Ekonomi

'Mësim' nga IPA dhe IPARD, qeveria strategji për të mbrojtur fondet e BE: Hetim 'pa radhë' abuzimeve, IT e sofistikuar për të 'kapur' shkeljet

20 Mars, 17:17| Përditesimi: 20 Mars, 17:38

  • Share

S’ka para pa siguri, madje asnjë qindarkë e taksapaguesve të BE-së nuk duhet të humbasë dhe duhet të rikuperohet nëse është keqpërdorur nga institucionet shqiptare. Këto kushte të Bashkimit Evropian kanë vënë në lëvizje qeverinë e cila ka miratuar strategjinë 2025-2030, për mbrojtjen e fondeve të BE-së nga keqpërdorimi.

Jo vetëm pas një përvoje dyshimesh për abuzime me fondet e IPARD II por edhe një sërë shkeljesh të identifikuara me fondet IPA të paraantarësimit, kanë bërë që Ministria e Financave në bashkëpunim me ndërkombëtarët të hartojë strategjinë 5-vjeçare ku ka listuar një sërë masash që do të ndërmerren për të mbrojtur interesat financiare të BE si dhe për të parandaluar mashtrimet.

“Strategjia fokusohet në identifikimin e risqeve ndaj të cilave mund të jenë ekspozuar fondet e BE-së, si dhe në përmirësimin e sistemeve të menaxhimit të kontrollit të brendshëm, në funksion të parandalimit të shfaqjes së këtyre parregullsive”, thuhet në relacion.

Strategjia e ndërtuar në 5 shtylla, ka prioritet edhe përfitimin e fondeve të humbura në të kaluarën për shkak të abuzimeve, si rasti i IPARD.

“Fakti që autoritetet kombëtare nuk arrijnë të rikuperojnë të gjitha ose një pjesë të fondeve nuk do ta pengojë Komisionin të rikuperojë fondet nga Shqipëria”, thuhet në strategji.

Auditimi i BE-së për masat e marra në kuadër të forcimit të kontrollit për rastin ‘IPARD’, do të mbyllen në 6-mujorin e dytë të këtij viti. Në strategji thuhet se në total në Shqipëri përgjatë viteve 2020-2024 janë identifikuar 199 parregullsi nga të cilat 146 të raportuara gjatë zbatimit të Programit IPARD dhe 53 të raportuara në Programin IPA. Me fondet e IPARD, janë bërë shpenzime të papërshtatshme dhe nuk janë respektuar kushtet e kontratës, ndërsa me ato të IPA-s ka pasur shpenzime të papranueshme dhe konflikte interesi.

Për këtë arsye një grup pune i ngritur në Ministrinë e Financave do të bëjë një analizë të kuadrit ligjor që rishikohet në përputhje me mbrojtjen e interesave të BE.

“Forcimi i kuadrit ligjor të Shqipërisë do të jetë një fokus thelbësor, për të parandaluar më mirë konfliktet e interesit, për të rritur transparencën në shpenzimet publike dhe për të forcuar ndjekjen penale të rasteve të mashtrimit”, thuhet në strategji.

Hetimet për rastet e dyshuara të mashtrimit me fondet e BE-së, nuk do të presin as ‘radhën’ por drejtësia do t’i hetojë me prioritet.

“Analiza do të trajtojë gjithashtu mënyrën sesi organet hetimore, të tilla si AFCOS, Prokuroria, SPAK-u, Policia e Shtetit etj, të bashkëpunojnë efektivisht me autoritetet gjyqësore për të siguruar që aktivitetet mashtruese, veçanërisht ato që prekin interesat financiare të BE-së, të ndiqen penalisht shpejt dhe në mënyrë të efektshme”, vijon strategjia.

Një masë tjetër që do të ndërmerret është edhe integrimi i një sistemi IT i sofistikuar (ARACHNE) që përdor Komisioni Evropian, në të cilin do të hidhen të dhëna mbi projektet e përdorimin e fondeve të BE-së nga shtetet.

Përmes këtij sistemi që deri më tani përdoret vetëm nga shtetet anëtare të BE-së, por që nga 2028-ta e kanë detyrim ta përdorin të gjitha shtetet që marrin fonde nga BE, synohet të ndihmohen autoritetet shqiptare në zbulimin e parregullsive apo mashtrimeve.

“Ndërsa Shqipëria i afrohet anëtarësimit në BE, institucionet e saj duhet të përgatiten të menaxhojnë programe më të mëdha dhe më komplekse të financuara nga BE-ja. Kjo do të përfshijë ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve, futjen e teknologjive më të sofistikuara të zbulimit dhe parandalimit, dhe përditësime të rregullta të procedurave të brendshme për t'u përafruar me rregulloret në zhvillim të BE-së”, vijon më tej strategjia.

Vetëm kështu thuhet në strategji Shqipëria do të rrisë kapacitetin e saj për të mbrojtur interesat financiare të BE-së, duke i hapur rrugën një sistemi transparent dhe të përgjegjshëm që do të mbështesë aspiratat për anëtarësim në BE.

G.M./S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?