Akuzohen se morën para për provimet, Gjykata e Elbasanit: Arrestimi i pedagogëve i paligjshëm! Çështja i kalon SPAK

5 Nëntor, 13:03| Përditesimi: 5 Nëntor, 13:54

  • Share

Elbasan- Gjykata e Elbasanit ka nxjerrë nga qelia 6 pedagogët e Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’, të cilët akzuohen se morën para për të kaluar studentët në provime, ndërsa në burg është lënë sekseri Gazmend Hodaj.

Pas 3 orësh e 30 minutash seancë Gjykata e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e tyre, duke vendosur masën detyrim paraqitje, si edhe pezullim nga detyra. Gjykata ka shpallur moskopetencën dhe çështja i kaloi SPAK-ut.

Gjykata ka caktuar detyrim paraqitje për pedagogët: Ornela Bilali, Zyhra Gripshi e Monika Hodaj, Adrian Shingjergjin, Beatriçe Ganin e Florinda Tarushën  Ndërsa, pedagogia Edlira Gugu, është ende në kërkim.

Pedagogët u arrestuan më datë 1 nëntor, ku pas një hetimi disamujor organi i akuzës ka zbuluar se pedagogët vendosin nota kaluese kundrejt ryshfetit, por ditën e sotme ata u liruan.

Sipas Prokurorisë, në materialet e sekuestruara janë gjetur prova të mjaftueshme materiale si para, fletë provimi apo biseda telefonike, ndërsa pedagogeve u janë sekuestruar edhe telefonat dhe gjithashtu në pyetje do të merren edhe studentë.

Dyshohet se ata kanë shfrytëzuar postin për të ndikuar si tek pranimet e reja ashtu edhe tek nota kaluese e studentëve të mësuesisë. Lidhja mes pedagogëve dhe studentëve kryhej nga shtetasi Gazmend Hodaj, i cili luante rolin e sekserit.

Pedagogët përfitonin nga studentët shuma parash që varionin nga 150 deri në 500 euro. Hetimet mësohet se kanë nisur gjatë sezonit të vjeshtës, pasi studentët kanë denoncuar marrjen e ryshfetit përkundër notës kaluese. 

Emrat e pedagogëve të lënë në detyrim paraqitje:
1. Ornela Bilali, 50 vjeçe, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme.
2. Zyhra Gripshi, 37 vjeçe Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin.
3. Adrian Shingjergji, 61 vjeç,  Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore.
4. Beatriçe Gani, 58 vjeçe Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës.
5. Florinda Tarusha, 56 vjeçe, Lënda: Filozofi e edukimit.
6. Monika Hodaj, 49 vjeçe, Lënda: Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme.
 7. Gazmend Hodaj, 59 vjeç, sekser
Në kërkim
1. Edlira Gugu, Lënda: Letërsi për fëmijë.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?