Bota

Themeluesi i WikiLeaks në funeralin e Papës, me gruan dhe fëmijët në sheshin e Shën Pjetrit

26 Prill, 13:39| Përditesimi: 26 Prill, 13:48

  • Share

Themeluesi i WikiLeaks qëndron në këmbë, së bashku me gruan dhe fëmijët e tij, mes njerëzve që marrin pjesë në funeralin e Papa Françeskut. Në vitin 2023, Papa i kishte dhënë familjes së Assange-it një audiencë private në Vatikan, ndërkohë që ai vetë ndodhej në burg.

Kjo është paraqitja e tij e parë publike që kur ka rifituar lirinë në qershor të vitit të kaluar, pas një marrëveshjeje me drejtësinë amerikane, ku ai pranoi fajësinë për një vepër më të lehtë: komplot për të marrë dhe publikuar informacione rreth sigurisë kombëtare. Për këtë ai u dënua me pak më shumë se pesë vjet burg, të cilat i kishte vuajtur tashmë gjatë procesit të gjatë gjyqësor ndaj tij.

Me këtë marrëveshje, ai shmangu një proces penal për spiunazh dhe zbulim sekretesh shtetërore, ku – sipas avokatëve të tij – rrezikonte burgim të përjetshëm. Pasi u lirua nga burgu në Londër ku po priste ekstradimin në SHBA, verën e kaluar Assange u rikthye në Australi, vendin e tij të lindjes. Që nga ajo kohë nuk kishte dhënë më deklarata dhe nuk ishte paraqitur në publik, gjë që e bën pjesëmarrjen e tij në varrimin e Papës edhe më të rëndësishme dhe të komentohet gjerësisht.

Ai është shfaqur në Sheshin Shën Pjetri me flokë dhe mjekër të gjatë, të bardhë, veshur me këmishë të bardhë dhe kostum e kravatë të errët.

Në krah kishte gruan e tij, Stellën, veshur me të zeza ajo kishte qenë pjesë e ekipit të tij ligjor gjatë gjyqit dhe dy fëmijët e tyre, të lindur gjatë kohës që Assange qëndronte brenda ambasadës së Ekuadorit në Londër, në vitet 2017 dhe 2019. Ata janë martuar në vitin 2022, kur ai ishte ende në burg. Ekuadori i kishte dhënë përkohësisht azil politik për ta mbrojtur nga arrestimi nga autoritetet britanike.

Assange, i cili tani është 53 vjeç, e themeloi WikiLeaks në vitin 2006, pas një karriere si haker dhe gazetar investigativ.

Në vitin 2010, faqja filloi të publikonte dokumente sekrete për luftërat në Afganistan dhe Irak, të marra nga analistja ushtarake amerikane Chelsea Manning. Dokumentet zbuluan abuzime të kryera nga forcat amerikane, dhe më pas u ripublikuan nga "The Guardian" dhe shumë media të tjera ndërkombëtare, për të cilat Assange fitoi disa çmime gazetareske. Më vonë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë e akuzoi atë për zbulim të sekreteve shtetërore, duke thënë se publikimet e tij kishin rrezikuar sigurinë kombëtare dhe jetën e ushtarëve e agjentëve amerikanë në mbarë botën.

Assange është përballur edhe me një hetim në Suedi për akuza për dhunë seksuale ndaj dy grave, por çështja u mbyll për shkak të kalimit të afateve kohore. Në vitin 2016, ËikiLeaks publikoi dhjetëra mijëra email-e nga llogaria private e Hillary Clinton, të periudhës kur ajo ishte Sekretare Shteti. Për këtë arsye, Assange u akuzua për bashkëpunim me Rusinë, me qëllim për të dëmtuar kandidaturën e Clinton dhe për të favorizuar kandidatin republikan Donald Trump, i cili më pas fitoi zgjedhjet presidenciale.

Papa Françesku do të varroset në rreshtin e bazilikës së Shën Maria e Madhe, ai do të veshë një mantel të krijuar nga Filippo Sorcinelli, stilisti dhe artisti italian, rrobaqepës i papëve. Por një detaj i veçantë ka tërhequr vëmendjen në veshjen e tij mortore. 

Papa Françesku do të varroset i veshur me të njëjtat këpucë të zeza të thjeshta dhe të veshura që ka mbajtur prej vitesh në të gjitha daljet e tij publike. 

Një palë këpucë modeste të konsumuara, në vend të pantoflave tradicionale papale, simbol i pushtetit. Një gjest i fundit në përputhje me stilin e matur dhe të përulur që ka karakterizuar Papën. 

Papa guxoi dhe në zgjedhjen për të hequr dorë nga madhështia e varrimit të Vatikanit, duke preferuar thjeshtësinë e dhomës 201 në Domus Santa Marta. Françesku ka zgjedhur një arkivol të thjeshtë prej druri, të mbushur me zink, duke shmangur përdorimin e tre arkivoleve tradicionale që përdoren zakonisht për Papët.

H.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?