Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste ishte sot nw prezantimin e listës sw kandidatëve të PS në zgjedhjet e 11 majit
Përshëndetje të gjithëve edhe së pari më lejoni t’ju them që jam shumë krenar për këtë skuadër sepse besoj që me këtë skuadër ne i kemi dhënë të gjithë qarkut të Tiranës një ofertë të fortë, i kemi dhënë të gjitha moshave një mundësi zgjedhjeje të plotë.
I kemi dhënë vajzave dhe grave një buqetë, ku mund të zgjedhin pa dyshim përfaqësuesen e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. I kemi dhënë të rinjve dhe të rejave mundësinë që të bëjnë zgjedhjen e tyre, duke u ndjerë pjesë e kësaj skuadre dhe pa diskutim i kemi dhënë të gjithë profesionistëve mundësinë që duke votuar për PS të kenë mundësi që në këtë gjithë këtë skuadër të zgjedhin një vajzë, një djalë, një grua apo një burë pa pasur asnjë dyshim që do përfaqësohen denjësisht në Kuvendin e Shqipërisë.
Por ajo, që është sipas meje më e rëndësishmja, është që me të gjitha kapacitetet tona ne kemi ndërtuar partinë më të re që është sot në gjithë atë fletë të madhe votimi për Tiranën. Një parti të re, ama një shalqi me provë meqë brenda vetes ka dhe të gjithë eksperiencën e të gjitha këtyre viteve qeverisjeje, duke i dhënë qytetarëve të Tiranës të të gjithë qarkut të Tiranës mundësinë që të shohin përpara përmes të resë, por dhe të ndihen të sigurte që rruga jonë përpara është e garantuar përmes experiences.
Të dyja këto bashkë janë jo të lehta për t’u bërë bashkë dhe të dyja këto bashkë gjenden në ofertën dhe alternativën e PS. Tek të gjithë të tjerët majtas dhe djathtas fletës së votimit ku jo besoj unë rastësisht nga pikëpamja simbolike ne jemi mu në mes, janë ose të kalbur ose pa asnjë eksperiencë për ta thënë me fjalë shumë të buta. Dhe hedhja e votës kudo tjetër përveçse te kutia e PS aty ku është numri 5 është ta çosh votën kot. Natyrisht që në të gjithë këtë rrugë drejt 11 majit, të gjithë do kenë mundësinë të dëgjojnë, të pyesin, të kuptojnë në detaje se çfarë duam të bëjmë ne, jo thjeshtë në shkallë vendi, por dhe në shkallë të çdo komuniteti.
Natyrisht që, ne kemi aq shumë gjëra për të thënë në sa kemi bërë, sa nuk mjaftojnë ditë të tëra nëse duam t’u numërojmë të gjitha një për një. Natyrisht që ne jemi të vetëdijshëm që pavarësisht se ne kemi bërë kaq shumë, ka ende probleme jo të vogla për të adresuar.
Ka ende plagë për të mbyllur, ka ende shumë punë për të bërë.
Por në këto zgjedhje ka diçka që është përtej të gjitha këtyre dhe këtu unë dëshiroj që të përqendrohem përsëri dhe do lodheni mbase duke më dëgjuar ta përsëris çdo ditë kurdo dhe kudo që të mundem këtë që do t’ju them. Në këto zgjedhje ka diçka që është përtej të gjitha punëve tona të përditshme. Ka diçka që është përtej të gjitha nevojave të çdo komuniteti në jetën e përditshme. Ka diçka që eshte përtej gjeneratës time, gjeneratës tonë dhe ka diçka që lidhet drejtepërdrejtë jo thjeshtë me partinë tonë, pa diskutim as me asnjë parti tjetër, por lidhet drejtpërdrejtë me fatin europian të Shqipërisë.
