Pas 107 ditësh nga zgjedhjet parlamentare më në fund këtë të enjte, KQZ i vendosi vulën procesit të 11 majit. Komisioni Rregullator, edhe pse pa konsensus certifikoi zgjedhjet që shpallën Edi Ramën fitues të 83 mandateve.
Dy anëtarët e Komisionit Rregullator të mandatuar nga opozita, votuan kundër rezultatit duke akuzuar partinë në pushtet për abuzime, përfshi edhe votën e diasporës.
“Nuk mundet që vota ime të shkojë pro standardit të avantazhit të padrejtë elektoral që merr qeveria. Përballë potencës së qeverisë, ne kemi një KQZ impotente për standardet zgjedhore, por kur vjen puna tek tenderat, kjo KQZ është aq potente saqë i bën edhe me negociatë të drejtpërdrejtë. Marr shkas nga diskutimet e fundit, do të paguhet apo jo DHL-ja. Kjo nuk është çështje pagese, tek DHL duhet bërë një analizë e plotë se çfarë ka ceduar, se kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me standardin e votës', tha Muharrem Çaka, anëtar i Komisionit Rregullator.
“Më vjen keq ta pohoj, por është e dëshmuar se kjo ka qenë një administratë e njëanshme, absolutisht e partizuar dhe e sugjestionuar nga jashtë për të ndjekur interesat e partisë shtet', tha Helga Vukaj, anëtare e Komisionit Rregullator.
Dy anëtarët e mazhorancës që ishin online nuk patën komente, ndërsa kryetarja e Rregullatorit tha se dhjetëra vendime nga KZAZ-të, tek KQZ-ja, KAS-i e Kolegji Zgjedhor kanë lënë në fuqi rezultatin.
"Me 3 vota pro dhe 2 kundër kemi shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Procesi vendimmarrës ka kaluar të gjitha shkallët e ankimit administrativ dhe gjyqësor. Tashmë ne jemi në kushtet të shpallin rezultatin dhe jo të miratojmë një gjë të pa miratuar më parë', tha kryetarja Nano pas votimit edhe nen për nen të tabelave të qarqeve dhe emrave të kandidatëve.
Demokratët kanë të drejtë që edhe për këtë vendim të bëjnë një xhiro në Kolegjin Zgjedhor, ku nuk kanë pasur asnjë sukses në këtë raund elektoral. Presidenti i Republikës tashmë ka të drejtë të thërrasë mbledhjen e parë të Parlamentit të ri, mes datave 10-20 shtator.
Ndërsa 11 parti dhe mbi 2000 kandidatë që garuan më 11 maj, duhet të dorëzojnë në KQZ raportet financiare se sa shpenzuan e ku i gjetën paratë për fushatën elektorale. Këtu përfshihet edhe kontrata e mbajtur sekret nga PD për Chris LaCivitta, që në këtë fazë, duhet publikuar.
Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste mori 83 mandate, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore 50 mandate. Partia Socialdemokrate tre deputetë, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.
Çfarë ndodhi pas 11 majit?
11 maji, pas fitores së thellë të socialistëve, u shoqërua me akuza për vjedhje zgjedhjesh nga PD. Rinumërimi në qarkun e Tiranës reflektoi gabime njerëzore, por pa ndryshim në rezultat. Rinumërimi i Fierit i dha mandat me 10 vota diferencë Maldrita Bardhos, por kjo e fundit e refuzoi, duke Ia lënë karrigen Zegjine Caushit, e cila kishte fituar në raundin e parë të numërimit.
Në Durrës, kutitë që u hapën nuk i dhanë Aulon Kalasë votat e duhura për t'i marrë mandatin ish-prokurorit Arjan Ndoja.
'Kaos' pati edhe brenda koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, mandati i vetëm i së cilës përplasi publikisht Adriatik Lapajn dhe Endri Shabanin. Edhe kësaj 'sage', Kolegji Zgjedhor i dha fund pak ditë më parë, duke ia dhënë mandatin Ana Dajkos, dhe duke lënë jashtë kuvendit Lapajn.
Komisioni Rregullator ka certifikuar përfundimisht rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Por, Sali Berisha vijon të këmbëngulë se 11 maji ishte farsë dhe në një konferencë nga selia blu tha se nuk i njohin zgjedhjet.
"Nuk i njeh zgjedhjet, kemi deklaruar. Përfaqësuesit tanë mbajtjen një qëndrim dinjitoz në komision. Shprehën mendimet, këto ishin një farsë e vërtetë elektorale.
Ky është qëndrimi ynë dhe ne e kemi shprehur këtë", tha Berisha.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, tha se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira dhe as të ndershme, duke i bërë thirrje Komisionit Rregullator që të mos e certifikojë apo miratojë rezultatin përfundimtar.
Ai tha se jo vetëm farsë, por zgjedhjet ishin një rreth vicioz, ku u përfshi makineria shtetërore duke tjetërsua rezultatin.
“Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira, ishin farsë elektorale me manipulim, blerje dhe tjetërsim të votës së lirë. Ne si PD-ADSHM nuk i njohim këto zgjedhje si të ligjshme dhe Komisioni Rregullator të mos e certifikojë rezultatin. Mos u bëni pjesë e kësaj farse dhe mos e miratoni apo shpallni rezultatin e 11 majit”.
Ai përmendi edhe njëherë pretendimet për makinerinë shtetërore me paratë publike.
Por përfaqësuesja ligjore e PS-së, e rrëzoi pretendimin e kolegut demokrat, duke kujtuar se rrethin vicioz e ka krijuar opozita që nga nisja e procesit.
“Kemi një rreth vicioz, por të krijuar nga PD që nga fillimi i këtij procesi dhe beteja ligjore me ankimimet. Zgjedhjet ishin të lira”, tha Elena Xhina mes të tjerave.
Komente
