Nën qiell të hapur, nën peshën e frikës nga gjakmarrja, mes rrënojave të banesës së shembur mëngjesin e së martës së zezë, pa të ardhura financiare dhe pas asnjë mbështetje. Kjo është drama e shumëfishtë e familjes Lika në Fushë Mamurras të Kurbinit. Shtëpia dykatëshe e shembur nga tërmeti i 26 nëntorit, për familjen Lika në Kurbin, kishte një funksion të dyfishtë dhe jo të zakonshëm. Përveç strehimit, muret e kësaj banese të ishin mbrojtja e vetme që i kishte mbetur familjes me pesë anëtarë nga gjakmarrja. Që nga e marta ‘mbrojtja’ e kësaj familje është një plastmas. Kryefamiljari është në arrati, nga frika e gjakmarrjes, që kur vëllai i tij vrau një shtetas në vitin 2002, ndërsa pesë anëtarët e familjes së tij qëndrojnë në qiell të hapur, që kur banesa e tyre nuk u rezistoi lëkundjeve të tërmetit të së martës. Kunati i kësaj gruaje të re ka vrarë një shtetas në vitin 2002 në Mamurras dhe është dënuar 25 vite burg, ndërkohë që pasojat po i vuajnë këto ditë më shumë se kurrë më parë, fëmijët e mitur.
Familja përbëhet nga 2 gra dhe 3 fëmijë të mitur, të gjithë të pamundur për të përballuar fatkeqësinë natyrore, e cila merr një tjetër përmasë për shkak të frikës që prodhon hakmarrja e verbër njerëzore. Banesa dykatëshe e familjes Lika është inspektuar nga ekspertët e bashkisë Kurbin dhe është nxjerrë e pabanueshme. Fatmirësisht nuk ka jetë njerëzore të humbura, por muret e shtëpisë janë shkatërruar. Të gjitha pasjet shtëpiake janë mbuluar nga rrënojat. Pesë anëtarët nuk mund të strehohen si familjet e tjera të prekura nga tërmeti. Për këtë familje duhet një vendstrehim i sigurt dhe mundësisht sekret, për t’u siguruar jetën nga çdo hakmarrje e mundshme. Deri më tani, nga strukturat shtetërore, nuk është marrë asnjë masë për strehimin e dy grave dhe tre fëmijëve të mitur.
Përmes Report Tv, më e moshuara, nëna e dy djemve, thotë se “Ka ra krejt përdhe. Gjithçka ka mbaruar. Jemi në mëshirë të Zotit. Kemi kaluar natën nën plastmas. Fëmijët i kemi çuar tek njerëzit e tyre mbrëmë. Kanë qenë në spital. Nuk na ka ardhur askush për të na pyetur se ku po flemë. Nuk mund të lëvizim nga këtu. E dinë të gjithë se jemi të ngujuar. Kërkojmë vetëm të na bajnë dy dhoma. Vetëm dy sa të strehohemi me fëmijët. Nuk duam më shumë. Nuk kemi asnjë mbështetje”.
Nëna e tre fëmijëve thotë se “unë qëndroj këtu me mamin dhe me tre fëmijë të vegjël. Shtëpia na është prishur nga tërmeti. Burri ka ikur nga hasmëria, pasi kemi probleme. Kërkoj ndihmë nga shteti. Kërkoj ndihmë nga kushdo që ka mundësi për të pasur një shtëpi. Ne nuk mund të lëvizim. Nuk kemi asnjë të ardhur. Ju lutem na ndihmoni”.