Rrethanat kanë dashur që në 11 maj ne të kemi një palë zgjedhje politike, ndërkohë që ne po negociojmë anëtarësimin në BE dhe për herë të parë qysh se ne kemi filluar ta ëndërrojmë ditën kur do të jemi anëtarë të barabartë të BE, ne kemi një mundësi reale dhe aktuale që të bëhemi anëtare të BE. Nuk e kemi pasur deri përpara disa kohësh, por ajo që unë dua që ju dhe të gjithë ta kuptojnë është që mund të mos ta kemi pas disa kohësh. Nuk e kemi pasur deri përpara disa kohësh sepse pavarësisht se ne kemi bërë detyrat tona, pavarësisht se ne e kemi bërë punën tonë për të ecur më tutje në rrugën e anëtarësimit, pavarësisht se KE që merret me shqyrtimin e punës së bërë e të detyrave të kryera ose jo nga vendet që duan të anëtarësohen, tre herë rresht ka konfirmuar që Shqipëria i ka bërë detyrat e veta dhe tre herë rresht i ka kërkuar 27 vendeve që të bien dakord që Shqipëria të hap negociatat, ju e dini shumë mirë.
Ka dalë një vend një herë, pastaj një vend një herë tjetër, pastaj po ai vendi i parë për herë të tretë dhe kanë thënë jo. Ne kemi dashur. Ata nuk kanë dashur. Dhe ajo që na kanë përsëritur në vijimësi ka qenë: e ardhmja juaj është këtu tek ne, ju do punoni dhe më shumë, kur t’i kryeni të gjitha detyrat ju do bëheni një nga ne, etj.
Por ama, unë që jam dëshmitari nga shumë brenda i këtij procesi, kurrë më parë deri tani që flasim nuk e kam parë atë që shoh sot dhe nuk e kam dëgjuar atë që dëgjoj sot, ashtu sikundër së bashku me të gjithë ata që merren me këtë proces nuk e kemi prekur konkretisht atë që prekim sot. Dëshirën e tyre që kjo të ndodhë! Dëshirën e tyre që Shqipëria të bëhet anëtare e BE! Dhe natyrisht kjo nuk ka ardhur ngaqë ne kemi bërë ndonjë mrekulli. Ne kemi bërë detyrat tona. Ne kemi bërë atë që unë e kam përsëritur gjithmonë. Sa herë na thoshin jo, unë thosha vazhdojmë punën. Një ditë do na thonë po dhe atë ditë ne duhet të kemi shkuar përpara njësoj sikur t’i kishim hapur negociatat kur na thanë jo, që do të thotë të na gjejnë me shumë detyra të bëra paraprakisht dhe kështu ka ndodhur. Por ama kjo nuk mjafton. Duhet dhe ata të duan dhe ata sot duan të zgjerojnë BE. Atyre sot i duhet patjetër që të japin një mesazh gjithë botës, që Europa, BE po zgjerohet dhe për ta bërë këtë ka vetëm dy vende që mund të anëtarësohen shpejt në BE: Shqipëria dhe Mali i Zi.
Besoj që është e qartë për të gjithë ata që ndjekin sadopak lajmet që pse ata duan sepse bota është në një situatë tjetër, sepse gjeopolitika në përgjithësi është në një situatë tjetër sepse ekuilibrat janë lëkundur dhe ka një moment rikompozimi të gjërave.
Atëherë, pikërisht në këtë moment, pikërisht për këto arsye, yjet e fatit tonë dhe yjet e Europës janë bërë bashkë dhe për herë të parë ne dhe ata duam të njëjtën gjë dhe e duam tani, duam që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian.
Kijeni paraysh që është hapur një derë që nuk do rrijë hapur aty gjithmonë. Dera e zgjerimit hapet dhe mbyllet, ka ndodhur në të shkuarën, mund dhe me siguri do të ndodhë përsëri.
Çfarë na takon ne të bëjmë? Ne na takon që ne të bëjmë gjithçka, gjithçka, jo ne këtu, jo familja jonë socialiste kudo ku është, por shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre dhe pavarësisht përkatësive partiake, tani si shqiptarë na takon të bëjmë gjithçka që ne të hyjmë në atë derë para sesa ajo derë të mbyllet prapa nesh.
Tek kjo gjithçkaja është futur në mes 11 maji. Mund të kishte ndodhur që ky process, që faktikisht, ka filluar zyrtarisht me uljen tonë në tryezën e negociatave vjet dhe kemi rënë dakord me ata që ta mbyllim në 2027, pra në 3 vjet mund të kishte ndodhur që të mos kishte zgjedhje në mes dhe do të kishte qenë më e lehtë. Janë futur zgjedhjet në mes.
