I.Procesi i pashmangshëm i globalizimit paraqet sfida të ndryshme për të gjithë komunitetin njerëzor në përgjithësi dhe nga këto sfida, pa dyshim, nuk mund të përjashtohet edhe rajoni ynë. Në këtë botë globale, influencat e grupimeve të ndryshme nga jashtë dhe brenda vendit, bëhen më të mëdha, qofshin ato pozitive që ndihmojnë në dialogun dhe forcimin e vlerave, apo ato negative që i mbyllin brenda vetes komunitetet, duke e vështirësuar dialogun dhe duke e fragmentizuar shoqërinë dhe si pasojë, duke e dobësuar bashkëjetesën dhe mirëkuptimin. Ne jemi të ndërgjegjshëm se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në një vend, nëse vendet fqinjë nuk kanë paqe dhe stabilitet. Të gjitha vendet e rajonit preken nga njëri-tjetri.
Ne jetojmë në një rajon multi-fetar dhe, ndonëse në forma të ndryshme, të gjitha vendet e rajonit përballen me të njëjtat sfida të mëdha. Mbas rënies së komunizmit, në shkatërrimin institucional, ekonomik dhe politik dhe në vakuumin e madh moral dhe shpirtëror që u shkaktua nga kjo rënie, ekstremizmi gjeti një terren të përshtashëm. Grupime të ndryshme politike u përpoqën të shfrytëzonin ndjenjat kombëtare dhe fetare për të realizuar qëllimet e tyre politike, duke krijuar kështu një vorbull të madhe urrejtjeje, konfuzioni dhe vuajtjeje. Për më tepër, ata u përpoqën t’i japin ndonjëherë luftës karakter fetar, duke dashur të shfrytëzojnë energjinë e madhe që lind kur dikush mendon se po i preket besimi. Me ironi, shumë njerëz në Ballkan i kanë quajtur këto luftra “luftërat fetare të ateistëve”. Gjithashtu, i njëjti fenomen ka ndodhur edhe në disa vende të tjera në rajonin e madh të Mesdheut: përdorimi i fesë, duke e deformuar atë, për të realizuar qëllime politike. Për këtë arsye roli i fesë, mbas dështimit të shumë ideologjive, ka marrë një përparësi dhe komuniteteve tona iu duhet të përballen me këto sfida dhe të gjejnë zgjidhje origjinale dhe krijuese, si pjesë e përgjegjësisë së tyre globale.
Shoqëria e sotme njerëzore ndodhet në një udhëkryq dhe konfuzion të madh shpirtëror ku manipulimi zë vend shpejt. Konfliktet e mëdha, si ndërmjet personave ashtu edhe grupimeve më të mëdha, përplasjet ndërmjet popujve dhe shteteve të ndryshëm mund të bëjnë një rrezik të madh për paqen. Është e rëndësishme që besimet fetare të artikulohen qartë kundër dhunës dhe intolerancës dhe të jenë më të zëshëm, të forcojnë dialogun dhe bashkëveprimin, duke i mbyllur të gjitha shtigjet nga ku mund të kalojnë rryma dhe propaganda që nxisin urrejtjen dhe ndasitë. Feja duhet të shërbejë për të promovuar paqen dhe harmoninë, si pjesë e rëndësishme e predikimit të saj. Ne duhet të predikojmë vazhdimisht, me fjalë dhe me vepra, sesi besimet tona e konsiderojnë personin njerëzor dhe se çfarë qëndrimi duhet të kemi ndaj njeri-tjetrit. Gjithashtu, këto nuk duhet të mbeten vetëm një temë e rretheve të mbyllura teologësh dhe të teksteve dogmatike, por të përhapen dhe të përthithen nga të gjithë besimtarët tanë. Dialogu, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërfetar është i nevojshëm që rajoni ynë të ruajë paqen, bashkëjetesën dhe stabilitetin.
Meqenëse përfaqësuesit e komuniteteve te tjera fetare të rajonit të Mesdheut do ti shpjegojnë më mirë se unë pozicionet e tyre rreth paqes dhe bashkëjetesës dhe sesi e konsiderojnë ata personin njerëzor, unë do të flas kryesisht rreth qëndrimit të Kishës Ortodokse për këtë temë.
