Kronikë

‘Merr 2000 lekë mos më vër gjobën’/ Hiqen 57 patenta, arrestohen 14 shoferë, ndëshkohen 2345 të tjerë për shpejtësi të lartë dhe manovra të rrezikshme

1 Korrik 2021, 16:55| Përditesimi: 1 Korrik 2021, 17:42

  • Share

TIRANË- 14 shoferë të arrestuar, pasi ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor ditën e sotme, e sikur kjo të mos mjaftonte, 2 prej tyre kanë tentuar që të korruptojnë Policin duke i dhënë para për të mos i gjobitur. Bëhet fjalë për një 40-vjeçar që ishte i pirë në timon dhe një 21-vjeç që qarkullonte me shumë shpejtësi si edhe nuk kishte siguracion. Ky i fundit, mes të tjerave, po lëvizte me shpejtësi pas një ambulance me qëllim që të me qëllim që të kalonte semaforët dhe shmangien e trafikut.

“Goditen nga Policia Rrugore e Tiranës, dy raste të mitdhënies. Si rezultat janë arrestuar në flagrancë 2 drejtuesit e mjeteve, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, konkretisht shtetasit:  K. H., 40 vjeç, i cili drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit, në rrugën “Jordan Misja”, dhe për të shmangur masën administrative, iu ka ofruar punonjësve të Policisë Rrugore, një kartëmonedhë me prerje 2000 lekë;  D. I., 21 vjeç, i cili qarkullonte me shpejtësi në bulevardin “Zhan D’ark”, pas një autoambulance, me qëllim që të kalonte semaforët dhe shmangien e trafikut. Pas kontrollit nga Policia Rrugore rezultoi se mjeti ishte i papajisur me siguracion. 21-vjeçari, për të shmangur masën administrative, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore, duke iu ofruar një kartëmonedhë me prerje 2000 lekë”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër, një bilanci i rënduar është edhe i patentave të pezulluar, që sot janë hequr 57 leje drejtimit, teksa janë gjobitur dhe 2345 të tjerë.

“Janë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë pezulluar gjithsej 57 leje drejtimi, nga të cilat 38 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 19 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Gjithashtu  janë ndëshkuar me masë administrative 2345 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse, mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë”, njofton Policia.

Policia ka një apel për shoferët, nisur edhe nga fakti që ditëve të fundit ka pasur një numër të lartë të aksidenteve që ka përfunduar edhe tragjikisht. 

“Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri", njofton Policia.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?