi njerëz të amerikanëve në politikë, për t’i shpëtuar gjyqeve, për të marrë ndonjë votë, apo për të shantazhuar Berishën t’i fusë në listë.

Kjo ëndrra e tij që Shqipëria të vërshojë në rrugë kundër Blikenit nuk do të realizohet kurrë. Nuk ka pse e pretendon atë. Ndaj Blinkenit mund të protestojnë vetëm njerëzit e tij, ithtarët e bindur të tij, që e kanë lidhur fatin politik me të. 

Dhe nuk e kuptoj pse Berishës i duhet të thotë që kishte pjesëmarrje të lartë, pasi njerëzit tani janë të numërueshëm. Atij i bëjnë punë dhe 30 vetë poshtë penxheres, e jo më 3 deri 4 mijë vetë në bulevard. 

Në fund të fundit, ai e di që nuk i shkojnë qytetarët në protestë. 

Kur shkojnë qytetarët, protesta është e popullit, nuk është më e tij. Ai nuk ka nevojë për protesta të popullit. Ai do protestat e “popullit” të tij. Dhe ata që ishin dje, janë populli i tij.

Nëse ai do të ishte i bindur që do t’i dilnin ata 3 deri 4 mije vetë, mund ta thoshte më parë që këtë protestë e kemi kundër sekretarit të Shtetit. Nuk është pak të nxjerrësh 4 mijë vetë kundër sekretarit të Shtetit. Problemi është që ai beson se njerëzit e tij gëzohen më shumë që u ka shkuar Gazi dhe Salianji, se sa mërziten që ka ardhur Blinken në Shqipëri. 

Edhe për këtë i duhet që për të sulmuar Blinkenin, t’i marrë “borxh” Gaz Bardhit protestuesit, që festonin rikthimin e tij tek burri i parë./Tema

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?