Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e mirënjohur gjirokastrit të muzikës popullore shqiptare, Petrit Lulo.
“Në vlerësim të kontributeve të shquara në prezantimin e këngëve popullore shqiptare, veçanërisht atyre të krahinës së Jugut, duke spikatur si pasardhës i denjë i iso-polifonisë toske. Me mirënjohje ndaj këngëtarit popullor me zë të ëmbël e melodioz, kumbues e me timbër të pastër, i cili me këngët dhe vlerat e tij të veçanta të interpretimit , ka ngritur më lart madhështinë e kalasë së Argjiros”., tha Meta.
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, në prani të familjarëve dhe personaliteteve të shquara të artit dhe muzikës, Presidenti Meta theksoi “Të nderuar pjesëmarrës, kam kënaqësi të veçantë të vlerësoj sot një artist të madh, shumë të dashur e të vlerësuar nga publiku shqiptar, Petrit Lulo.”
Meta ka shkruar edhe në rrjetin e tij social Facebook, lidhur me këtë dekorim duke ndarë edhe 2 fjalë zemre për “Bilbili i këngës popullore dhe polifonike”, siç shkruan ai.
“Pjesëmarrës në qindra koncerte, festivale, ansamble brenda dhe jashtë vendit, me zërin e tij të veçantë e karakteristik, është bërë pjesëtar i të gjitha familjeve shqiptare për dekada.”, shkruan Meta.
Gjatë postimit ai ka përmendur edhe disa prej këngëve që i dhanë famë artistit si ‘Tjetër herë me djalë’ apo ‘Syzeza’.
“Për kontributin e shquar në prezantimin e këngës popullore dhe të lehtë shqiptare dhe për vlerat e veçanta në interpretimin dinjitoz të tyre, kam kënaqësinë të vlerësoj sot z.Petrit Lulo me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh dhe t’i uroj suksese’., shkruan Meta në fund të postimit.