Merr zyrtarisht detyrën komandanti i Policisë Ushtarake, Shkëlqim Çela

8 Shkurt 2022, 12:38| Përditesimi: 8 Shkurt 2022, 13:17

  • Share

Kolonel Shkëlqim Çela ka marrë zyrtarisht detyrën e Komandantit të Policisë Ushtarake. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi theksoi rëndësinë që ka kjo strukturë si pjesë e Forcave të Armatosura.

“Forcat e Armatosura të Republikës Shqipërisë ne opinionin publik gëzojnë një reputacion pozitiv të lartë. Në shumë sondazhe dalin të parët në renditje pra, institucioni më i besueshëm për publikun. FA janë një  garanci për sigurinë kombëtare e për këtë arsye për shkak të funksionit të tyre, rëndësisë së madhe që kanë, integriteti brenda të gjitha strukturave të FA është një element kyç. Ndaj sot jam i gëzuar që ne kemi përzgjedhur si komandant të batalionit të PU një kolonel, i cili është dalluar mes shokëve, kolegëve për përgjegjshmëri në kryerjen e detyrës, për përkushtim, integritetin me të cilin ka kryer të gjitha detyrat e mëparshme dhe kjo për ne, për mua personalisht përbën një garanci që në krye të komandës së PU kolonel Shkëlqim Çela si komandant i saj do të bëjë më të mirën, do na zbardhë faqen natyrisht edhe do ta ngrejë punën e bërë deri tani në një nivel më të lartë”, u shpreh ministri Peleshi.

Ministri I Mbrojtjes falenderoi edhe kolonel Jeminin, i cili për pothuajse 6 muaj drejtoi këtë batalion në detyrën e zv.komandantit. Peleshi theksoi faktin se FA kanë marrë detyra të rëndësishme në misionet jashtë vendit në kuadër të NATO-s, si në Afganistan, Egje e së fundmi edhe në kampin e refugjatëve të Bechtel Enka. Ministri Peleshi tha se po i kushtohet rëndësi shumë e madhe rekrutimin në sasi dhe cilësi të të rinjve që duan të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

“Aktiviteti i FA është shumë herë më i madh, përgjegjësitë tona janë shumë herë më të mëdha sidomos në një situatë gjeopolitike që ka kompleksitetin, dinamikën e vet edhe po ndryshon në drejtime shpesh herë jo pozitive në rajone që nuk janë shumë larg nga ne dhe që na impaktojnë në mënyrë direkte apo indirekte edhe rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor. Duke vendosur edhe në një kontekst më të gjerë puna e gjithësecilit prej jush, natyrisht duke respektuar të gjithë zinxhirin e komandimit, pra duke filluar nga komandantët e deri tek ushtari i pare është shumë e rëndësishme. Duhet ta kuptojmë përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë e shtuar që duhet të ketë gjithsecili prej nesh në FA duke mbajtur parasysh që jemi pjesë e aleancës së madhe ushtarake të NATO-s. Na duhet shumë punë për ta mbajtur me nder dhe për ta merituar këtë pozicion krahas më të mirëve dhe më të fortëve në kuptimin politik dhe ushtarak, na duhet të investojmë për të rritur standardet në të gjitha forcat tona, na duhet të rrisim kapacitetet, të plotësojmë objektivat”, u shpreh gjatë fjalës së tij, ministri Peleshi.

Kolonel Shkëlqim Çela ka mbajtur edhe detyra të tjera shumë të rëndësishme në Forcat e Armatosura si ajo e Shefit të Shtabit në Komandën Mbështetëse.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?