Zgjedhjet në mes mund, larg qoftë, ta komplikojnë nëse mesazhi i zgjedhjeve do të jetë paqartësi, do të jetë konfuzion i brendshëm, do të jetë një mesazh që nuk do jetë i fortë mjaftueshëm për shkak të musteqeve të Kujtim Gjuzit, musteqet e Çelos.
Nëse, ama, mesazhi do të jetë shumë i fortë dhe të gjithë shqiptarët do të shkojnë tek numri 5, pavarësisht nëse janë apo nuk janë me Partinë Socialiste, pavarësisht nëse duan apo nuk duan për shumë arsye mua apo gjithë këta pjesëtarët e kësaj skuadre, por do shkojnë tek numri 5 sepse duan apo nuk duan që të gjithë, është Partia Socialiste sot në vendin e duhur dhe në kohën e duhur siç ishte Partia Demokratike në ’92-shin. Nuk është se të gjithë ata që e votuan masivisht e donin, por ama, shumë nga ata që e votuan masivisht, atëherë e votuan sepse i dhanë prioritet zgjedhjes kombëtare gjeopolitike të Shqipërisë. Boll më me të shkuarën, boll më me atë sistem që përfaqësohej në atë moment nga një parti tjetër dhe të gjithë përqafuan, praktikisht, Europën, përqafuan botën, përqafuan ekonominë e tregut etj.
Sot duhet që shqiptarët të përqafojnë të gjithë Bashkimin Europian duke i dhënë Brukselit, duke i dhënë të 27-të vendeve anëtare një mesazh shumë të qartë; që Partia Socialiste që sot është këtu, është në qeveri, nuk lëviz nga qeveria në të gjitha rastet sepse këtu nuk po diskutojmë fitoren aritmetike, këtu nuk po diskutojmë a do kemi ne 71 apo nuk do kemi ne 71, këtu po diskutojmë a do jetë Shqipëria në gjendje, populli shqiptar t’i japë një mesazh shumë të fortë Europës që një force si e jona që bën edhe fushatën për këtë flamur bashkë me atë flamur ka të gjithë mbështetjen për t’i çuar negociatat deri në fund.
Negociatat nuk janë muhabet, negociatat janë një punë e jashtëzakonshme. Tani që ne flasim, dhe kijeni parasysh çdo mëngjes kur shkoni në punë ose çdo mëngjes kur ju uleni në kafe, janë 1000 persona, vajza dhe djem, moshatare 35 vjeç që shkojnë në zyra dhe punojnë deri natën vonë për negociatat, janë 40 skuadra dhe çdo javë Adea që është këtu dhe Majlinda që është ministrja tjetër e Shtetit dhe që është Kryenegociatore, ulen përballë Komisionit Europian për të dhënë llogari “Çfarë keni bërë, çfarë ka bërë Shqipëria” dhe jo çfarë ka bërë vjet, por çfarë ka bërë javën e shkuar. Çdo javë, çdo javë, çdo javë, sepse ndryshe nuk mbyllen negociatat në 2027 dhe 11 maji duhet të jetë i tillë, shumë thjeshtë, që në ndërkohë që ne të tjerët të numërojmë votat në 12 maj, 1000 njerëzit që fola të vazhdojnë punën qetësisht dhe të mos ketë asnjë luhatje që “Çfarë do bëhet? Po tani?”.
Është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar dhe është historike për të mos u mbështetur dhe për të mos u kuptuar, është një gabim historik, është një gjë që mund të ngelet për dekada të tëra një pishman i madh. Ne shqiptarët nuk është se nuk e kemi humbur në të shkuarën trenin e historisë, për arsye nga më të ndryshmet, por ama e kemi humbur trenin e historisë.
