Evropa Jugore po përballet me një valë të nxehti të jashtëzakonshme, me temperatura që arrijnë deri në 42°C, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë për një kombinim vdekjeprurës kushtesh klimatike, të cilin e kanë cilësuar si një “koktej Molotov”, që po nxit përhapjen e zjarreve të mëdha në rajonin e Mesdheut.
Në Francë, Météo-France vendosi mbi gjysmën e territorit të vendit në alarm për valën e të nxehti. Të dielën u vu nën kontroll zjarri më i madh që nga viti 1949, teksa autoritetet konfirmuan vdekjen e një personi, ndërsa 20 zjarrfikës dhe pesë civilë mbetën të plagosur.
Në Spanjë, agjencia Aemet paralajmëroi për “rrezik ekstrem” në Zaragoza dhe në rajonet e Baskisë, duke lëshuar alarme të verdha dhe portokalli në pjesën më të madhe të vendit.
Të dy agjencitë parashikojnë temperatura mbi 40°C gjatë ditëve në vijim dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, duke theksuar se disa pjesë të kontinentit pritet të përjetojnë një valë të nxehti "shumë intensive, madje edhe të jashtëzakonshme".
Ekspertët janë alarmuar nga temperaturat ekstreme, ndërsa zjarrfikësit përballen me vështirësi në përballimin e zjarreve të egra.
Në Itali, ku të mërkurën pritet që temperaturat në Firence të arrijnë 40°C, shtigjet turistike në malin e Vezuvit u mbyllën të dielën, për shkak të një zjarri që shpërtheu në shpatet e vullkanit.
Në Spanjë, zjarret në rajonet Leon dhe Zamora detyruan më shumë se 1,000 banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që në Galicia vazhdojnë të digjen sipërfaqe të mëdha pyjore.
Cristina Santin Nuno, shkencëtare për zjarret në Këshillin Kombëtar të Kërkimeve Shkencore të Spanjës, thotë se numri i madh i zjarreve ishte i pritshëm pas një pranvere të lagësht që ndihmoi në rritjen e bimësisë, e cila më pas u tha nga i nxehti ekstrem, erërat e forta dhe mungesa e gjatë e reshjeve.
“Nëse kësaj i shtojmë edhe faktin se është relativisht e lehtë që një shkëndijë të ndezë zjarrin në këto kushte, atëherë kemi të gjithë përbërësit e një ‘koktej Molotov’, që po e shohim aktualisht”, tha ajo.
Meteorologët francezë njoftuan se të hënën dhe të martën pritet të thyhen rekorde të temperaturave, sidomos në jugperëndim, ku temperaturat do të kalojnë 42°C.
Sipas shkencëtarëve, planeti është ngrohur me rreth 1.4°C për shkak të ndotjes nga karburantet fosile.
Komente
