Negociatorët iranianë dhe amerikanë u takuan në Oman të shtunën për bisedime në nivel të lartë mbi programet bërthamore të Teheranit, mes tensioneve në rritje dhe kërcënimeve ushtarake nga Uashingtoni.
Takimet e së shtunës janë të parat nga zyrtarë të nivelit të lartë të të dyja vendeve për këtë çështje në vite e fundit, megjithëse nuk është e qartë saktësisht se si do të zhvillohen ato.
Teherani ka këmbëngulur në "bisedime indirekte", të cilat ndoshta do të nënkuptonin që negociatorët të mos qëndrojnë në të njëjtën dhomë, por të përdorin ndërmjetës për të shkëmbyer mesazhe. Shtëpia e Bardhë, megjithatë, i ka përshkruar bisedimet si të drejtpërdrejta.
"Ajo që është e qartë në këtë fazë është se negociatat janë indirekte dhe, nga këndvështrimi ynë, kanë të bëjnë vetëm me çështjen bërthamore", tha ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi, pas mbërritjes në kryeqytetin e Omanit, Muskat.
Përfaqësuesi amerikan në këto bisedime është Steve Witkoff, një investitor në pasuri të paluajtshme i cili ka marrë rol të rëndësishëm në negociatat e jashtme të presidentit Donald Trump. Ai mbërriti në Oman pas një vizite në Rusi, ku u takua për herë të tretë ballë për ballë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Pak ditë para takimit, presidenti Donald Trump paralajmëroi se, “nëse është e nevojshme”, Shtetet e Bashkuara “patjetër” do ta përdorin forcën ushtarake kundër Iranit – ndërsa Izraeli është i gatshëm të luajë rol udhëheqës në këtë.
Përgjigjja e Iranit ka qenë sfiduese, duke lënë të kuptohet se rreziku është i madh për të dy vendet dhe për rajonin më gjerë, në kohën kur delegacionet takohen në Oman.
“Me përkushtim dhe vigjilencë të sinqertë, po i japim diplomacisë një mundësi të vërtetë. SHBA-ja duhet ta vlerësojë këtë vendim, që u mor pavarësisht propagandës konfrontuese që mbizotëron prej tyre”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, në një postim në X më 11 prill.
Pavarësisht debatit për formatin, rruga drejt këtyre bisedimeve ka qenë e gjatë dhe e pasigurt.
Si erdhi deri te kjo?
Bisedimet shënojnë një kapitull tjetër në marrëdhëniet e tensionuara mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të karakterizuara nga cikle diplomacie dhe konfrontimi.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 – e njohur zyrtarisht si Plani Gjithëpërfshirës i Veprimit të Përbashkët (JCPOA) – dikur ofroi shpresë për zbutjen e tensioneve, por tërheqja e Uashingtonit nga marrëveshja në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të Trumpit, nxiti një sërë sanksionesh dhe pasurim të uraniumit nga ana e Teheranit.
Fuqitë evropiane tentuan ta shpëtonin JCPOA-në, duke nisur një mekanizëm të quajtur Instrumenti për Mbështetjen e Shkëmbimeve Tregtare (INSTEX), i cili synonte t’i lehtësonte transaksione pa dollarë me Iranin, për të shmangur shkeljen e sanksioneve amerikane dhe për të penguar Iranin nga moszbatimi i zotimeve.
Në praktikë, vetëm një transaksion u realizua përmes këtij mekanizmi, dhe ai u hoq plotësisht në vitin 2023.
Ekonomia iraniane, e cila pati përfitime nga JCPOA-ja, pësoi goditje të rëndë nga fushata e “presionit maksimal” të Trumpit, duke kufizuar ndjeshëm shitjet e naftës së Teheranit.
Menjëherë pas ardhjes së Joe Bidenit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021, Irani dhe Shtetet e Bashkuara nisën një sërë bisedimesh indirekte për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore. Një projekt-marrëveshje u përgatit nga Bashkimi Evropian, si koordinator i JCPOA-së, por ajo nuk u nënshkrua kurrë.
Bisedimet ngecën në vitin 2022 dhe kanë mbetur të ngrira deri tani.
Çfarë është në pyetje?
Trump ka qenë i qartë në synimin e tij: Irani nuk duhet të lejohet të ketë ndonjë armë bërthamore kurrë. Por, mbetet e paqartë nëse ai dëshiron ta kufizojë veprimtarinë bërthamore të Iranit, apo ta shkatërrojë plotësisht.
Irani është i gatshëm të japë garanci se nuk synon të prodhojë bombë atomike, por nuk pranon të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.
Pavarësisht përpjekjeve për të treguar vetëbesim dhe pretendimeve se mund t’i heqë qafe sanksionet amerikane, Teherani ka nevojë urgjente për një marrëveshje.