Tani në 11 maj kalon treni i historisë, jo për Partinë Socialiste, jo për këtë grup deputetësh, jo për 71 mandatet; kalon treni i historisë për të mbyllur negociatat dhe për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
Të thuash që “Procesin mund ta bëjnë të tjerët, mund ta bëjnë dhe të tjerët, pse çfarë ka?” është të mos kesh kuptuar asgjë. Nuk mund ta bëjnë dot, të tjerëve do t’u duheshin, në rastin më të mirë, sikur të mos kishin pasur asnjë ditë njomje të të ndenjurave në kënetë, në rastin më të mirë jo më që ata janë në kënetë, flenë në kënetë, zgjohen në kënetë, hanë në kënetë, flasin në kënetë, bërtasin në kënetë, këndojnë në kënetë, do t’ju duhej, në rastin më të mirë 6 muaj kohë për të kuptuar se ku janë. 6 muaj kohë do të thotë që nuk bëhet 2027 sepse dhe kështu siç është, ne çdo ditë duhet të bëjmë detyrat dhe nuk u bë 2027? Dera mbyllet dhe në momentin që mbyllet dera, ne pësojmë siç e ka pësuar Maqedonia, që merreni me mend, është bërë kandidate për Bashkimin Europian në 2005. Maqedonia është bërë kandidate për Bashkimin Europian kur Kejsi, deputetja e Kamzës ishte në maternitet dhe sot Maqedonia është me emër tjetër, ka ndërruar dhe emrin, Maqedonia e Veriut, dhe nuk dihet se kur mund t’ia hapin negociatat.
Ka disa që thonë “Ohu, sa herë e kemi dëgjuar ne këtë muhabet. Eh more Rame”, mua Rame më thotë vetëm Luli, por “Eh mor, prapë do ti mandat tjetër, nuk të dolën ty 12 vjet për të na futur në BE, prapë me BE-në ti?”
Mirë pra, por nuk dinë disa gjëra shumë të thjeshta. Ne negociatat i kemi hapur zyrtarisht dhe jemi ulur në tavoline vjet. A e dini kur i ka hapur Mali i Zi? Në 2012 dhe atje nuk i thonë, hë mos se prapë, prapë thoni do iu fusim. Se kjo është një betejë ku ti nuk je vetëm. Është një betejë ku ti bën punën tënde dhe janë 27 të tjerë që ti duhet t’i sjellësh në një mendje që të thonë: vazhdojmë! E dini kur i ka hapur Serbia negociatat? Në 2014 Serbia ka hapur negociatat ndërkohë që ne akoma nuk kishim marrë statusin e kandidatit dhe më besoni mua, më shihni mua kur ju them që na janë dashur disa vite që të fillojnë ata andej të ngrenë sytë dhe të në shohin në sy kur ne flisnim për të hyrë në Bashkimin Europian që ti ngrenë sytë si fillim që të na shohin edhe të mos rrinë kështu me sy ulur që hajde, hajde flisni ju se kemi ca punë të tjera.
Kroacia ka negociuar dhe Kroacia është një nga shembujt më të shkëlqyer, ka negociuar 7 vjet. Tashti ne na është dhënë mundësia të negociojmë tre vjet, të mbyllim negociatat dhe të hyjmë në Bashkimin Europian. Tani ça duhet më këtu për të kuptuar?
Sa rëndësi ka këtu tani tifozllëku partiak; jam me Kujtim Gjuzin, jam me ku di unë kë tjetër, jam me bufin e kënetës, jam me këtë. Unë nuk i dua komunistët, gjyshin ma kanë vrarë komunistët. Unë di këtë, asnjë gjysh që është në botën tjetër dhe që e ka marrë pushkën në Luftën e Dytë Botërore qoftë me një anë, qoftë me anën tjetër nuk do hezitonte për të bërë gjënë e duhur më 11 maj, sepse anëtarësimi në Bashkimin Europian është për gjithë jetën, nuk është për katër vitet e ardhshme. Ndërkohë që humbja e këtij shansi mund të jetë për kushedi sa vite të tjera qëndrim në vend.
Tani të jesh një qytetar i këtij vendi në një moshë të re, që do të shkosh edhe të provosh gjëra të tjera, mundësi të tjera. Sot nuk e bën dot, nuk e bën dot. Sot me pasaportën që ne kemi, lëviz lirisht, por nuk ndalon dot lirisht. Ne kemi drejtë të lëvizim, po s'kemi drejtë të ngulemi asgjëkund, përveç këtu. Ata që ikin dhe duan të ngulen, fillojnë kërkojnë azil bëjnë sikur janë të persekutuar, ndërrojnë emra, bëjnë sikur vijnë nga ndonjë vend tjetër, punojnë në të zezë, fshihen derisa i kapin, i kthejnë mbrapa. Të rinj që duan të qëndrojnë, as që shkon mendja të kthehen, se kanë harxhuar disa lekë për të shkuar edhe futen me krimin e organizuar, se s'ka rrugë tjetër për të ngrënë bukë. Pra, është pasaporta jonë, ajo që kemi sot. Është liri lëvizje, nuk është liri qëndrimi. Pasaporta europiane e Shqipërisë, në momentin që ne bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, është pasaportë që të jep, jo vetëm lirinë të qëndrosh ku të duash brenda gjithë perimetrit të Bashkimit Europian, po t'i jep të gjitha liritë dhe të gjitha të drejtat në çdo pikë brenda atij perimetri.
