PROFILI/ Merr detyrën kreu i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Tarran: Pres me padurim të punoj krah partnerëve shqiptarë

22 Maj, 11:51| Përditesimi: 22 Maj, 14:38

  • Share

Michel Tarran, një diplomat francez me shumë përvojë, ka marrë detyrën si Kryetar i ri i Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Në fjalën e tij të parë ai ka deklaruar se mezi pret të punojë krah partnerëve shqiptarë.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur, si profesionalisht edhe personalisht, të kthehem në Shqipëri si Kryetar i Prezencës së OSBE-së, një organizatë që ka kontribuar kaq shumë për zhvillimin e këtij vendi të bukur. Pres me padurim të punoj me ekipin tim të mrekullueshëm dhe krah për krah partnerëve shqiptarë”, tha Tarran.

Më parë, ai ka shërbyer si ambasador i Francës në Taxhikistan (2020-2023). Ndër pozicionet e tjera që ka mbajtur janë zëvendësambasador në ambasadën e Francës në Tunizi (2009-2013); zëvendësambasador në ambasadën e Francës në Letoni (2005-2009); zëvendëszëdhënës në Ministrinë franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme (2002-2005); këshilltar politik i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK (2001-2002); dhe drejtues në detyrë e më pas zëvendësdrejtues i Zyrës franceze të Ndërlidhjes në Kosovë (1999-2001).

Më 1999, ambasadori Tarran shërbeu si këshilltar politik në Konferencën e Rambujesë për Kosovën dhe, më pas, në ambasadën franceze në Shqipëri për çështjen e refugjatëve kosovarë. Nga shtatori 1994 deri në gusht 1998, ai ka qenë atashe për Kulturën, Shkencën dhe Bashkëpunimin në ambasadën franceze në Shqipëri. Përveç gjuhës mëmë franceze, ai flet shqip, anglisht dhe rusisht. 

Në këtë post Tarran do të zëvendësojë Clarisse Pasztory, e cila mbante përkohësisht detyrën e Prezencës së OSBE-së.

Kryetarë të mëparshëm të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Qershor-dhjetor 2023: Bruce G. Berton (Shtetet e Bashkuara të Amerikës)

2022-2023: Guido De Sanctis (Itali)

2020-2022: Vincenzo Del Monaco (Itali)

2016-2020: Bernd Borchardt (Gjermani)

2013-2016: Florian Raunig (Austri)

2010-2013: Eugen Ëollfarth (Gjermani)

2007-2010: Robert Bosch (Vendet e Ulëta)

2004-2007: Pavel Vacek (Republika Çeke)

2002-2004: Osmo Lipponen (Finlandë)

1999-2002: Geert-Hinrich Ahrens (Gjermani)

1997-1999: Daan Everts 

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?