Velloja e mbrëmjes ka veshur Tiranën, ndërsa disa prej banorëve, rendin në kërkim të teatrit... Me bileta në duar, e enjtja i gjen përballë Muzeut, ku presin me kërshëri të shikojnë shfaqjen “Mes çarçafëve”.
Libra, dërrasa e zezë me shënime, mes të cilave dhe ato të Aleksit, nxënësit që mungon në skenë...në sallën “Unesco” është improvizuar një klasë shkolle. E publikut do t’i shpaloset gradualisht çka fshihet “mes çarçafëve”, përmes interpretimit të dy aktoreve Yllka Mujo dhe Ermira Hysa...
Regjisori Kiço Londo, e ka vendosur pjesën e kanadezit Jordi Mand, në disa qytete të shtëpisë përmes Teatrit Shëtitës Çajupi, që ai drejton, e tanimë ia servir për tri net publikut kryeqytetas.
Yllka Mujo është në petkat e Marion, gruas që kërkon të përballet me mësuesen e djalit, me të cilën bashkëshorti e tradhton. Por edhe personazhi i saj, njësoj si spektatorët, përmes pyetjeve intime që i drejton Terezës, në vend të imoralitetit të një gruaje, që ndoshta pritej të fshihej “mes çarçafëve”, zhbirilon dramën e saj. E më tej edhe të vetën....
Spektatori e gjen veten në një skenë prekëse, ku ndërsa një grua lufton për familjen që ka, e tjera për atë që ëndërron të ketë, gjejnë në fatkeqësi pika takimi e ndoshta edhe mirëkuptimi, ndonëse të vonuar.
Mes spektatorëve, ka studentë të Akademisë së Sigurisë, disa syresh rrëfejnë se për ta është hera e parë që shohin shfaqje teatrale, por Yllka Mujon e njohin përmes ekranit. Dikush e kujton si nënën e Taulantit, dikush si shoqen e Melit dhe emocionet i shënon veçmas kjo pikë takimi me të. Padyshim miqtë të freskët kanë interpretimin e saj tek “Oh, sa ditë të lumtura” e kuptojnë privilegjin, për ta parë edhe në të tjera shfaqje....