Mesila Doda: PD e bërë cope e çikë, e përthithi problematika e personave në krye, duhet të konceptohet një e djathtë e re moderne

15 Janar, 19:13| Përditesimi: 16 Janar, 07:47

  • Share

Deputetja e PDIU-së Mesila Doda e ftuar në “Kontrast” në Report Tv me Denis Mingën dhe Lorenc Vangjelin tha se opozita në këtë gjendje të fragmentarizuar nuk e mund dot mazhorancën. Në këtë moment që PD është bërë "copë e çikë" e ndërsa beteja bëhet për interesa persona, deputetja nënvizoi se ka ardhur koha për një “të djathtë të re moderne”.

“Fragmentarizimi i PD ka ardhur nga ky moment (9 shtator të 2021). Kur e largoi Berishën nga grupi filloi dhe lëvizja e Rithemelimit. Ndërkohë tani në këtë moment aty ka shumë deputetë të cilët nuk futen vetëm sepse është zoti Berisha i prekur. Një pjesë e madhe e deputetëve të zotit Bardhi futen sepse nuk ka hapësirë veprimi në Kuvend.

Të shohësh partinë e studentëve të bërë copë e çikë kështu është për të ardhur keq. Të gjithë grupet opozitare kanë pak fushë veprimi. Mendoj se kjo lëvizje do vazhdojë pavarësisht se Berisha është banesë. Edhe nëse do të donin të ndaleshin nuk kanë asnjë mundësi. Problemi është se mendjet politike janë shumë pak, nuk ka strategji nga ku nisemi dhe ku shkojmë, kjo ndjehet se është problem i të gjitha grupimeve. Më të qartë duken ata të grupit të Bashës që janë tërhequr dhe presin si do shkojë situata.

Ndoshta ka ardhur momenti të kuptojmë se partinë që e themeluam me shumë mund e përthithi problematika e personave në krye. Duhet të ketë një të djathtë të re moderne që duhet të dalë të përfaqësojë ato shtresa që nuk përfaqësohen më. Kështu si ka shkuar asnjë nga palët nuk e mund PS. Duhet të konceptohet një e djathtë moderne. Ne shikojmë që janë 5 ministri të ndryshme me katër portofole dhe 7 ministra shteti pa portofole. Nuk është menaxhim i mirë", tha Doda.

Ndalur te kaosi i Rithemelimit në Kuvend që shoqëroi edhe nisjen e sesionit të ri parlamentar, Doda thotë se opozita po punon kundër vetes.

“Duhet të mbanin fjalime të paktën kryetarët e grupeve, mirëpo situata nuk ka njohur asnjëlloj përmirësimi. Asnjë ndryshim nuk është bërë për të pasur një tablo ndryshe. Më kujtohet një nga ndërmjetësit që ka thënë një shprehje duke thënë se nuk e kuptoj më se kush është djalli dhe ëngjëjt. Ka kokëfortësi të çuditshme për të mos  i lejuar asnjë hapësirë opozitës. Edhe kjo e fundit, opozita ka kokëfortësi të çuditshme të punojë kundër vetes. E kanë tepruar të gjithë palët”, u shpreh deputetja.

Ora 19:53
'Askush nuk flet për Çamërinë', Mesila Doda: Janë vrarë shqiptarë, duan të harrohet

 

Teksa foli për 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, u forcat serbe vranë mbi 45 civilë në Kosovë, deputetja e PDIU Mesila Doda në emisionin “Kontrast” në Report Tv foli edhe për genocidin çam.

“Çamëria është krijuar në 10 janar të 1991. Askush nga presidentët, burrat e shtetit, e kanë të vështirë të bëjnë shënim për ditën e Genocidit të shqiptarëve të Çamërisë. Askush nuk flet. Janë vrarë 3 mijë shqiptarë në shtëpitë e tyre. I ftoj që siç e gjejnë kurajon për Kosovën të nderojnë historinë e tyre dhe të veriut dhe të jugut.  Është jo vetëm pa sens por nga ana e atyre që janë krerë të shtetit persona që kanë vendimmarrje e pakuptueshme që të mos bëhet asnjë shënim. Të nderojmë Reçakun, Çamërinë ku kanë humbur jetë njerëzish”.

Ora 19:35
Doda ftesë Kuvendit: T’i drejtohemi me rezolutë Greqisë që të heqë ligjin e luftës, më pas të kalohet te pakti për 'Detin'

 

Nga studioja e “Kontrast” në Report Tv deputetja e PDIU Mesila Doda i ka bërë ftesë Kuvendit që t’i drejtohet parlamentit grek përmes një rezolute duke kërkuar që të hiqet ligji i luftës me Shqipërinë.

“Jemi në një marrëdhënie me Greqinë në të cilën vazhdohet të mbahet një ligj lufte, vazhdon të mbetet si një atavizëm që nuk ka asnjëlloj sensi. Por jemi zyrtarisht dejure ne quhemi ende dy popuj armiq që janë në luftë. Do ftoja parlamentin e Shqipërisë që me një rezolutë ti drejtohej parlamentit të Greqisë ku të kërkonte heqjen e ligjit të luftës dhe të pasojave që ka sjellë ky ligj. Ti heqë dhe të gjitha pasojat që ka sjellë ky ligj. Kemi disa gjëra që ne duhet të na bashkojnë dhe këto janë ato momentet e dinjitetit kombëtar të cilët na thërrasin që të tejkalojmë çdolloj ndasie”.

Doda nënvizoi se pa u hequr ligji i luftës nuk duhet të kalohej në bisedime për zgjidhjen ne çështjeve të tjera që kanë mbetur pezull siç është marrëveshja e “Detit”.

“Gjëja e dytë është një kërkesë që i drejtohem presidentit meqë dhe ai ka qenë shumë i interesuar edhe për pjesën e dialogut ndërpartiak por edhe për çështje që kanë rëndësi të madhe kombëtare. Po kërkohet plotfuqishmëria për marrëveshjen e ujërave. Nuk e di si shkojmë të merremi vesh për ujërat kur ne jemi popuj në konflikt me njërit tjetrin. Të mbyllim konfliktin e armatosur, të mbyllin gjendjen e luftës dhe pastaj të rregullojmë tokën, detin e të gjitha problemet e tjera që kanë mbetur pezull”.

"Ata e kanë hequr ligjin e luftës me Italinë. Pse nuk e heqin dhe me Shqipërinë? Nuk ka llogjikë as njerëzore as juridike që të mbahet ky ligj lufte", shtoi deputetja.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?