TIRANË - Një ditë më parë Ministrja e Arsimit njoftoi që mësimi nga data 1 dhjetor do të zhvillohet sipas skenarit nr.2, në klasë dhe online.
Por nisur nga eksperienca e mëparshme me mësimin online shumë prindër nuk janë të kënaqur me vendimin dhe preferojnë mësimin në shkolla.
Gjyshërit janë ata që për shkak të orareve shkojnë të marrin nipërit e mbesat nga shkolla. Mësimi me turne e bën të vështirë për prindërit e fëmijës.
Për Report Tv, prindër dhe gjyshër thonë se janë të detyruar që ti përshaten këtij vendimi.
“Thjesht di të them që do të ngelen shumë analfabet, se online, por s’kemi ca të bëjmë. Është periudha e Coronës, jemi të detyruar po bëjmë sakrificën për për t’i sjellë e për t’i marrë”, shprehet një prind.
“Është shumë e vështirë si për fëmijët si për ne . Në shkollë është më mirë, por është situata e vështirë që s’rrimë dot. Ndryshe ja mëson mësuesja ndryshe ne” , shprehet një prind tjetër .
“Duhet t’i përshatemi nga halli, ç’a do të bëjmë. Por nuk përshtaten prindërit se janë nëpër punë. Të rrojnë gjyshet”, shprehet një zonjë tjetër në moshë.
Disa të tjerë të frikësuar nga shifrat në rritje të rasteve me koronavirus, shqetësohen nga grumbullimet kohën kur rrinë në pritje për të marrë fëmijët nga shkolla.
“Patjetër që është e vështirë për fëmijët. Fëmijët po u shkëputën nuk përshtaten dot më. E mira është të vazhdojnë kështu, po duhet të përshtaten se s’bën. Vetëm një gjë mua s’më pëlqen se nuk ka organizim. Ndalohen grupimet, por ato janë të paimagjinueshme. Nuk e zgjidhim dot këtë gjë”, shprehet një i moshuar .
“Frika është do, s’do do grumbullohesh”, thotë një prind tjetër.
Nga mësimi i alternuar, ministria e arsimit ka vendosur të përjashtojë nxënëst nga klasa e 1-5 dhe maturantët, të cilet do të vijonë ta bëjnë mësimin fizikisht në klasa.