Nga taka e çizmes, profili ekstrem i fqinjëve tanë italianë, na ndajnë vetëm 72 kilometra, dikur lot e dhimbje, sot të përbashkëta sa më s’ka. Punto Palascia në Salento, ka përballë Palasën; Porto Cesareo, është në vijë të drejtë me shtegun e Cezarit mbi Dhërmi deri në Dukat. Aromat dehëse të erëzave të mesdheut, që të bëjnë të përqafosh e të bëhesh njësh me tokën, janë njësoj si në Llogara, ashtu dhe në shkëmbinjtë më të ulët nga Otranto drejt Tricase-s. Blgetorët lebër në majat e kanionet e Labërisë, ngjajnë në karakter me peshkatarët e San Foca-s, Gallipolit e më gjerë; tiparet e tyre të gdhendura si shkëmbinj të thepisur janë bërë nga të njëjtat erëra, i njëjti shi, e tharë nga i njëjti diell.
Prej vitesh tashmë, që kur nisa të kem Salenton shtëpinë time të dytë, nuk kam reshtur së dëshiruari që po kaq e bukur, mikëpritëse, e dashur, tërheqëse, të bëhej dhe Labëria e gjithë bregu ynë. Dhe dëshirat thonë, realizohen herët a vonë. Alessano-Lissus-Lezha (ndoshta një emër vendosur nga heroi ynë Kombëtare Gjergj Kastrioti Skendërbeu), ruan ende të paprekura pronat, ndërtesat, trashëgimtarët e mikpritur pas largimit nga Shqipëria. Kushedi sa shqiptarë të lashtë ka në Salenton e sotme. Një nga zonat më të varfra të Italisë, sot është shndërruar në një turizëm shumë të kërkuar dhe elitar, pa ndërtime rezortesh gjigande që t’u marrin frymën brigjeve, thjeshtë duke trasformuar në vende mikëpritëse shtëpitë, fermat e të gjithëve që turizmin, gatimet, traditën e kanë kthyer në pasion e zanat të mirëfilltë.
Salentinët e kanë mbrojtur me shpirt e zemër tokën e tyre: Ka histori modernë të dhimbshme dhe ngjarje që nuk harrohen lehtë. Porto Selvaggio, është një perlë e natyrës, shumë e ngjashme me Kakomenë, Krorëzën apo të tjera gjire shqiptare. Në vitet ’80 e kishin pikasur të ndërtonin aty një super resort, por vetëm një firmë e një gruaje politikane, anëtares së këshillit komunal të qytetit Nardo’ Renata Fonte, i pengonte. Renata Fonten e vranë, gjyqtarë të pandershëm, politikanë dhe biznesmenë u bënë bashkë që vrasjen e saj ta tregonin si një vrasje pasioni, por salentinët qëlluan njerëz të apasionuar për të drejtën dhe të vërtetën. Gazetarët gjithashtu, qëlluan të guximshëm në këto anë. Renata Fonte sot është një heroinë dhe shembull frymëzues për të gjithë, ndërsa Porto Selvaggio është sot një pikë krenarie, një pasuri natyrore e Salentos, e banorëve të saj dhe gjithë Italisë. Këtu, italianët, salentinët kanë një pikë më shumë: Banorë, gazetarë, e drejtësi u bënë bashkë për të mos masakruar, gllabëruar e betonizuar një bregdet me bukuri të rrallë. A bëjmë të njëjtën gjë më Shqipëri, apo po lëshojmë një nga një e po betonizojmë të gjitha gjiret më të bukura në jug?
Në vitet e emigracionit shumë lebër të jugut tonë, mësuan nga salentinët e puljezët, sidomos në kuzhinë. Mësuan aq sa një pjatë makarona me fruta deti është sot më e shijshme në Himarë sa në Porto Cesareo, një sote’ me midhje gjithashtu në Sarandë nuk ka të krahasuar me midhjet në këto anë. Buka e bërë vetë ka të njëjtën shije dhe aromë. Por, këto shembuj nuk kanë shumë vend për mendjemadhësi, pasi ka ende shumë për të mësuar e për të bërë. Zemërgjerësia salentine dhe ambicja jonë, krijojnë një balet harmonie që mund të na ndihmojë e përmirësojë.