Shkojmë sot në aeroport, dil këtej, ne lëvizim pa viza, po duhet të dalim mënjanë, duhet të futemi në një radhë tjetër, ndërkohë që është një korridor atje me këto yjet, të gjithë ata ikin dhe veçse kur ngelemi ne atje në radhë duke pritur që të kalojmë para një polici, ai merr pasaportën, sheh kështu nga drita, “ku po shkon? Sa lekë ke me vete? Kush të ka ftuar? A ke rezervim në hotel? Sa do rrish? Kur të ikësh”? Keni parë ju ndonjëherë që të shkosh në një vend dhe sa pa u futur brenda, ato të thonë kur të ikësh, vetëm shqiptarët ose ballkanasit e tjerë kur duan të futen në BE.
Dhe pastaj brenda jemi të huaj, edhe studentët shqiptarë janë të huaj. Nuk shkojnë dot në çdo universitet, siç shkojnë studentët e Bashkimit Europian duhet të shkojnë tek kuotat e veçanta, duhet të paguajnë tarifa më të shtrenjta kanë të tjera trajtime nga ata që janë në shpinë të tyre. Tani të kushtojë kjo gjë një votë, një votë që ti të bëhesh pjesë e kësaj dhe që ti ta investosh votën, që të marrësh pasaportën europiane ti vetë dhe gjithë familja jote dhe ti ta marrësh votën e ta hedhësh në kënetë. Kot, kot, duke, jo për ndonjë gjë, se këneta nuk ka shans të fitojë, por duke thjesht dobësuar mesazhin që duhet t'i japë Shqipëria Bashkimit Europian në 11 maj.
Ça kuptimi ka kjo? Të kesh sot një fëmijë 14 vjeç në 2025, që në 2029 do bëhet 18 vjeç dhe do filloj të kërkoj të shkoj në universitet dhe ti të mos votosh që kur fëmija jot të jetë 18 vjeç, të ketë pasaportën e BE-së edhe të shkojë ku të dojë për studime si student europian. Çfarë kuptimi ka kjo? E ku ta çosh votën? Ku ta çosh, në kënetë ta hedhësh, apo ta çosh në ato moçalet e tjera. Janë ca moçale të tjera aty. Aty ku janë të gjithë kushërinj me kënetën. Ça kuptimi ka kjo? Ndërkohë që është vetëm një votë për të bërë krahasimin. Gjyshërit e të dyja anëve morën pushkën, lanë kockat atje për lirinë dhe për t’u bërë pjesë e një gjëje më të madhe. Secili siç e shihte.
Ty nuk të kërkohet të lesh kockat, ty të kërkohet thjeshtë që bufin e kënetës ta lësh në fatin e vet dhe me votën tënde ti buzëqeshësh fatit Europian të Shqipërisë.
Doni, jo ju se ju jeni të qartë, po iu them atyre, merre shikoni këtu në Tiranë, shikoni skuadrën tonë dhe merrni shikoni listën e mbyllur këtu në Tiranë. Lista jone e mbyllur është me njerëz të rinj ka një moshë shumë më të re se lista e tyre e mbyllur, ka nuk diskutohet më shumë gra dhe vajza se lista e tyre e mbyllur dhe ka aty brenda ekzaktësisht filozofinë e gjithë kësaj skuadre dhe të gjithë vizionit tonë. Një parti e re, për Shqipërinë në BE. Ne sot, jo vetëm që duam të marrim mandatin e katërt, po me këtë skuadër kemi bërë një investim për Partinë Socialiste 2030.
Merre tani shiko listën e tyre të mbyllur, shife listën e tyre të mbyllur. I shifni ju? I ndiqni ju ato që nxjerr unë me bufin, keni parë ato që kanë ato gropat në pemë që futen atje dhe rri njëri ke ajo rrumbullakja dhe pastaj dalin nga sqetulla të tjerët. Ajo lista e tyre e mbyllur është fiks ajo gropa, një gropë në pemë, bufi i kënetës aty dhe bufat e vegjël që i ka mbledhur aty, pse?
