Kancelari gjerman Friedrich Merz ka pranuar atë që thotë SHBA se Evropa po bënte shumë pak për të financuar mbrojtjen dhe sigurinë e saj, por tani beson se janë në të njëjtën linjë.
“Ne e dimë që duhet të bëjmë më shumë dhe jemi duke bërë më shumë”, tha ai.
Në një intervistë për BBC, ai tha se ka pasur tre takime me Trump dhe se bisedojnë çdo javë.
“Po përpiqemi të sjellim fundin e kësaj lufte. Po koordinohemi për Ukrainën dhe për tarifat tregtare. Jemi në telefon një herë në javë, po koordinojmë përpjekjet tona. Një çështje është lufta në Ukrainë, dhe e dyta janë debatet dhe tarifat tona tregtare.”, u shpreh Merz.
Merz, një mbështetës i fortë i Ukrainës, udhëtoi drejt Kievit vetëm katër ditë pasi u betua si kancelar në maj, së bashku me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Duke folur për këtë ai tha:
“Rusia është një kërcënim për paqen dhe rendin politik në Europë, jo vetëm për Ukrainën.”
Pas kritikave të forta nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Merz kuptoi se Europa duhet të forcojë vetë mbrojtjen e saj. Kjo çoi në ndryshimin e kushtetutës gjermane për të mundësuar një rritje të madhe të shpenzimeve ushtarake.
“Ushtria jonë nuk është mjaftueshëm e fortë, ndaj po investojmë shumë”, tha ai.
Gjermania, Britania dhe Franca po ndërtojnë një aleancë të re të quajtur "E3", që do të fokusohet në siguri, politikë të jashtme dhe rritje ekonomike. Merz theksoi marrëdhëniet e tij të ngushta me Starmer dhe Macron, ndërsa presidenti francez pritet të vizitojë Berlinin javën e ardhshme.
Në kuadër të traktatit britaniko-gjerman, Merz konfirmoi mbështetjen për ndihmë të shtuar ushtarake për Ukrainën, përfshirë raketa me rreze veprimi deri në 2,000 km.
Komente
