Friedrich Merz

Bota

Merz qëndrim të ri për armët: Kievi mund të godasë në Rusi me raketat gjermane

27 Maj, 08:54| Përditesimi: 27 Maj, 09:00

  • Share

Gjermania ndryshon kurs dhe tregon një kthesë të rëndësishme për çështjen e Ukrainës. Friedrich Merz është në detyrë prej pak kohësh, por kancelari gjerman po pozicionohet qartë si udhëheqës i “Vullnetarëve”, pararojë e vendeve evropiane që duan të vijojnë mbështetjen ndaj Ukrainës, pavarësisht paqëndrueshmërisë së SHBA-së. Dje, Merz bëri një njoftim me rëndësi të madhe, që menjëherë nxiti reagimin e ashpër të Moskës.

“Nuk ekzistojnë më kufizime për përdorimin e armëve të dhëna Ukrainës. As nga britanikët, as nga francezët, as nga ne. Dhe as nga amerikanët”, deklaroi kancelari gjatë një interviste për WDR. Berlini shfuqizon kufirin prej 70 km në rrezen e armëve të dërguara në Kiev, kufizim që kishte prekur obusët PzH 2000 dhe raketat MLRS me lëshim të shumëfishtë. Dhe hap – ende teorikisht – mundësinë për të furnizuar Ukrainën me raketat e njohura Taurus, me rreze 500 km, të kërkuara prej vitesh nga Kievi. Berlini i jep më në fund Volodymyr Zelensky-t atë që kancelari i mëparshëm, Olaf Scholz, ia kishte refuzuar gjithmonë, duke përmendur rrezikun e një përshkallëzimi bërthamor nga Rusia.

Prej disa javësh, qeveria gjermane ka vendosur të mbajë të klasifikuara informacionet mbi ndihmat ushtarake të dërguara në Ukrainë. Por domethënia e lëvizjes së djeshme është e qartë: me armët e dhëna nga Gjermania, Kievi mund të godasë objektiva në territorin rus. “Një vend që mund të mbrohet nga agresori vetëm brenda territorit të tij, nuk po mbrohet mjaftueshëm”, shpjegoi kancelari. Dhe reagimi i Moskës, gjithmonë në kërkim të justifikimeve për të bllokuar çdo përpjekje për negociata, nuk vonoi: “Nëse këto vendime zbatohen realisht, ato bien në kundërshtim të plotë me përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje politike. Është një vendim tejet i rrezikshëm”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Rusët e dinë shumë mirë se çfarë do të thoshte, për shembull, furnizimi eventual i Ukrainës me raketat Taurus: shkatërrim të prapavijave ruse, asgjësim të linjave të furnizimit drejt vijës së frontit. Në fakt, në javët e fundit, ishte vetë Merz ai që propozoi një skenar për përdorimin e raketave me rreze të gjatë: Ukraina mund të “shkatërrojë Urën e Kerçit”, që lidh Krimenë e pushtuar me Rusinë.

Gjermania, pra, vijon në rrugën e saj dhe Merz ndjek një strategji të dyfishtë: të mbajë të hapur një rrugë drejt paqes dhe të mbajë në tryezën e negociatave edhe Shtetet e Bashkuara. Të mërkurën, Volodymyr Zelensky pritet në Berlin: kancelari dëshiron ta informojë presidentin ukrainas për hipotezat e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe të konsultohet me të mbi mënyrat për të avancuar takimet teknike mes Kievit dhe Moskës. Një mënyrë për të treguar se Gjermania nuk ka ndërmend të ulë presionin ndaj Moskës.

Tre ditë më parë, gjithashtu, në telefonatën e tij të parë me presidentin kinez Xi Jinping, kancelari kërkoi një angazhim konkret për një armëpushim në Ukrainë. Por Merz bëri të ditur edhe dje se nuk ushqen asnjë iluzion: “Është e qartë se Putini e interpreton çdo gatishmëri për dialog si dobësi.” Nëse as oferta për bisedime paqeje në Vatikan, e ndërmjetësuar nga Giorgia Meloni, nuk pranohet nga Moska, “duhet të mësohemi me idenë se kjo luftë do të zgjasë më shumë sesa të gjithë ne dëshirojmë.”

Strategjia e dytë e Merz lidhet me marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara: sot ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, do të jetë në Uashington për t’u takuar me homologun e tij amerikan, Marco Rubio. Berlini kërkon të shmangë braktisjen e çështjes ukrainase nga ana e Trump-it hezitues dhe po përpiqet qartë të marrë rolin e ndërmjetësit me Shtëpinë e Bardhë. Javën e kaluar, Gjermania njoftoi se do të përmbushë kërkesat e SHBA-së për një rritje të shpenzimeve ushtarake në 5% – një mënyrë për të hequr nga tryeza një nga pikat historike të përplasjeve mes Uashingtonit dhe Berlinit, shpesh i akuzuar si partner i papërgjegjshëm në NATO. Tani, Merz – i cili gjithashtu ka premtuar ndërtimin e “ushtrisë më të madhe në Evropë” – sinjalizon një kthesë që synon të përmbushë pritshmëritë amerikane dhe të afrojë të dy brigjet e Atlantikut./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?