II
Ne jetojmë në një botë ku nuk ka paqe, në një botë mizore dhe trazirash ku padrejtësitë, konfliktet dhe luftrat po shkaktojnë vuajtje, shkatërrime dhe mjerim të madh, sepse nuk ka paqe atje ku është e keqja, siç thotë profeti Isaia (Is. 48:22). Është detyra e çdo të krishteri të përpiqet për paqen, sepse paqja jonë personale realizohet në paqen e të gjithëve dhe merr dimension komunitar. Krishti është paqja jonë – shkruan Shën Vasili i Madh – ai që kërkon paqen kërkon Krishtin…, pa një qëndrim paqeje ndaj të gjithë njerëzve, askush nuk mund të quhet shërbëtor i vërtetë i Krishtit.
Duke u mbështetur në antropologjinë e krishterë se Perëndia bëri prej një gjaku çdo komb njerëzish (Veprat 17:26), Kisha e shikon unitetin njerëzor më thellë dhe nevojën për dialog dhe dashuri ndërmjet popujve si të domosdoshme. Ndonëse Kisha Ortodokse nuk ka ndonjë doktrinë të luftës së shenjtë apo të drejtë, ajo duhet të jetë gjithmonë vigjilente dhe duhet të këtë një zë më të fortë dhe më të qartë kundër luftës dhe, sidomos kundër përdorimit të fesë në konfliktet etnike ose politike. Në vitet e fundit, shumë zëra janë ngritur kundër përdorimit të fesë në këto konflikte. Një zë i fortë ka qenë ai i Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastas, moto e të cilit “vaji i fesë nuk duhet të përdoret kurrë për të ndezur konfliktet, por për të zbutur zemrat dhe lehtësuar plagët”, është bërë tashmë një pohim klasik jo vetëm në Ortodoksi, por edhe më gjerë.
Krishterimi mbetet gjithmonë pozitiv ndaj çdo personi, duke mbajtur gjithmonë parasysh se çdo njeri është krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe gjithsecili është i afërt i gjithsecilit, sepse origjina hyjnore e çdo njeriu nuk ka humbur, edhe kur konceptet e tij fetare janë të gabuara. (Shih Paravolinë e Samaritanit, Lk. 10:25-37). Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se duke respektuar dinjitetin e çdo njeriu nuk po i bëjmë atyre një favor, sepse dinjiteti iu është dhënë atyre nga vetë Perëndia, por po ndihmojmë më shumë veten tonë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të përmbushet natyra jonë njerëzore. Pa një ndriçim shpirtëror, pa vlerat fetare të kultivuara në shekuj, pa faljen dhe dashurinë dhe respektin për çdo qenie njerëzore, kushdo qoftë ai, është vështirë që arrihet paqja.
Një tjetër rrezik për paqen sociale, pa të cilën nuk mund të ketë paqe ndërmjet popujve dhe shteteve, është hendeku i madh ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Vendet e pasura në rajonin tonë duhet të ndihmojnë vendet e varfëra, sepse pa ngushtuar hendekun social do të ketë gjithmonë trazira dhe ekstremizmi dhe populizmi do të lulëzojnë. Sot egoizmi dhe të menduarit vetëm për veten, po bëhen një armik i madh për paqen.
Perëndia na ka bekuar me një rajon të bukur. Prandaj të gjitha përpjekjet tona duhet përqendrohen për të parandaluar që deti ynë i Mesdheut të kthehet në një varr, por në një rajon ku të mbizotërojë paqja, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa, sepse kështu përmbushim vullnetin e Perëndisë. Këtë mund ta realizojmë duke iu kundërvënë çdo forme të dhunës dhe persekutimit dhe sidomos kundër nxitësve të luftërave dhe urrejtjes, sepse urrejtja nuk vjen nga Perëndia. Shën Joan Gojarti shkruan: “Perëndia nuk është Perëndi e luftës. Të bësh luftë do të thotë të deklarohesh vetë kundër Perëndisë, si edhe kundër të afërmit tënd. Të jesh në paqe me të gjithë njerëzit është ajo që Perëndia, i cili i shpëton ata, kërkon nga ne. Lum paqebërësit, sepse ata do të quhen bij Perëndie (Mt. 5:9). Si duhet ta imitojmë Birin e Perëndisë? Duke kërkuar paqen dhe duke e ndjekur atë.”