Zvarritja e firmosjes së diplomave për 315 studentë të fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës ka marrë fund pas gati një viti. Burime të Report Tv bëjnë me dije se rektori Mynyr Koni ka firmosur diplomat, për të cilët studentët mbajtën edhe protesta.
Shkak për mosfirmosjen e diplomave ishte bërë konflikti mes rektorit të Universitetit të Tiranës në fjalë dhe dekanit të Fakultetit Ekonomik Dhori Kyle. Të dy këta akuzonin njëri-tjetrin se fillimisht diplomat nuk kishin shkuar në rektorat, ndërsa me pas tjetri se ato për teka personale nuk firmoseshin.
Çështja arriti deri në atë pikë sa studentët kërcënuan se do ta çonin në gjykatë, por brenda pak ditësh filloi të merrte zgjidhje. Për këtë situatë reagoi edhe Ministria e Arsimit e cila mbajti krahun e dekanit, duke urdhëruar rektorin të firmoste menjëherë diplomat.