Presidenti Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Austrisë,Christian Steiner, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Meta i uroi Steiner suksese në misionin e tij në Shqipëri, në dobi të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.
Ai falenderoi për mbështetjen që Austria vijon t‘i japë procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë që ka angazhimi konstruktiv i çdo aktori institucional në detyrimet që ka për zbatimin e 15 prioriteteve të BE-së, që kushtëzojnë procesin e negociatave të anëtarësimit, përfshi përfundimin sa më parë të reformës zgjedhore në Këshillin Politik dhe miratimin e saj në Parlament, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
“Realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, si dhe progresi i besueshëm në të 15 prioritetet e BE-së, do të ndihmonin edhe Austrinë të kishte argumente më shumë në favor të Shqipërisë në kuadrin e debatit në BE”, u shpreh Presidenti Meta.
Presidenti Meta e falenderoi veçanërisht ambasadorin Steiner edhe për ndihmat dhe asistencën e ofruar nga autoritetet austriake pas tërmetit tragjik që goditi vendin tonë nëntorin e kaluar, si dhe ato për përballimin e Pandemisë COVID-19.
Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunim efektiv dypalësh midis agjencive të zbatimit të ligjit të dy vendeve tona, dhe inkurajoi forcimin e mëtejshëm të tyre. Presidenti Meta shprehu kënaqësinë për trendin pozitiv në shkëmbimet ekonomike e tregtare dypalëshe, vlerësoi asistencën austriake në edukimin professional, si dhe kërkoi që eksperienca e shkëlqyer e shkollës së mesme profesionale të Shkodrës të shtrihet edhe më gjerë në vendin tonë.