Kronikë

Merrte para për t'u futur ‘mik’ te gjykatësit, SPAK dërgon për gjykim avokatin Bardhi Koçi

6 Gusht, 10:09| Përditesimi: 6 Gusht, 11:18

  • Share

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim avokatin Bardhi Koçi, i cili merrte para nga klientët me qëllim që të ndërhynte përmes ndikimit në zyrtarë të drejtësisë.

Bashkë me të është dërguar për gjykim edhe qytetarja Pranvera Meshi, e cila kishte paguar avokatin që ai të ndikonte te një gjyqtar i Tiranës për një çështje ndaj saj.

SPAK ka evidentuar 3 raste të avokatit Bardhi Koçi që tentonte të ndërhynte te gjyqtarët. Në kohën e kryerjes së veprës penale, Koçi ka qenë zyrtar i KLSH.

Në rastin e parë, është ai që lidhet me të akuzuarën tjetër Pranvera Meshi. Kjo e fundit ishte në gjykim në Gjykatën e Tiranës për falsifikim të dokumenteve shëndetësore, kur avokati Bardhi Koçi i kërkoi 1500 euro që të ndërhynte te gjyqtari i çështjes për të lehtësuar pozitën e saj.

Znj.Meshi i dha 1000 Euro, thotë SPAK, që Koçi të ndërhynte përmes ndikimit të paligjshëm. Kjo gjë nuk ndodhi.

Në dy rastet e tjera, që kanë të bëjnë me persona të ndryshëm, të dy të akuzuar për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, avokati Bardhi Koçi kishte kërkuar sërish ryfshet që të ndikonte te funksionarët e drejtësisë.

Sipas SPAK, në njërin rast, ai kishte marrë 1300 euro nga i akuzuari për të ndikuar te dy funksionarë të drejtësisë që të përshpejtohej seanca gjyqësore. Ndërsa në rastin tjetër mori përfitime të parregullta nga i akuzuari me qëllim ushtrimin e ndikimit tek ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore. Ky ndikim kishte të bënte me nxjerrjen e aktit të ekspertimit kimik për një sasi lënde narkotike, e cila i ishte sekuestruar klientit të tij për drejtim mjeti të parregullt.

Në dosjen hetimore të SPAK janë evidentuar edhe 2 raste të tjera të avokatit Bardhi Koçi për ushtrim ndikimi të paligjshëm, duke e çuar në 5 numrin total të episodeve, por për këto të fundit vazhdojnë ende hetimet.

Gjatë hetimeve të SPAK, avokati Koçi ka qenë me masë sigurie “arrest shtëpie”. Por pak ditë më parë, Gjykata e Lartë ndyshoi masën në detyrim paraqitje.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve, dërgoi gjykim më 05.08.2025, procedimin penal, nr.229/1 viti 2021 në ngarkim të të pandehurve: 

1.Bardhi Koçi, i akuzuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (tre episode) parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.

2.Pranvera Meshi, e akuzuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 27.08.2021, mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore ka regjistruar procedimin penal nr.229, për veprat penale, “Ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të  Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal, përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 dhe 4 i Kodit Penal, e kryer nga shtetasit, Pranvera Meshi dhe Bardhi Koçi.

Shtetasja Pranvera Meshi, në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”, parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.

Shtetasi, Bardhi Koçi, me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte  i punësuar  me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetësja Pranvera Meshi, shumën prej 1500 (një mijë e pesëqind) euro dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt, shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.

Shtetasi, Bardhi Koçi, ka kërkuar nga shtetasi A.M., shumën prej 1300 (një mijë e treqind) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit tek dy funksionarë të sistemit të drejtësisë, me qëllim përshpejtimin e seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetases N.M., e arrestuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Gjithashtu shtetasi Bardhi Koçi ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi, R.G., me qëllim ushtrimin e ndikimit tek ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore. Ky ndikim kishte të bënte me nxjerrjen e aktit të ekspertimit kimik për një sasi lënde narkotike, e cila i ishte sekuestruar shtetasit B.G, i dyshuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dokumentuar dy episode të tjera të kryerjes së veprës penale,“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, nga shtetasi Bardhi Koçi dhe po vijon hetimet për dokumentimin e rrethanave dhe fakteve të tjera që kanë dalë nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal.

V.GJ /E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha i quajti vrasje shtetërore pa dashje ato të 21 janarit, ju si i konsideroni?