Rreth 10 mijë familje shqiptare, që kanë fëmijë me aftësi ndryshe, çdo ditë përballen me sfida që vjen për shkak edhe të mbështetjes së ulët financiare. Shqetësimi ky që ngrihet në çdo vjeshtë nga shoqëria civile dhe jo vetëm, teksa diskutohet buxheti i shtetit dhe ndarja e fondeve për institucionet.
Por vitin e ardhshëm, me buxhetin e pritshëm 2026, fonde shtesë janë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me synim rritjen e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre. Me skemën e re të mbështetjes parashikohet rritje me 50% ose me 6100 lekë në muaj për këtë kategori.
“Në vitin e ardhshëm qeveria planifikon të rrisë me 50% pagesën për 10,252 fëmijë me aftësi të kufizuar dhe për 3,527 kujdestarët e tyre, nga 12,200 lekë/muaj aktualisht në 18.300 lekë/muaj”, thuhet në kërkesën drejtuar Ministrisë së Financave për financim shtesë në 2026-ën.
Për këtë rritje të pagesës mujore për 13,779 individë, ka një kosto shtesë prej 1 miliardë lekë (10 mln euro), që Ministria e Shëndetësisë kërkon të parashikohet në buxhetin e vitit që vjen.
Sipas dokumentit Buxhetor 2026–2028, për programin ‘Përkujdesi Social’, ku përfshihen pagesat për aftësinë e kufizuar, ndihma ekonomike, bonusi i bebeve apo mbështetja e nënave të vetme, në vitin e ardhshëm do të shpenzohen 27.6 miliardë lekë nga 27.5 miliardë lekë të planifikuara për këtë vit.
Por Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që këto tavane të rriten me 3 miliardë lekë në mënyrë që të mbulohet skema e re e bonusit të bebeve dhe rritja e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuar, që do të nisin zbatimin nga janari i 2026-ës.
Komente

13000 mij femije me probleme?me nje popullssi rreth 2 milioni banore?
PërgjigjuDuhen hapur qëndra rehabilitimi me fizioterpeftë dhe pishina.Të regullohen trotuarët.Të vihen ashensorë dhe rampa në të gjitha instucionet. Të vihen taksi të përshtatura me ramp dhe lidhëse metalike të cilat nuk ekzistojnë fare në Shqipëri as në Aeroportin e Rinasit nuk ekzistojnë taksi për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.Një shoqëri e civilizuar e tregon veten në kujdesin ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për përkrahje.
Përgjigju