Ekonomia iraniane është, mbase, në gjendjen më të keqe që ka qenë ndonjëherë, sepse monedha e tij kombëtare po bie vazhdimisht kundrejt dollarit. Fuqia blerëse e qytetarëve vazhdon të bie, ndërsa ndërprerjet e energjisë janë bërë pjesë e përditshme e verës dhe dimrit – pavarësisht pozitës së Iranit si një fuqi energjetike globale.
Për Shtetet e Bashkuara është prioritet të mos e lejojë Iranin të fusë në duar armë bërthamore.
Irani po pasuron uranium në një pastërti prej 60 për qind, çka konsiderohet afër nivelit të nevojshëm për zhvillimin e armëve. Po ashtu, ka grumbulluar sasi të mjaftueshme për të ndërtuar disa bomba, nëse do të vendoste ta bënte këtë.
Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe se kurrë nuk ka ndjekur synimin e armëve. Por, me administratën Trump që vazhdon të përmendë mundësinë e sulmeve ushtarake ndaj objekteve bërthamore të Iranit, gjithnjë e më shumë zyrtarë iranianë kanë lënë të kuptohet se vendi do të ndërtonte armë bërthamore nëse do të detyrohej.
Sipas vlerësimeve, Irani mund të pasurojë mjaftueshëm uranium për një bombë të vetme për më pak se një javë dhe sasi për disa bomba brenda një muaji.
Para bisedimeve në Oman, Uashingtoni e rriti edhe më shumë trysninë. Më 9 prill, Thesari amerikan i Shtetit njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj pesë subjekteve dhe një individi në Iran për mbështetjen e tyre ndaj programit bërthamor iranian, përfshirë edhe Organizatën për Energji Atomike të Iranit (AEOI).
Mohammed Ghaedi, pedagog në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin Xhorxh Uashington, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë se sanksionet e reja ka mundësi të kenë ndikim të vogël, pasi ato synojnë pasuritë e AEOI-së në SHBA, të cilat janë të pakta.
Ai argumentoi se këto sanksione kryesisht shërbejnë për ta rritur fuqinë negociuese të SHBA-së ndaj Iranit gjatë bisedimeve.
Më 9 prill, Trump përsëriti paralajmërimin se në mungesë të një marrëveshjeje, SHBA-ja do ta përdorë forcën ushtarake për ta rrënuar programin bërthamor të Teheranit.
“Izraeli, natyrisht, do të jetë shumë i përfshirë në këtë. Ata do të jenë udhëheqësit e kësaj përpjekjeje”, tha ai.
Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u përgjigj se kërcënimet e vazhdueshme për përballje ushtarake do ta detyronin Iranin të dëbonte inspektorët e OKB-së dhe “të transferonte uraniumin e pasuruar në vende të sigurta”.
Kush janë negociatorët?
Ekipi negociator iranian drejtohet nga ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi, një diplomat karriere që ka shërbyer si negociatori kryesor i lartë bërthamor. Ai ishte i përfshirë ngushtë në bisedimet për JCPOA-në dhe udhëhoqi negociatat indirekte me SHBA-në për ta ringjallur atë.
Steve Witkoff, i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, do të jetë negociatori kryesor bërthamor i Uashingtonit. Një investitor miliarder në pasuri të paluajtshme, Witkoff nuk ka përvojë diplomatike, por ka marrë rol qendror në negociatat me rrezik të lartë që kur iu bashkua kabinetit të Trumpit.
Më 11 prill, Witkoff bëri një ndalesë të papritur në Rusi, aleatin e ngushtë të Iranit, gjatë rrugës për në Oman. Hollësitë e diskutimeve në Shën Petersburg nuk u bënë publike, por Kremlini ka ofruar ndihmën e tij disa herë për një zgjidhje diplomatike mes Teheranit dhe Uashingtonit.
“[Witkoff] po menaxhon shumë dosje dhe mund të mos jetë i përgatitur për diskutimet teknike që pritet të dominojnë takimet në Oman”, tha për Radion Evropa e Lirë Gregory Breë, analist për Iranin në grupin e analizës Eurasia Group me qendër në Nju Jork.
“Araqchi është diplomat me përvojë shumëvjeçare. Nëse Witkoff nuk mbështetet nga një staf i fortë me ekspertizë, kjo mund ta komplikojë diskutimin”, shtoi ai.
Diplomacia diskrete e Omanit ka shërbyer shpesh si urë mes të dyja palëve, përfshirë negociatat e fshehta që çuan në JCPOA. Tani, Omani është sërish në qendër të bisedimeve, me të dy palët të kujdesshme, por të vetëdijshme për rreziqet që sjell dështimi./ REL
Komente
