Janë lënë në burg gjashtë inspektorët e policisë së Pikës Kufitare të Portit të Durrësit, të cilët u arrestuan për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi merrnin 5-100 € për të lejuar kalimin në BE të qytetarëve që u ndalohej hyrja në zonën schengen. Ata janë Kalosh Sula, Luan Çelaj, Marsel Farruku, Naim Kadrimi, Isametin Vranezi, Eduart Matmuja.
Më herët AMP bëri me dije se punonjësit e policisë, “duke keqpërdorur atributet që u jep detyra në P.K.K Port Durrës, lejonin hyrje-dalje të shtetasve të cilët kishin ndalesa për udhëtimin në zonën Shengen në këmbim të vlerave monetare, të cilat varionin nga 5 deri në 100 euro”.
Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, më herët, në funksion të këtij procedimi, ka caktuar masat e sigurimit personal “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për 20 shtetas, të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer ndërveprime korruptive ndaj punonjësve të policisë të përmendur më lart. Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.
Efektivët që u lanë në 'arrest me burg'
1- Inspektor Kalosh Sula, 57 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës
2- Inspektor Luan Çelaj, 32 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës
3- Inspektor Marsel Farruku, 30 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K.Port Durrës
4- Inspektor Naim Kadrimi, 60 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës
5- Inspektor Isametin Vranezi, 28 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës
6- Inspektor Eduart Matmuja, 48 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K.-Port Durrës