DURRËS - Ish-zëvendëskryeministri Bashkim Kopliku është përcjellë për në banesën e fundit mesditën e kësaj të hëne (23 nëntor).
Mes lotëve, familjarë, miq e të afërm të tjerë i dhanë lamtumirën përmes një ceremonie që u zhvillua në sheshin “Liria” përpara Bashkisë së Durrësit.
Bashkim Kopliku ndërroi jetë pasditen e së shtunës (21 nëntor) për shkak të koronavirusit. Ai për disa ditë ishte i shtruar në spitalin e Durrësit.
Por shkak se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, ai u nis me avion drejt Italisë por fatkeqësisht nuk arriti dot të mbijetojë.
Kopliku u lind më 15 korrik 1943 në Shkodër. Ai ka qenë zëvendëskryeministër i Shqipërisë në periudhën 1992-95, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në 1991-97, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë në 1996-97, anëtar i kryesisë së PDSH në 1991-97, i dekoruar me "Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë", nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 1993, kryetar i Bashkisë Durrës (Komiteti Ekzekutiv Pluralist Durrës) në 1991-92.