Kronikë

Meta: Akti i varjes së tij publike dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit mizor

10 Gusht 2019, 18:59| Përditesimi: 10 Gusht 2019, 19:10

  • Share

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka sjellë në vëmendje Havzi Nelën, poetin e lirisë që u ekzekutua në sheshin kryesor të Kukësit, 31 vite më parë. Meta thotë se ishte një akt makabër varja e tij publike. Nela guxoi me poezitë e tij të përmendte të drejtat e popullit kundër regjimit mizor komunist. Sakrifica, disidenca dhe vepra lapidare janë një nga dëshmitë më të forta të tmerreve të komunizmit. Presidenti Meta thekson se fjala e lirë, liria e medias dhe të drejtat e njeriut  janë të vetmet garanci për lirinë dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Postimi i plotë:

Sot populli shqiptar nderon me respekt kujtimin e martirit të lirisë, poetin disident Havzi Nela, i cili 31 vite më parë, në 10 gusht 1988, u ekzekutua në stilin e khmerve të kuq, në sheshin kryesor të Kukësit, për të kaluar në përjetësi.

Akti makabër i varjes së Tij publike, pak para rrëzimit të Murit të Berlinit, pse guxoi me poezitë e Tij të përmendte “të drejtat e njeriut”, dëshmon fytyrën e vërtetë të atij regjimi mizor, që edhe pse në grahmat e fundit vetëm dy vjet përpara shpërthimit të Lëvizjes Studentore, kujtoi se duke bërë shembull poetin e Lirisë do të vriste ëndrrën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

Disidenca, vepra lapidare dhe sakrifica sublime e Havzi Nelës është një nga dëshmitë më të forta dhe më të vona të tmerreve që lamë pas 30 vite më parë, por edhe një këmbanë alarmi se sa e rëndësishme, por edhe e shtrenjtë është demokracia dhe pluralizmi politik, fjala e lirë, liria e medias dhe të drejtat e njeriut, që janë të vetmet garanci për lirinë dhe dinjitetin çdo shqiptari, por edhe për prosperitetin e begatinë e vendit tonë.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush, a mund të integrohet Shqipëria në BE brenda 2030-ës?