Se është listë për opozitë, nuk është listë për të marrë qeverinë. Ajo është listë që kur të humbë bufi, të bëjë atë që bën gjithmonë, ‘’më vodhën, na i vodhën, revolucion’’ dhe mos ketë aty asnjë që t’i thotë: ‘’o buf, po boll, boll.’’ Kjo është listë për opozitën. Lista e solli shembullin dhe e përsëris, kujtuan ata zhapikët e vegjël të kënetës që plasi peshku dhe u bë demokraci aty dhe filluan të gjithë të fluturojnë, zogjtë e vegjël aty primare. Kujtuan se u bë këneta kos dhe o burra në primare. I pari i primareve, i pari në gjithë Tiranën, në gjithë qarkun, ai i Kavajës. Merreni listën, kërkojeni, s’është. Ku është? E ka ngrënë bufi. S’është ai. E kullufiti bufi. Tani kjo nuk është për ju, kjo është për ata që jetojnë në këtë Tironë, në këtë Tiranë, si të doni, me të gjitha llojet e aksenteve. Në këtë Tiranë që është sot një kryeqytet që ka një aeroport me numrin më të madh të pasagjerëve në të gjithë Ballkanin dhe që e ka tejkaluar Beogradin. Në këtë Tiranë që nga një kënetë e madhe është bërë një destinacion turistik, në këtë Tiranë që unë që po shkoj me Ogertën në këto shtabet e njësive, dal nga makina dhe duhet të orientohem se ka ndryshuar katërcipërisht. Tani, të jetosh në këtë Tiranë edhe të vësh në diskutim se ça do të bësh në 11 maj, kjo është të kesh probleme me shikimin, me dëgjimin ndërkohë që këtu nuk është, edhe një herë e them, çështje PS, kënetë e ku di unë, euroatlanikët se janë dhe euroatlantikët. Është një forcë e re. Këtu çështja është ky flamuri të jetë ngjitur me këtë flamurin dhe duke qenë se ne e kemi Albania, të jetë i pari në radhë dhe këta 27 të tjerët që kemi kaq kohë e kaq kohë që u shkojmë nga prapa, të jenë prapa nesh atje me radhë.
Dhe e fundit për të mos u zgjatur më tutje, se ju e dini që unë flas shkurt, e fundit; BE, s’e ka ca që thonë BE ka probleme për vete, ç’punë kemi ne në BE e ku di unë, histori. Në fakt, BE, është e vërtetë, ka probleme po me kë ka probleme BE? BE ka probleme për ata që janë më të mëdhenjtë sot sepse BE është e organizuar si një familje ku ka më rritur, ka dhe më të vegjël dhe mënyra si funksionon ajo familje është që ata që janë më të mëdhenj dhe më të fortë, japin lekë, japin euro për ata që janë më të vegjël, që janë më të dobët, që të rriten dhe prandaj ajo familje është e ndarë, kontribuuesit dhe përfituesit. Kontribuuesit, Franca, Gjermania, Holanda, Danimarka japin në BE më shumë se marrin para nga BE por sigurisht atyre BE iu duhet për të gjitha gjërat e tjera, tregun e përbashkt etj. Atyre BE iu duhet ekzaktësisht për ato gjëra që duke ikur nga BE, Britania e Madhe i humbi dhe tani s’po di të gjejë rrugën ndërkohë që Shqipëria në momentin që futet në BE, është një nga vendet që do përfitojë dhe po iu jap shembuj shumë të thjeshtë. Sot, në 10 vjet që jemi ne.. ne kemi marrë nga BE në 10 vjet total, mbështetje pak më shumë se 1 miliardë euro, si mbështetje zhvillimore. Futemi në BE, çdo vit kemi më shumë se 1 miliardë euro mbështetje. Për bujqësinë, dëgjojeni këtë, ne kemi marrë nga BE në gjithë këto vite më pak se 200 milionë euro, që prapë janë shumë me ç’merrnim më parë, më pak se 200 milionë euro në 12 vjet. Futemi në BE, çdo vit 300 milionë euro. Tani, ti je fermer, e ç’po të duhet ty këneta, e ç’po të duhet ty bufi i kënetës? E ç’po të duhet ty Edi Rama një herë? Të gjithë në 11 maj duhet të mendojnë atë fjalinë që bëri Kinën që është sot. “Nuk ka rëndësi ça ngjyre ka macja, rëndësi ka që macja kap minjtë”. Nuk ka rëndësi ça ngjyre ka kjo forcë politike dhe nuk ka rëndësi se si jam veshur unë, rëndësi ka që unë bashkë me këtë forcë politike fusim Shqipërinë në BE.
