TIRANË - Dy fëmijë kanë mbetur të lënduar pasi një bombol gazi ka marrë flakë në një banesë në kryeqytet. Emisioni 112 ishte me patrullat me Komisariatit nr. 6 në Kombinat ku edhe ndodhi kjo ngjarje dhe ju sjellim momentet nga ndërhyrja e policisë dhe zjarrfikësve.
Bombola e gazit ishte ende në flakë kur patrulla e policisë mbërrin e para në vendngjarje ndërsa efektivët largojnë qytetarët që ndodheshin pranë duke krijuar një perimetër sigurie. Në emisionin e realizuar nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri ju sjellim videon ekskluzive, nga momentet kur patrulla merr thirrjen dhe reagimin e saj në vendin e ngjarjes. Dy fëmijët 7 dhe 13-vjeç mbetën të lënduar, një prej tyre në këmbë nga xhamat e thyer pas shpërthimit të gazit dhe një tjetër u kafshua në dorë nga qeni i tij teksa po përpiqej ta nxirrte jashtë banese. Për dy të miturit u dha ndihma mjekësore nga ekipi i autoambulacës.
Konflikti për vendin e parkimit është një tjetër ndodhi që trajtojmë në emisionin e sotëm. Një person i cili kishte zënë vendin e parkimit me karrige konfliktohet me një shofer që kërkonte të parkonte aty ndërsa më pas kërkon ndihmën e policisë. Shikoni përgjatë emisionit 112 ngjarjen e plotë dhe diskutimin e efektivëve me djalin.
Një zonjë njofton policinë se ish-burri e ka kërcënuar në telefon. Patrulla me të cilën jemi ne reagon menjëherë dhe zonja u tregon efektivëve mesazhet e ish-burrit ndërsa ai e telefon kur ajo po bisedonte me efektivët. Shikoni në emisionin e plotë se çfarë ndodh në këtë rast.
Në orët e pasdites një makinë është përfshirë në një aksident me disa makina të tjera tek mbikalimi i kthesës së Kamzës ndërsa më pas shoferi është larguar nga vendi i ngjarjes. Qytetarët telefonuan policinë dhe dhanë të dhënat për mjetin ndërsa për shkak të trafikut arratia e këtij shoferi zgjat vetëm 200 metra. Ai u kap nga efektivët e Policisë Rrugore panë rrethrotullimit të Sheshit Shqiponja. Në emisionin ju sjellim momentet e ngjarjes ndërsa ky shofer u shoqërua në Komisariat pasi ishte në gjendje të dehur.