Papa Leoni XIV

Opinion
Periferi

Mesha e të dielës, ose hapsira e himnit të ritualeve dhe jetës së ngadaltë

29 Qershor, 13:46| Përditesimi: 29 Qershor, 14:00

  • Share

Ndërkohë që bota ecën me shpejtësinë e dritës dhe të modernizimit, kur çdo gjë jeton pak dhe ka peshën e një klikimi apo një “vizualizimi”, është një hapsirë, ajo e Kishës katolike, por me siguri dhe të ritualeve të tjera fetare në botë, që këmbëngul të rezistojë nën peshën e simboleve, figurave, mesazheve, fjalëve, këngëve, me dëshirën për të kapur më të “duruarit” mes njerëzve që kërkojnë të arrijnë dhe të kuptojnë diçka për ekzistencën njerëzore në këtë mrekulli që quhet Tokë.

Mesha e kësaj të diele në Shën Pjetër, drejtuar nga Papa Leoni XIV, ishte një mrekulli mbushur me vargje, këngë, rite, mesazhe që shpërndaheshin mbi kokat e kardinalëve flokëbardhë që mbanin mbi trupin e tyre të gjithë palët e veshjeve e kapeleve, pavarësisht temperaturave të jashtëzakonshme të këtij fundqershori.

Do të doja të njihja me “fanatizëm” gjithçka u tha dhe shfaqet aty, nën 4 kolonat e mrekullueshme prej bronxi të krijuara nga Bernini, por ato 45 vite ateizëm alla shqiptar, na kanë lënë në këtë drejtim të gjymtuar e të paditur për të njohur domethënien e një shalli të bardhë me kryqe, të një këmishe të gjatë po të bardhë, të rripave, të shamive, të ngjyrave që përdoren për këtë apo atë mesazh. Qëndismat, altari, qirinjtë, temjani, gjestet, lëvizjet vijnë nga thellësia e shekujve për ta bërë njeriun më Njeri, edhe pse nuk është e lehtë.

Në kohën kur e gjithë bota vrapon, kur rrugët e metropoleve janë përherë të zhurmshme dhe plot me njerëz, kishat janë bosh. Barqe gjigande të zbukuruara nga artistët më të talentuar të kohëve, duket sikur janë gati sot të marrin ata që humbin rrugën.

Në një “chat” komunikimi të përbashkët me gazetarë, politikanë e njerëz të artit, i vetmi, i vetmi që ndodhet aktualisht në Gaza, është një prift katolik që po ndihmon atje me sa mundet. Duket sikur ritualet, vargjet, sakrificat, e bëjnë një prift të durueshëm edhe aty ku shumë të tjerë ja mbathin apo nuk mund të futen.

Ndërsa Papa Leoni përfundon meshën e gjatë dhe emocionuese, ndërsa largohet e nga pas i vijnë klerikë e kardinalë, shumë nga ata që janë në sallë ngrenë celularët për ta filmuar: Sikur pa e bërë atë video, duket sikur asgjë nuk ka ekzistuar, sikuar ata nuk ishin në atë sallë.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po zbatohet siç duhet rregullorja e re për plazhet publike në Shqipëri?