Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë prezantimit të koalicionit

Bota

Merr fund epoka e 'Gruas së Hekurt', arrihet marrëveshja për koalicion në Gjermani, Olaf Scholz zyrtarisht kancelar

24 Nëntor 2021, 16:38| Përditesimi: 24 Nëntor 2021, 17:18

  • Share

GJERMANI- Angela Merkel pas 16 vitesh në detyrë do të zëvendësohet nga socialdemokrati Olaf Scholz, i cili ditën e sotme ka arritur koalicionin, duke u bërë zyrtarisht kancelari gjerman.

Pothuajse dy muaj pasi partia e tij Socialdemokrate fitoi zgjedhjet federale, Olaf Scholz, 63 vjeç bëri me dije se e ka arritur një marrëveshje me Partinë e Demokratëve të Lirë dhe Partinë e Të Gjelbërve

“Ne duam të guxojmë të arrijmë më shumë progres. Ne do të investojmë masivisht në Gjermani për ta mbajtur të përparuar”, tha Scholz në një konferencë në Berlin.

SPD, të Gjelbrit dhe FDP në një konferencë për shtyp paraqitën ditën e sotme pikat e forta dhe sunimet që kanë për udhëheqjen e Gjermanisë. Sipas marrëveshjes 177-faqëshe, tre partitë kanë vendosur theksin tek mbrojtja e klimës, ku synohet të hiqet dorë nga përdorimi i qymyrit deri në vitin 2030. Ata gjithashtu do të kërkojnë të përdorin 2% të territorit gjerman për ta shfrytëzuar për energjinë e erës dhe të fokusohen gjithashtu në energjinë e bazuar në hidrogjen. Deri në vitin 2030, palët duan që 80% e energjisë elektrike të sigurohet nga energjia e rinovueshme dhe 15 milionë makina elektrike të jenë në rrugët gjermane.

Gjithashtu partitë kanë plane për legalizimin e shitjes së kanabisit në ambiente të licencuara, me kontrolle për cilësinë dhe shpërndarjen e drogës.

Ky koalicion do të përballet me sfida të menjëhershme pasi Gjermania po përballet me një nga valët më të mëdha të COVID-19. Fillimisht, Scholz mbajti një deklaratë për gjendjen e pandemisë së në Gjermani. Ai u shpreh në favor të një vaksinimi të detyrueshëm anti-COVID për personat që shërbejnë në disa institucione që strehojnë grupe me rrezik të lartë infektimi.

"Vaksinimi është zgjidhja për të dalë nga kjo pandemi. Në institucionet ku ka veçanërisht grupe vulnerabël, duhet ta bëjmë të detyrueshëm vaksinimin", u shpreh kancelari.

Scholz bëri me dije se Qeveria e ardhshme do të formojnë një organ këshillues ekspertësh, i cili do të informojë çdo ditë administratën për pandeminë. Ai theksoi se punonjësit shëndetësor do të përfitojnë rritje page. Për këtë partitë e koalicionit të ri kanë parashikuar 1 miliradë euro.

Gjermania është ekonomia më e madhe e Evropës, kështu që vendimet e marra nga qeveria e re do të kenë një efekt të madh tek fqinjët e saj.

"Sovraniteti i Evropës është një gur themeli i politikës sonë të jashtme", tha Scholz.

Olaf Scholz tha se politikën e jashtme Gjermania do ta zhvillojë në miqësi me Francën dhe në partneritet me SHBA.

"Veçanërisht bashkëpunimit me SHBA i kushtojmë rëndësi të madhe, në botën që është bërë multipolare" tha ai.

Qeveria e re pritet të bëjë betimin gjatë javës së 6 dhjetorit. Para kësaj, marrëveshja e koalicionit duhet të miratohet në konferencat e partisë SPD dhe FDP, ndërsa të Gjelbrit do ta hedhin në votim të anëtarëve, një proces 10-ditor që pritet të nisë të enjten.

Social Demokratët fituan në zgjedhjet e 26 shtatorit, përpara aleancës kristiandemokrate të zonjës Merkel, e cila pa rezultatin e saj më të keq të zgjedhjeve ndonjëherë. Të Gjelbrit arritën rezultatin e tyre më të mirë ndonjëherë, nën kandidaten Annalena Baerbock.

Ora 16:55
Kush është Olaf Scholz, kancelari i ri i Gjermanisë

Olaf Scholz, 63 vjeç, një socialdemokrat i thekur në Osnabrück u rrit në Hamburg. Scholz për një periudhë të gjatë ka shërbyer si kryebashkiak i Hamburgut dhe deri më tani mbante postin e ministrit të Financave, në kabinetin e drejtuar nga Merkel. Shpeshherë është konsideruar si robot, për mënyrën e tij sesi dhe flet dhe reagon, jo rrallëherë pa emocion…

Për shumë vite Scholzin, e ndoqi nofka "Scholzomat", një lojë fjalësh e përbërë nga "Scholz" dhe "Automat". Gazeta e përjavshme "Die Zeit" e krijoi termin në 2003, sepse Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i SPD, Olaf Scholz, gjithmonë dukej si një makinë, kur shfaqej në publik. Kur e pyesnin Scholzin, ai përgjigjej vetëm me formula teknokratike, të cilat i përsëriste vazhdimisht.

Gjatë pandemisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi Scholtz për masat që mori pasi hartoi një buxhet të balancuar për të mbrojtur ekonominë gjermane dhe ndihmoi në krijimin e Fondit të Rimëkëmbjes së BE, pavarësisht kundërshtimit fillestar të Merkel.  Ai po ashtu bashkëpunoi me Francën për të promovuar përpjekjet për të vendosur një taksë minimale ndaj korporatave, si dhe rregulla të reja mbi taksimin e gjigantëve të teknologjisë. Ai ka akuzuar CDU/CSU, si një fraksion politik shumë të afërt me grupet e biznesit, si ato të pasurive të patundshme dhe pak para zgjedhjeve shumë miliarderë gjermanë të frikësuar nga ardhja e Scholtz, dërguan asetetet e tyre në bankat zvicerane, për t’i shpëtuar rritjes së taksave.

Karriera politike e Scholtz, është karakterizuar nga skandale të shumta. Si kryebashkiak i Hamburgut, ai u kritikua për qasjen e tij në Samitin e G20 në 2017, pasi ngjarja rezultoi në dhunë mes protestuesve dhe policisë. Ligjvënësit e opozitës e akuzuan atë për mungesë të mbikëqyrjes në fillim të këtij viti pasi në kohën kur ai ishte si ministër financash doli në pah skandali më i madh i pasluftës , në lidhje me kompaninë ‘fake’ të pagesave Ëirecard.

As SPD nuk e pati kurrë të lehtë të zgjidhte pragmatistin introvert nga Hamburgu, i cili gjithmonë flet vetëm aq sa është absolutisht e nevojshme për kandidat. Kur kandidonte për postet partiake, Scholz zakonisht merrte rezultatet më të këqija por arriti të ngjitet në shkallët e karrierës politike,  pa zhurmë dhe me efektivitet.  Por mes anëtarësimit në SPD si nxënës në 1975 dhe zgjedhjes  së tij në Bundestag në 1998, Scholz mësoi shumë për mënyrën sesi funksionon biznesi dhe sipërmarrja e pavarur, duke punuar si avokat i specializuar për ligjin e punës në firmën e tij në Hamburg. Kjo e formësoi atë, ndërsa sot ai është zgjedhur kancelari i ri gjerman.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?