Mesazhi i ikjes së Grida Dumës dhe Alfred Rushajt!

9 Nëntor 2022, 11:12| Përditesimi: 9 Nëntor 2022, 11:16

  • Share

Largimi i dy deputetëve të PD nga Parlamenti, pavarësisht se me profile të ndryshme, tregon një krizë në radhët e kësaj force politike, e cila para së gjithash nuk tregon klimë shprese, po krizë.

E para, Grida Duma, është ajo që tregoi se, më tepër sesa faktin që nuk u pranua nga Berisha, nuk pa perspektivë në këtë grupim. E cilësuar prej tij si Nora e Kelmendit për sulmin që i bëri Ramës, Duma pa përtej retorikës dhe e kuptoi se më shumë se sa një falje që Berisha i bëri asaj për kapërcimin nga grupi i Bashës në atë të tij, klima aty është një klimë pa perspektivë.

Duma me siguri ka kuptuar se ai fraksion nuk është një parti dhe as një shpresë për opozitën, por thjesht një çetë që vepron si truproja politike e komandantit të saj. Nëse Duma vazhdonte dhe rrinte, mund të merrte edhe nominime të tjera, por karriera politike në atë grup arrin maksimumi në shef i truprojave.

Ndërkohë ikja e Rushajt, një personazh më shumë teknik sesa politik, tregoi se fraksioni Alibeaj nuk është në gjendje të frymëzojë. Qenia e Rushajt teknicien, e bën të ftohtë nga pasionet ideologjike, dhe si i tillë e ka më të lehtë të kuptojë se llogaritë dalin me humbje.

Edhe aty nuk ekziston gara e hapur apo hapja ndaj garës, por vetëm një grup të përzgjedhurish nga Basha dhe Alibeaj i cili nuk po mundet të krijojë lidership. Në fund llogaria tregon që formacioni nuk ka timonier që t’iu tregojë një udhë të re apo shpresë të re.

Të dy të larguarit së bashku, janë më shumë se një lajm personal, janë parathënie e vithisjes së asaj që deri më sot jemi mësuar ta quajmë PD. Se çfarë vjen pas saj, mbetet ende një enigmë.

Hiq disa personazhe rrjetesh sociale që më shumë janë mitomanë sesa kanë brumë dhe që përdoren nga Berisha dhe Meta, asnjë talent i ri nuk shfaqet në formacionet që duan të ndeshen me të majtën./Dritare.net

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?