Tani, mos na e prishni- duhet t’u thoni atyre, se juve s’na e prishni, na e prishin ata. Mos na e prishni se i kemi rrethuar. Unë e di se ça kemi hequr për t’i rrethuar, unë e di se ça kemi hequr për të ndryshuar atë opinionin e tmerrshëm, unë e di ça kemi hequr për t’i bërë që të na shohin në sy, pastaj për t’i bërë që të na shohin drejt në sy dhe pastaj që mos t’i ulin sytë kur ne i shohim drejt në sy. Tani, hidheni atë votë.
Hidheni atë votë! Jo ju, se ju të hedhur e keni. Flas për ata. Hidheni atë votë se nuk po hidhni shpirtin aty. Hidheni atë votë edhe kapni miun se ndryshe mbetët me bufin. Kjo është e gjitha, ky është 11 maji dhe të gjitha të tjerat pastaj ne do t’i themi ça kemi bërë, ku ishim, ku jemi, ku do jemi në 2030, sa ishin pagat, sa janë, sa do jenë; sa ishin pensionet, sa janë, sa do jenë. Po edhe me pensionet, doni ju që ne pensionet t’i shtojmë më shumë se ç’kemi mundësi? Na duhen para! Jepeni votën dhe pastaj do të kemi më shumë para dhe ato që marrim për bujqësinë nga BE i çojmë tek bujqësia, këto që ne ia japim bujqësisë se s’kemi BE-në, i çojmë tek pensionet. Pra duhet të kemi më shumë dhe BE na jep më shumë. Tani t’i thuash jo një familjeje,një krushqie, kjo është krushqia më e jashtëzakonshme që mund të bëjë Shqipëria. Është krushqia që ka kërkuar Skënderbeu, jo me BE-në, por me Perëndimin, me Europën. Është krushqia që kërkonin rilindasit. Nuk tha kot Naimi shkretë: ne shohim andej ku dielli lind aty ku perëndon. Domethënë Europa është krushqia që donin të tërë ata që dolën në ’90-ën. Është krushqia që duan tërë ata që emigrojnë.
Kanë vajtur emigrantë në Greqi: duam letrat, duam letrat. Grekët ia japin me pikatore. Jep votën, futu në BE, rri në Greqi dhe i thua kam të njëjtën pasaportë. A ju kujtohet kur ra COVID? Ata më shkruanin mua: shiko grekun, greku po jep bonus, greku po jep këtë”. Çfarë jepte greku? Nuk i jepte greku ato, ato i jepte BE ekstra, se kur ndodh një krizë siç ndodhi Covid, BE hap thesin dhe ia shpërndan të gjithëve se është familje. Ne rrimë në telefon duke u lutur për avionë për të shuar zjarrin, BE ka të gjithë rrjetin e avionëve dhe kur je në BE ke ti pjesën tënde, etj. Tani kjo është krushqia më e bukur që na ka rënë ne. Ky është fati që na ka rënë në derë. Kemi bërë krushqi me lloj - lloj çudirash. Gjithmonë nga Lindja, nga Lindja. Tani ka ardhur koha ta mbyllim këtë fejesën e gjatë. Mbetëm të fejuar. Jo unë, se unë jam martuar disa herë. Dhe e di shumë mirë, martesa e duhur është shpëtim. Mua më mori ca kohë, por shpëtova. Tani duhet të shpëtojmë Shqipërinë, të bëjmë martesën e duhur. Nusen më të bukur ta fusim në familjen më të fortë.
Imagjino një demokrat që thotë “nuk e japim nusen ne se do pyesim bufin”. Si more se jep nusen, do ta mbash në derë, të të plaket në dorë? Ky është 11 maj.
Ju faleminderit shumë!
Komente
