Ilir Meta dhe koreografi Ramazan Këllezi

Meta dekoron koreografin Ramazan Këllezi: Ka dhënë kontribut për promovimin e vlerave shqiptare kudo në botë

31 Janar 2021, 20:15| Përditesimi: 31 Janar 2021, 20:17

  • Share

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” koreografin Ramazan Këllezi.

Motivacioni i kësaj dekorate sipas presdencës ishte: “Me mirënjohje ndaj punës së palodhur, angazhimit të vazhdueshëm dhe veprimtarisë së dalluar atdhetare, në promovimin brenda dhe jashtë vendit të vlerave tona kombëtare e të gjuhës shqipe, për kontributin e çmuar ndaj komunitetit shqiptar në Kanada si dhe për përçimin e valles dhe kërcimit tradicional shqiptar te brezat e rinj në Shqipëri e në diasporë”.

Në fjalën e tij, Meta tha se Këllezi ka përçuar dhe mbajtur gjallë dashurinë për Shqipërinë tek të rinjtë përmes artit dhe kulturës.

Gjithashtu Meta thotë se Këllezi ka shpalosur ndër vite një veprimtari të pasur artistike dhe ka dhënë një kontribut në promovimin brenda dhe jashtë vendit, të vlerave tona kombëtare dhe gjuhës shqipe, sidomos përçimin e valles dhe kërcimit tradicional shqiptar.

“Të nderuar zonja dhe zotërinj, kam kënaqësinë, që t’i akordoj sot zotit Ramazan Këllezi dekoratën ‘Për Merita të Veçanta Civile’, për punën dhe pasionin e dalluar, që ka treguar për të përçuar dhe mbajtur të gjallë tek brezat e rinj dhe tek fëmijët dashurinë për Shqipërinë, kulturën dhe zakonet tona. Maestro Këllezi ka shpalosur ndër vite një veprimtari të pasur artistike dhe ka dhënë një kontribut të çmuar në promovimin brenda dhe jashtë vendit, të vlerave tona kombëtare dhe gjuhës shqipe, sidomos përçimin e valles dhe kërcimit tradicional shqiptar, tek brezat e rinj në Shqipëri dhe diasporë.

Falë përkushtimit dhe misionit patriotik të zotit Këllezi, fëmijët e grupit ‘Shqiponjat e Vogla’ në Kanada, flasin gjuhën e bukur shqipe, vallëzojnë shqip dhe veshin me shumë krenari kostumet tona të mrekullueshme kombëtare. Si koreograf, ai ka përgatitur disa breza valltarësh, duke dhënë një ndihmë të çmuar për promovimin e kulturës sonë, shembull frymëzimi për çdo shqiptar patriot brenda apo jashtë vendit, për të dhënë kontributin personal në promovimin e vlerave, gjuhës dhe traditave tona.  Maestro Këllezi, lindur dhe rritur në Tiranë, në një prej familjeve autoktone tiranase, ka shpalosur gjatë gjithë jetës së tij dashurinë për vallen popullore shqiptare.

Ai ka interpretuar shumë role solistike, duke punuar si mësues dhe drejtor në Shkollën Kombëtare të Baletit, si drejtor i Pallatit të Kulturës ‘Studenti’, si edhe ka realizuar disa krijime koreografike në gjini të ndryshme në spektakle televizive dhe filma shqiptarë. Përkrah fushës artistike, z.Këllezi, ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në diplomacinë shqiptare me detyrën e tij për disa vite si Konsull pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Romë, por edhe si President i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, që punon dhe promovon interesat e ruajtjes dhe mbajtjes gjallë të kulturës sonë dhe valleve shqiptare.

Vlen të përmendet, që edhe falë punës së tij dhe përkushtimit të tij,  Parlamenti i Ontarios miratoi ligjin për shpalljen e muajit nëntor si Muaji i Trashëgimisë së Shqiptarëve në Ontario, një event që tashmë do festohet përgjithmonë.  Ramazan Këllezi, me punën e tij të palodhur dhe pasionin për të promovuar vlerat e traditës sonë kombëtare është një shembull krenarie dhe frymëzimi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që të jenë ambasadorë dhe promotorë të vlerave tona më të mira kombëtare, të gjuhës, të flamurit dhe të traditave të mrekullueshme shqiptare" - tha Meta.

E.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 31/01/2021 22:21

    Ky pse s'na jep te gjitheve nga nje dekorate dhe mbaro ky muhabet?

    Përgjigju
  • O Met: 31/01/2021 22:17

    O kaqol je bete legen krejt

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?