Kronikë

U arrestua pasi i mori 700 euro të burgosurit për leje, përjashtohet shefi i regjimit në burgun e Lushnjës! Pezullohen drejtori dhe nëndrejtori (EMRAT+VIDEO)

17 Shtator, 08:51| Përditesimi: 17 Shtator, 09:57

  • Share

LUSHNJË- Një ditë pas arrestimit të shefit të Regjimit në Burgut e Lushnjës, Irakli Leka është përjashtuar nga radhët e policisë. Ai akuzohet se merrte para në këmbim të dhënies së lejes së përkohshme për të burgosurit.

Në reagimin zyrtar të Drejtorisë së Burgjeve, po ashtu është bërë me dije se janë pezulluar nga puna drejtori Elvin Kurti dhe nëndrejtori Roland Duro i burgut të Lushnjës.

Irakli Leka u ekspozua në emisionin investigativ ‘Stop’ teksa u filmua duke marrë 700 euro në këmbim të lejes 5 ditore për një të burgosur. Menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, Policia ka bërë të mundur arrestimin e Lekës.

“Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku Shefi i Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë, Irekli Leka, u filmua duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë masa administrative dhe disiplinore.

Me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i institucionit si dhe është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion pasiv.

Pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bërë të mundur arrestimin e punonjësit të dyshuar brenda 30 minutash nga transmetimi i materialit filmik.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve falënderon median për angazhimin e saj në zbardhjen e rasteve të abuzimit me detyrën dhe thekson angazhimin e palëkundur për të garantuar integritetin, transparencën dhe zbatimin me përpikëri të ligjit në çdo hallkë të sistemit penitenciar”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Operacioni për arrestimin u bë në bashkëpunim me SPAK, ndërsa ndaj tij rëndon akuza “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

K.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?