Kreu i shteti Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, xhevahirin e letërsisë shqipe, poetin Xhevahir Spahiu në 75-vjetorin e lindjes së tij.
Kjo dekoratë sipas presidentit i akordohet për krijimtarinë e tij dhe guximin që pati për t’i dhënë poezisë shqipe dimensione të denja për letërsitë e mëdha. Meta vlerësoi poetin Spahiu si një qytetar dhe intelektual që ka sfiduar me dinjitet kohën e vet, ndërsa theksoi se ishte i emocionuar për vlerësimin e një prej figurave më të spikatura jo vetëm të poezisë shqipe, por edhe të jetës artistike dhe sociale.
“Xhevahir Spahiu është një prej atyre emrave që i bën nder çdo epoke, çdo gjuhe, çdo letërsie. Ai bëri emër në një kohë të vështirë. Xhevahiri ka jetuar si qytetar i denjë i këtij vendi çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit. Kur të bëhet një histori e vërtetë e publicistikës shqiptare, Xhevahir Spahiu do të jetë në krye të vendit si reporter, prej të cilit gazetarët e sotëm të Shqipërisë, që e kapërcejnë Unazën e Tiranës vetëm kur ka zgjedhje, do të ndihen kokulur. Kur të kemi një histori të dukurive letrare që ndodhën në vitet 1970, sërish Xhevahiri ynë, Xhevahiri i letërsisë shqipe, do të jetë një emër i pazëvendësueshëm. Poeti që guxoi të shtjerë në dritë të vetëtimës; poeti që guxoi të ecë në teh të briskut, poeti që nuk njohu kurrë lajka, mite dhe mbase as perëndi, sot merr një nderim që rrallëkush si ai e meriton. Nderim, mirënjohje dhe jetë të gjatë xhevahir i përjetshëm në panteonin e kulturës sonë kombëtare", tha Meta gjatë ceremonisë së dekorimit.
Të pranishëm në ceremoni ishin dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, akademikë, artistë, poetë, shkrimtarë, muzikantë, kompozitorë,gazetarë dhe politikanë.