GJKKO ka dënuar me 2 vite burg ish kreun e Kadastrës së Sarandë, Lart Pashën i cili akuzohet se merrte 3 mijë euro ryshfet për të shpërndarë certifikata pronësie. Gjithashtu me 2 vite burg është dënuar, Saimir Braho, ish punonjës i Kadastrës.
Ndërkohë Hamza Tola ish shofer në institucionin e ministrisë së Drejtësisë, është dënuar me 1.5 vite burg pasi luante rolin e sekserit në këtë aferë korruptive. Ndërsa për sekserin Jorgo Kreku GJKKO ka vendosur një vit shërbim prove.
Gjithashtu pronari i hotelit në Sarandë, Kastriot Kreku i cili tentoi të korruptonte me 3 mijë euro zyrtarët për marrjen e certifikatës së pronësisë, është dënuar me 16 muaj shërbim prove.
Tola dhe Kreku i kanë kërkuar Kastriot Krekut një shifër që varionte nga 1000 Euro deri në 3000 Euro, duke i premtuar ndërhyrjen tek Laert Pasha dhe Sajmir Bako, të dy punonjës të ASHK Sarandë, me qëllim për ta ndihmuar atë në procedurën e pajisjes me certifikatën e pronësisë.
Report Tv ka siguruar më parë dosjen e rastit të Kastriot Krekut, i cili denoncoi aktin korruptiv. Ai takoi në hotelin e tij Hamza Tolën, ish shofer në Drejtorinë e Burgjeve, i cili i premtoi se do t’i jepte certifikatën e pronësisë në këmbim të 3 mijë eurove pasi njihte drejtuesen e Kadastrës Sarandë.
Për herë të parë e kishin në hotelin e Krekut. Ky i fundit tregoi se Tola i kishte thënë se punonte në Ministrinë e Drejtësisë dhe interesohej për tokat, ndaj nuk hezitoi t’i tregonte problemin që kishte me nxjerrjen e lejeve për tokat.
Tola i kërkoi 3000 euro duke i thënë se ishin shpenzime që duheshin për legalizimin. Prishja e marrëveshjes u krye pasi Tola i kërkoi fillimisht 2000 euro dhe më pas 1000 euro në mënyrë urgjente, por ende nuk kishte certifikatë pronësie për Kastriot Krekun.
Lajmi në përditësim...