Sociale
Shëndeti

Mësuesi nga Vlora me diabet që 9 vjeç, sëmundja i 'rrëmben' shikimin: Nuk kishim as njohuri dhe as mjete kontrolli

11 Tetor, 12:02| Përditesimi: 11 Tetor, 13:55

  • Share

Entuziazmi pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për të rimbursuar injeksionet që trajtojnë retinopatinë diabetike, për të shmangur humbjen e shikimit, nuk zgjati shumë për mësuesin nga Vlora, Klement Kanaj. Shumë shpejt, ai mësoi se nuk përfshihej në listën e përfituesve, edhe pse prej vitesh vuan nga ‘neovaskularizimi’, një gjendje ku retina, për shkak të diabetit, krijon enë të reja gjaku të parregullta që dëmtojnë shikimin.

“Protokolli i trajtimit me injeksione intravitreale nuk duhet të kufizohet vetëm në raste si edema makulare apo degjenerimi makular për shkak të moshës, por edhe për neovaskularizimet, si rasti im.”, thotë Klement Kanaj.

Ky injeksion që bëhet 1 herë në 4 muaj, ka një kosto deri në 200 euro. Por, Kanaj, 49 vjeç, nuk përfiton as nga rimbursimi i fishave të diabetit të cilat ofrohen mbi 65-vjeç, për shkak të moshës.

“Po ashtu, duhet të rimbursohen strishat e matjes së glukozës, sepse shumë komplikacione vijnë nga keqmonitorimi i sëmundjes.”, thotë Kanaj.

Ishte vetëm 9 vjeç, kur mësuesi nga Vlora u përball me diagnozën që do ta shoqëronte gjithë jetën, diabetin.

“Në moshën 9-vjeçare u diagnostikova me diabet, po bëj gati 40 vite që mjekohem me insulinë. Koha e gjatë e trajtimit, mungesa e njohurive, dhe e mjeteve të kontrollit asaj kohe, bënë që të dëmtohej retina.  Ka qenë para nja 10 vitesh, pasi u çova nga gjumi pashë ca njolla të errëta që më pengonin shikimin.”, shprehet mësuesi Klement Kanaj.

Sipas endokrinologut Florian Toti, në Shqipëri trajtohen mbi 100 mijë persona me diabet, dhe rreth 30% e tyre kanë probleme me shikimin. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale, sipas tij po sjell përmirësime në diagnostikimin dhe menaxhimin e sëmundjes.

“Rreth 5% vuajnë nga edema makulare, ndërsa afro 1000 persona janë verbuar si pasojë e komplikacioneve të diabetit. “Sot ekzistojnë aplikacione që mund të zbulojnë me 80-90% saktësi nëse një person ka prekje të syrit nga diabeti. Kështu shmangen vizitat e panevojshme dhe ruhet koha për ata që kanë vërtet nevojë për trajtim.”, thotë Florian Toti, endokrinolog

Apeli i mjekeve mbetet të kontrolli i hershëm i diabetit, për të mos u përshkallëzuar në sëmundje të tjera.

G.M./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kualifikueset e Botërorit, si e parashikoni ‘finalen‘ Serbi-Shqipëri?