ITALI - Lega Serie A ka zyrtarizuar datat dhe formatin e sezonit të ardhshëm 2025-2026, duke konfirmuar se kampionati italian do të fillojë më 24 gusht 2025 dhe do të mbyllet më 24 maj 2026. Njoftimi u bë publik dhe përfshin një sërë rregullimesh që lidhen me kalendarin, pauzat ndërkombëtare dhe menaxhimin e ndeshjeve të skuadrave që ndajnë një stadium.
Kampionati do të ndërpritet vetëm gjatë katër dritareve zyrtare të FIFA-s, në muajt: shtator, tetor, nëntor dhe mars, ndërsa, ashtu si vitet e fundit, nuk do të ketë pushim dimëror. Ndeshje janë planifikuar për datat 21 dhe 28 dhjetor 2025, si dhe 3 dhe 6 janar 2026, duke ruajtur intensitetin e garës edhe gjatë festave.
Në total do të zhvillohen 38 javë, ku dy prej tyre, java e 9-të dhe e 19-të janë caktuar për në mesjavë. Për të shmangur probleme logjistike dhe të sigurisë, Lega ka vendosur që skuadrat rivale që ndajnë të njëjtin qytet apo stadium, si: Inter–Milan, Roma–Lazio, Juventus–Torino dhe Fiorentina–Pisa, të alternojnë ndeshjet si pritëse dhe udhëtuese në çdo javë loje.
Është planifikuar se do të ketë përjashtime, veçanërisht për Interin dhe Milanin në fillim të shkurtit 2026, kur stadiumi “San Siro” do të jetë i padisponueshëm për shkak të ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, të planifikuar për 6 shkurt 2026.
Komente
