Tri opozitat shqiptare po përpiqen të luftojnë njëra- tjetrën në emër të bashkimit. Sali Berisha, i cili kërkon të dominojë të tri opozitat, pasi dështoi të shkarkojë Enkelejd Alibeaj nga kreu i grupit parlamentar, po përpiqet të flasë për një opozitë që de facto është e bashkuar, por që këta që e pengojnë, dmth. rreth 30 deputetë, janë thjesht numra.
Duke dështuar në shkarkimin e Alibeaj, ai po përpiqet të ngrejë stekën e retorikës politike, duke folur për përmbysje të Edi Ramës, dënime të tij, deri dhe makrabitete, me qëllim që vëmendja e demokratëve të s'postohet nga ajo çfarë nuk i bëri dot Alibeajt, tek ajo që “do t’i bëjë Edi Ramës’”. Kështu mendon se ka më shumë njerëz me vete dhe nuk bie dot në sy fakti që ai nuk mund dot as Aliabej. Ilir Meta, i dëshpëruari i dytë i madh i opozitës, me dy çështje të hapura në SPAK dhe me një dosje që pritet t’i lexohet publikisht si bashkëpunëtor Sigurimi, po ashtu ka vendosur ta gjejë shpëtimin tek Edi Rama.
Ai i është kthyer fjalorit të të fortit, duke pretenduar se “do e këpusë në mes”, “do ta palosë”, “do ta varrosë”, “do ta murrosë” etj, me qëllim që askush të mos e pyesë i shqetësuar se çdo bëhet me dosjet e tua, si hajdut dhe spiun. Ai mendon se duke degraduar gjuhën ndaj Edi Ramës, arrin t’i fshehë problemet e veta. Opozita e tretë, e cila ka vendosur të presë gjyqin në apel, për t’u quajtur PD apo për të bërë grupim të ri, ka vendosur t’i vërë në provë dy opozitat e tjera me nisma ligjore.
Njëra është ajo kundër bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, tjetra është përfshirja në reformën elektorale për ndarjen e re zonale të bashkive. Me nismën e parë, sipas një projektligji hartuar nga Alibeaj, është e qartë se një prej opozitave, ajo e Ilir Metës, do jetë armike e saj, kurse tjetra, ajo e Sali Berishës, do të jetë dy herë armike, pasi do t’i tregojë edhe Ilir Metës që nuk e ndërron kurrë me opozitën e Alibeajt.
Nisma tjetër, ajo për ndarjen zonale, në fakt mund të dështojë, nëse të tri opozitat kanë secila versionin e saj dhe mund të mbetet kjo që është në fuqi. Në këtë pikë, përpjekja e disa deputetëve që flasin për kandidatë të përbashkët opozitarë, vlen si provokim për të vënë në rresht Berishën e Metën pas Alibeaj, por nuk realizohet dot praktikisht. Nëse PD ligjërisht i mbetet grupit Alibeaj, në Shqipëri do përsëritet skema e 6 marsit. Në të kundërt, do të kemi një parti të re opozitare, e cila për t’u provuar sa fuqi ka, duhet të konkurrojë.
Pra në të gjitha variantet, tri opozitat shqiptare nuk i bashkon dot Edi Rama, apo inati me të. Sado i egër të jetë fjalori i Sali Berishës ndaj Ramës, sado vulgar të jenë të sharat prej të çmenduri të Ilir Metës, apo kundërshtitë ligjore të Alibeaj, Edi Rama është i pafuqishëm për t’i bashkuar të tri bashkë kundër vetes. Madje dhe gjuha e egër kundër tij, nuk vjen nga ndonjë aksion konkret kundër tij, por nga nevoja e Berishës dhe Metës të mbulojnë dështimet e tyre.
Meqë njëri nuk mund dot Alibeaj si kryetar grupi e tjetri tërbohet pse Alibeaj paraqet ligj kundër spiunëve, bëjnë sikur do vrasin Edi Ramën, që të kënaqin fantazinë e mbështetësve të tyre dhe të mos kuptohet që nuk mundin dot Alibeajn. Në fakt, thjesht janë duke vrarë njëri- tjetrin në opozitë, me emrin e Edi Ramës në gojë, si heronjtë e heshtur të tij.